Amazona Hajdaraj, fituesja e çmimit “Torino Film Festival”: “Dy fëmijët i linda në gjimnaz, sot 40 vjeçe po mbaroj fakultetin”

May 19, 2015 | 10:05
SHPËRNDAJE


Nuk duhet të jetë fort e lehtë për shkrimtarin ta pyesësh se çfarë e ngacmon të shkruajë. Se s’i ndihet sa i vëmendshëm është nga situatat përreth tij… Të gjitha këto, as ai vetë mund të mos i perceptojë, deri sa, krejt papritur, gjendet përpara një “burimi” që e bën t’i tjetërsojë mendimet në shkronja. As Amazona Hajdaraj, nuk e ka fort të lehtë të qartësojë pikërisht momentin kur i trazohen mendimet, e vetmja gjë që di të thotë është se, pa dashjen e saj, ndaj dhimbjes e plagëve të shoqërisë, është më e prekur.
Me tregimin e shkurtër “Cara Mamma”, Amazona Hajdaraj ka fituar çmimin special “Torino Film Festival” të edicionit X të konkursit letrar “Lingua Madre”. Është një konkurs kushtuar shkrimtareve të reja nga e gjithë bota që shkruajnë në gjuhën italiane, çmimet e të cilit jepen gjatë ditëve të Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, që mbahet nga 14 deri në 18 maj.
“‘Cara mamma’ mund të jetë i papëlqyem për një pjesë të mashkujve shqiptarë, por më vjen keq nëse ndihen të akuzuar. Kam prekur një realitet të asaj kohe, që ka lanë plagë edhe sot, dhe pse jo, aty ka pjesë të jetës familjare dhe sot. E jo vetëm të shqiptarëve, por edhe italianëve. Me pak fjalë, në ‘Cara Mamma’ trajtoj disa tema si braktisjen, emigrimin, trafikun, dhunën dhe çmendurinë. Mund të mendohet se e kam tepruar, por jo. Ajo që kam shkruar është jetë. Jo e shumicës për fat të mirë, por është edhe ajo pjesë jete njerëzore që nuk duhet të na lërë indiferentë”.
Shkodrania ka emigruar në Asti shumë vite më parë. Po aty, ka lindur edhe dy vajzat e saj. Mundet të kenë qenë problematikat që ka parë me sy në vend të huaj, që e kanë bërë ta shkruajë tregimin në gjuhën italiane. Nisi e gjitha si një urim jo fort i shkurtër Krishtlindjesh por që, sapo mësoi për konkursin “Lingua Madre”, Amazona u ul ta plotësonte. Edhe ky tregim, nisi nga një ngacmim i çastit. Fundja, edhe pse në kohë festash, jo të gjithë janë të lumtur e të ngopur, është gjithnjë një kategori tjetër, që jo të gjithë mund ta shohin, që ka nevojë për vëmendje. Janë pikërisht nevojtarët në fokus…
“Mendoj se nuk kam tema të papëlqyeme, por më pëlqejnë temat e forta. Çdo gjë ndikon në krijimtarinë time. Më tërheq dhimbja e njerëzve me të cilët më ka lidhur jeta apo e atyre që gjej përballë kur udhëtoj me tren. Tërhiqem nga fizionomia, nuk bashkëbisedoj me ta, vrojtoj dhe filloj të hyj në një botë që më duket e tyre, por në të vërtetë është e imja”, tregon Hajdaraj.

Amazona me aktoren Rita Gjeka në Teatrin “Migjeni” për monodramën
“Seks? T’falemners, sa me e provu”
As ajo vetë, nuk e ka pasur gjithçka të lehtë. Përkundrazi…
Në Shkodër, prej nga u largua në moshën 17-vjeçare, Amazona la përgjysmë shkollën e mesme, por në Itali, edhe pse u bë menjëherë nënë e iu desh të punojë, nuk lë pas dore studimin. Mbaron natën të mesmen, më pas një kurs specializimi e tani ndjek universitetin në Torino. Ndërkaq, nga viti 2008 punon në një studio profesionistësh. “Nuk mund t’ia lejoja vetes mosmbarimin e shkollës së mesme në Shkodër, ishte sikur të kisha një pjesë të trupit të cunguar. Kisha etje me ditë, me mësu, me jetu dhe vazhdoj të kem. Nuk mund të kërkojmë nga askush as gjënë më të vogël po qe se nuk nisemi nga vetja. Detyra e çdo njeriu nuk është të predikojë, por të veprojë e të japë shembullin e vet. Kur nisa të mesmen isha 25 vjeçe, vajza e madhe ishte 9 (shpeshherë e merrja me vete në shkollë, ajo mbaronte në 16:30 unë e filloja në 19:00 deri në 23:00), ndërsa e dyta lindi kur unë isha në vit të katërt. Praktikisht edhe të dytën e merrja me vete në vit të tretë, e kisha në bark. Sot, jam në vitin e dytë të studimeve të larta për Shkenca Politike dhe Administrim”. Po të shohim ca shembuj të mirë, kujtohemi që gjithçka mund të bëhet… Amazona ia doli!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura