Alterteksti dhe kakofonia e termave që i shmanget thelbit

Jan 12, 2018 | 12:26
SHPËRNDAJE

auto_mirela_karabina1496335750MIRELA KARABINA*

Teksti shkollor dhe politi ka rreth tij kanë rëndësi në përcaktimin e cilësisë në arsim. Reforma e teksteve alternative (Altertekst) ka disa vite që po zbatohet, që nga viti 2005- së. Synimi i saj ishte rritja e cilësisë së teksteve mësimore nëpërmjet liberalizimit të procesit të botimit të teksteve të arsimit parauniversitar dhe duke hequr monopolin e botimit të tekstit nga një shtëpi botuese.

Kështu, në treg, për të njëjtën lëndë ka disa tekste. Mësuesit zgjedhin tekstin që e përcaktojnë si më të mirë. Për administrimin e këtij procesi të rëndësishëm, janë ngritur strukturat përkatëse, rregulluar me kuadër ligjor. Teksti vlerësohet nga Komisioni i Vlerësimit të teksteve (KVT), kalon te Komisioni i Miratimit të Teksteve (KMT), i cili miraton tekste që do kalojnë nëpër shkolla. Në shkollë ngrihet Komisioni i Përzgjedhjes së Teksteve (KPT) i përbërë nga mësues të së njëjtës lëndë, të cilët me shumicë vote zgjedhin tekstin që do përdoret për atë vit shkollor.

Si rezultat i rëndësisë së cilësisë së tekstit shkollor në cilësinë e të nxënit, në cilësinë e arsimit, përmirësimi i cilësisë së tyre është kërkesë e vazhdueshme e nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Por, me ndryshimet qeverisëse, më 2013- ën, Alterteksti u cilësua si një e “keqe e madhe”. I cilësuar si proces “i keqmenaxhuar dhe keqadministruar” nga paraardhësit, ministrja i Arsimit, znj. Nikolla, duke premtuar për një proces transparent dhe të ndershëm, deklaroi se: “Kemi dëgjuar dëshmi që vijnë nga mësues, nxënës e prindër, por dhe ato që vijnë nga autorë të ndryshëm, qoftë për kalvarin që kalon ky proces deri në zgjidhjen e tekstit më të mirë, qoftë dhe dyshimet për shumë tekste që kanë kaluar në fazën përzgjedhëse dhe sot janë në shkollat shqiptare.”

Më tej, znj.Nikolla theksoi: “Më lejoni t’ju bëj me dije se ne jemi të vendosur për një komunikim të vazhdueshëm, për tryeza debati jo vetëm me njerëzit që janë më të mirët e fushës, por dhe me grupet e interesit që janë të prekur nga gjithë vendimmarrja, që vijon më tej në procesin e Altertekstit dhe situatat e tjera, që lidhen me reformimin e sistemit të arsimit parauniversitar. Synimi ynë i përbashkët është që të kemi tekste gjithnjë e më cilësore për nxënësit shqiptarë.”

Pas deklaratave të bujshme për unifikim të teksteve, d.m.th të përdorimit të një teksti të vetëm, si rezultat i dështimit të Altertekstit, dhe, se 93% e mësuesve nuk e donin, apo abuzimeve dhe përfitimeve klienteliste, znj. Nikolla premtoi për një proces më të mirë, dhe përdorimit edhe të teksteve të përkthyera.

Me tone të ashpra do të shprehej Kryeministri Rama, me ardhjen në pushtet, më 2013-ën, në lidhje me Altertekstin, duke e quajtur atë një paçavure dhe premtoi se do zgjidhte libra botërisht të njohur, dhe se nuk ishte nevoja të bëhej shpikje. Kryeministri theksoi: “Do shembim përtokë sistemin e Altertekstit. Një paçavure, ku nuk dihet se ku është përfitimi i një nxënësi dhe shpenzimet e shtetit për të. Pak me mësues jashtë profili, e pak me një sistem që ta mëson shkencën mbrapsht, imagjino ku vemi. Do të ndiqet një sistem efikas. Do të zgjidhet një tekst botërisht i njohur, s’kemi nevojë të bëjmë shpikje.”

Po çfarë po ndodh realisht me këtë proces, i cilësuar nga znj.Nikolla, ministre, si i keqmenaxhuar dhe keqadministruar nga paraardhësit e saj? Tashmë, në vitin e pestë qeverisës, Alterteksti jo vetëm që vazhdon (me disa ndryshime në uljen e teksteve alternative dhe me disa tekste të përkthyera), por është një proces jotransparent dhe lë hapësira abuzimi dhe plotësimi të interesave klienteliste:

a)Përbërja e Komisioni të Vlerësimit të Teksteve, i cili përbën hapin e parë të procesit, nuk është transparent. Kjo bie në kundërshtim ligjit nr.69, të vitit 2012 “Për arsimin parauniversitar”, mospublikimi i emrave të anëtarëve të KVT-së është në kundërshtim me ligjin, i cili në nenin 47 përcakton se “përzgjedhja e teksteve shkollore duhet të bëhet përmes një procesi transparent. Gjithashtu, veprimtaria e këtij komisioni nuk është dhe objekt inspektimi nga Inspektorati i Arsimit, gjë që thellon problematikën e mbartur të këtij procesi.

b) Komisioni i miratimit, i cili kalon tekstet në shkolla, rezulton që ka kaluar tekste shpesh të një cilësie të ulët dhe me gabime shkencore. Dhe këto tekste shkojnë te mësuesi, i cili është në dilemën e përzgjedhjes dhe të imponimit shpeshherë nga elementë të ndryshëm. Pra, si mundet një komision i përbërë nga 11 vetë të kalojë tekste të tilla? Tekstet me problematikat e tyre janë bërë publike nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit. A ka pasur ndëshkime për këtë dëm? Teksti është shumë i rëndësishëm për nxënësin. Ai duhet të jetë i pagabueshëm.

c) Autorët jofitues nuk marrin asnjë të dhënë rreth teksti të tyre, vetëm një numër pikësh, të cilat janë treguesi i të qenurit jofitues. Kjo e bën këtë proces jotransparent dhe korruptiv, pasi hartuesit e teksteve duhet të njihen më treguesit, të cilët nuk kanë kapur standardin e kërkuar. E pyetur për këtë, znj. Zamira Gjini (Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit) si kryetare e Komisionit të Miratimit të Teksteve, nuk e shihte si domosdoshmëri për autorët të njiheshin me vlerësimin e treguesve, duke paraqitur si argument ruajtjen e anonimatit të vlerësuesit. Por, është një komision me 11 vetë, që e ka miratuar këtë tekst jofitues dhe ka përgjegjësi për këtë. Pra, kjo e bën ketë proces jotransparent dhe korruptiv.

d) Në lidhje me tekstet e përkthyera. Kur bëhet fjalë për “Oxford”, “Pearson”, sigurisht, që kemi te bëjmë me standarde dhe cilësi. Ajo që kërkon vëmendje është përshtatja e tyre me realitetin shqiptar. Në intervista me mësues të matematikës, ata shprehin pakënaqësi në lidhje me njohurinë, pasi nuk përshtaten më moshën e nxënësve tanë. Në Angli, klasa 10-të i përket moshës 14-15 vjeç, ndërsa te ne, në këtë nivel nxënësit janë të moshës 15-16 vjeç. Librat që botohen nga “Oxford” apo “Pearson” janë të ndarë për vende të botëve të ndryshme.

Pavarësisht se është punuar me kurrikulën, nuk ka një transparencë si është ndërtuar apo përshtatur programi. Ndërkohë, një problematikë evidente është përkthimi i tyre. Në disa raste, në tekste të lëndës “Dituri natyre” dhe të tjerë, janë të përkthyera jo mirë duke deformuar njohurinë. Disa pyetje për znj. Nikolla, e cila udhëheq këtë proces të rëndësishëm të arsimit të fëmijëve shqiptarë, në lidhje me transparencën dhe cilësinë e Altertekstit, proces, të cilin e quajti të keqmenaxhuar nga paraardhësit, por në vitet e drejtimit të saj nuk e përmirësoi, por e bëri jotransparent dhe korruptiv.

1. Pse transparenca e anëtarëve të Komisioni të Vlerësimit të Teksteve është në kundërshtim me ligjin e arsimit parauniversitar?

2. A ka përgjegjësi Komisioni i Miratimit të Teksteve për tekste me cilësi të dobët dhe me gabime shkencore? A ka ndëshkime të Komisionit të Miratimit të Teksteve, të cilët kanë kaluar libra të një cilësie të dobët dhe me gabime shkencore?

3. Si është lejuar që në shkollat e mesme, të jetë vetëm një alternativë online (Italishtja 11 dhe Frëngjishtja 11), pavarësisht renditjes së tyre në vlerësim, kur si përmbajtje dixhitale nuk kanë mundësi të zhvillohen në klasat dixhitale?

4. Ia kemi përshtatur ne programin teksteve të përkthyera apo këto tekste na diktojnë ne programin?

5. Tekstet e përkthyera të marra, cilës kategori të vendeve i përkasin, botës së parë, të dytë apo të tretë?

6. Përse i njëjti tekst përkthehet nga disa shtëpi botuese? Do të fitojë përkthimi më i mirë?

7. Përse hartuesit e teksteve kanë një afat të shkurtër 5-mujor për të hartuar tekstin?

8. Përse autorët jofitues nuk marrin të plotë vlerësimin e tekstit të tyre dhe renditjen sipas pikëve?

9. Përse afatet e përzgjedhjes së teksteve në shkolla janë të kufizuara dhe bëhen në mënyrë të shpejtë? Ky proces bëhet më së miri në shërbim të shoqërisë, shumë thjesht: transparent dhe pa interesa klienteliste. Por, demagogjia me shkëlqimin kalimtar, tashmë e ngritur në sistem, me kakofoninë e termave “Unifikim”, “Tekst botëror”, “Përkthim”, “Oxford’, “Pearson”, “Altertekst i dështuar”, mundohet të mbulojë dëmin: problematikat në tekste, deformimin e dijes, deformimin e modelit.

Jotransparenca e procesit dhe elementet korruptive prekin thelbin e procesit, duke u pasqyruar në tekste jocilësore, tekste të imponuara, përmbajtje dixhitale që nuk kanë infrastrukturën që të zbatohen etj. Përdorimi politik e ka dëmtuar shumë këtë proces tejet të rëndësishëm.

Ndjeshmëria qytetare duhet të jetë e lartë ndaj këtij fenomeni shkatërrues, që mbuluar me fjalë të bukura dhe shoqëruar me një realitet surreal, po krijon çdo ditë gërmadha. Teksti është orientimi, është dija, është rruga drejt së nesërmes. Të mendosh për të, është shërbim i lartë që i bëjmë shoqërisë. Të dëmtosh atë, është dëmtimi i së ardhmes…..

*Ish-Ministre e Arsimit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura