Ambasadoret e rinisë shqiptare. Ediola Pashollari dhe Masiela Lusha

Dec 15, 2014 | 15:40
SHPËRNDAJE

Nga Asambleja Botërore e Rinisë, e zhvilluar në Tiranë pak ditë më parë
Ardhur në Tiranë për Asamblenë Botërore të Rinisë, Ediola Pashollari, sekretare e përgjithshme e saj dhe aktorja Masiela Lusha, si ambasadore, rrëfejnë historitë e tyre. Njëra rrugëtimin në Malajzi, tjetra drejt botës së Hollywood-it

Se ku mund të të hedhë jeta, askush nuk e di. Por e vërtetë është, sipas përvojave të dëgjuara, që kush e lë Shqipërinë në moshë të vogël, një jetë të tijën, pranueshëm mirë, arrin ta krijojë kudo. Për Ediolën dhe Masielën, fati ka qenë ca më dorëlëshuar sesa “smirë”. Në fakt, ato të dyja nuk është se kanë të njëjtin profesion, as të njëjtat përvoja nëpër vendet ku kanë shkuar, por i bën bashkë organizata WAY: Ediola Peshollari si sekretare e Përgjithshme e WAY dhe Masiela Lusha, aktore në Hollywood, humaniste e shkrimtare, si ambasadore pranë kësaj organizate.   
Për herë të parë kjo asamble u mblodh në Shqipëri dhe kjo është ajo çka i bëri dy vajzat të udhëtonin prej vendeve të largëta ku banojnë, për një vizitë të shkurtër disaditore.
Asambleja Botërore e Rinisë (WAY) është organizata ndërkombëtare më e madhe e rinisë në botë, lider në mbështetjen dhe promovimin e tyre. Posti më i lartë zyrtar në Asamblenë e Përgjithshme të WAY është ai i sekretarit të Përgjithshëm, që për herë të parë në historinë e WAY drejtohet nga një femër, shqiptarja Pashollari, e cila e mban këtë post prej katër vitesh. WAY është krijuar në gusht të vitit 1949 në Londër dhe ka 130 shtete anëtare. Objektivat kryesore të organizatës janë të koordinojë dhe të ndihmojë këshillat dhe Organizatën Kombëtare të Rinisë në të gjithë botën. Por, përtej organizatës, le të njihemi me historinë e secilës prej vajzave, që në mënyra të ndryshme po bëhen zë i vendit të tyre anembanë botës.

Masiela Lusha
Vajza e vogël që tërhoqi regjisorët e Hollivudit
Jo për faj të saj, ajo që i ka mbetur nga gjuha shqipe, është mjaft e “turbullt”. Masiela e ka lënë Shqipërinë që kur ishte thuajse 3 vjeç. Prej asaj kohe nuk është kthyer më as për ta vizituar. Ka ardhur vetëm një herë, vite më parë, për 40 minuta, me stafin e filmit ku mori pjesë, “Koha e kometës’, dhe kaq. Fluturoi sërish pa mundur të shihte asgjë nga vendi, për të cilin vetëm i kishin treguar se ishte i saji. Me gjithë përpjekjet e së ëmës, njeriu i vetëm me të cilën nisi jetën jashtë Shqipërisë, nuk arriti dot ta ruajë gjuhën ashtu siç do të donte. “Gjatë gjithë jetës, përveç mamasë në shtëpi, kam qenë e rrethuar nga të huaj. Nuk flisja me asnjë shqiptar, ishte pothuajse e pamundur ta mbaja shqipen kur kam ikur në një moshë që nuk dija as ta flisja. Isha shumë e vogël”. Fjalët e para Masiela nis t’i shqiptojë në shqip kur e pyet, pastaj e kthen në anglisht, ngase ndihet e pasigurt. Megjithatë, arrin të kuptojë mirë gjithçka që i thua. Rrugën si aktore, gjithashtu e ka nisur në moshë të vogël. “Isha vetëm 12 vjeç kur jetoja në Miçigan e një agjent vinte nëpër shkolla për të kërkuar fëmijë që t’i përfshinte në filma. Ishte vendim i menjëhershëm. 1 javë pasi më përzgjodhën, u transferuam në Los Angeles”. E, siç mund të kuptohet nga vendbanimi i ri, nisi një karrierë që u duk menjëherë premtuese. Masiela mund të mos njihet shumë në Shqipëri, ama atje ku jeton e identifikojnë të gjithë si vajza e George Lopez, sepse këtë rol kishte në serialin komik “George Lopez show”. Ndërkaq, paralelisht me aktrimin, e mbyllur në dhomën e saj, merrej me poezi. Ka shkruar dy libra, ndërsa ka qenë e para që ka çuar në vendin e largët, të përkthyera në anglisht, fjalët e Nënë Terezës. Tani që flasim, Masiela është në pritje që të dalin në treg dy filma të rinj, ku ka qenë pjesë.

Ediola Pashollari
Nga Përmeti si vullnetare në Malajzi
Nuk keni faj të mendoni se ç’mund ta çojë një 17-vjeçare në Malajzi. Emri i këtij vendi nuk qëllon të përmendet as në biseda, jo më ta konsiderosh alternativë për t’u zhvendosur. As ajo nuk do ta kishte menduar nëse nuk do të kishte qenë për babain e saj. “Ato vite, im atë ishte në kërkim të një teknologjie që të kthente ujin e shiut në ujë të pijshëm dhe gjendej pikërisht në këtë vend. Kështu që do të transferoheshim familjarisht. Unë isha 17 vjeç dhe në muajt e parë, ndër gjërat e pakta që mund të bëja përveç shkollës, ishte të punoja si vullnetare pranë organizatës WAY”. Por nuk është kaq e shkurtër rruga e Ediolës nga Përmeti ku jetonte, deri te WAY. Në moshën e studimeve të larta u largua në Angli, ku u diplomua për Drejtësi. Me të mbaruar shkollën, nuk i qëndroi dot indiferente idesë për t’u rikthyer në Shqipëri, meqenëse ishte në moshë kur mund të jetonte edhe larg prindërve. Pa asnjë çudi, nuk rezistoi aq 6 muaj. “U riktheva në Malajzi, ku rivendosa kontaktet me organizatën. Së pari më ofruan të punoja si zv/sekretare e përgjithshme, pozicion të cilin e mbajta për 1 vit, ndërsa prej 2006 jam sekretare e përgjithshme”. Ediola është vazhdimisht në avion, duke udhëtuar nëpër degë të ndryshme të WAY-t në botë. Ishte pikërisht në një nga këto udhëtime kur u takua me Masielën, së cilës i propozoi menjëherë të bëhej pjesë e organizatës për të cilën punonte si ambasadore. Qysh atëherë kanë kontakte të vazhdueshme. E nëse nuk mund të vijnë në Shqipëri sa herë dëshirojnë, të dyja, duke u takuar, bashkojnë copa Shqipërie ngado që shkojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura