Analistët serbë: Takimi Rama-Vuçiç, marketing politik. Shqipëria s’ka qëllime të mira ndaj Serbisë

May 29, 2015 | 22:30
SHPËRNDAJE

Analistët në Serbi nuk e kanë pritur me nota shumë pozitive vizitën historike të kryeministrit Vuçiç në Tiranë. Një pjesë e mirë e tyre kanë ende dyshime për qëllimet e politikës së Tiranës.

Faksimile nga artikulli në median serbe B92

Misa Djurkoviç, kryetare e Institutit serb për Studimet Europiane, në një prononcim për televizionin serb B92, ka thënë se “Shqipëria nuk ka qëllime të mira ndaj Serbisë”.

“Rama ka një staf mjaft të mirë PR-je dhe ai u soll ashtu siç e kishin këshilluar në takimin me Vuçiçin. U desh të sillej ashtu. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Vuçiçin. Të dy kryeministrat u sforcuan në mesazhet e tyre, pasi kështu e kërkon BE-ja. Por gjithsesi, mendoj se Shqipëria nuk ka qëllime të mira ndaj Serbisë”, tha Djurkoviç.

Ndërsa për analistin tjetër, Zivotiç, takimi mes Vuçiçit dhe Ramës ishte thjesht marketing politik. “Duke parë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë dy shekujt e fundi, mund të thuash që marrëdhëniet e sotme nuk kanë besueshmëri. Megjithatë kemi patur një bashkëpunim të mirë gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në vitet ’60. Më pas vetëm konflikte”, thotë ai.

Ndërkohë, të dy analistët thonë se fuqitë e mëdha kanë influencuar së tepërmi në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Shqipëria ka qenë më e favorizuar nga faktori ndërkombëtar dhe tashmë ka marrë një rol drejtues në Ballkanin Perëndimor”, mendon Djurkoviç.

Mirëpo, sipas saj, shqiptarët janë nacionalistë euforikë, dhe nuk heqin dorë lehtë nga projekti i Shqipërisë së Madhe. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura