Albpetrol, digjet afati i parë për kontratën

Nov 3, 2012 | 13:27
SHPËRNDAJE
Nga konferenca e prezantimit të konsorciumit “Vetro energy”

Nuk paguhet as 20% e garancisë së kontratës. Po nuk u arrit marrëveshja, fitues janë “Win Business”

“Vetro Energy”, asnjë negociatë për 30 ditë, kërkon kohë shtesë.

Afati i parë për shitjen e Albpetrolit ka skaduar dje pa asnjë rezultat.  Shuma e majme prej 850 milionë eurosh, e ofruar nga “Vetro Energy PTE. Ltd.” do të vazhdojë të jetë një mirazh për buxhetin e varfëruar të qeverisë, të paktën edhe për 30 ditë të tjera. Sipas vendimit të qeverisë, fituesja e shpallur më datë 3 shtator kishte 30 ditë kohë për të negociuar me qeverinë shqiptare për kalimin e aksioneve të Albpetrolit. Dje ky afat ka skaduar dhe burime nga Ministria e Ekonomisë e bëjnë akoma më shumë pesimiste situatën. Sipas tyre, gjatë këtyre ditëve, që normalisht duhet të shërbenin për një përballje të fortë mes palëve, nuk ka pasur pothuajse fare negociata. Po të njëjta burime sqarojnë se vetëm dje përfaqësuesit e “Vetro Energy” kanë dërguar një letër ku kërkonin zgjatjen e afatit të negociatave edhe me 30 ditë të tjera. Burimet sqarojnë se kjo kërkesë është pranuar vetëm në gjysmën e saj. Sipas Ministrisë, afati shtyhet vetëm për 12 ditë, kohë gjatë së cilës duhet të nisin të paktën kontaktet zyrtare mes palëve. Lajmi bëhet edhe më i zymtë, po të kihet parasysh se pa firmosjen e kontratës nga Ministria, “Vetro Energy” nuk paguan as garancinë e kontratës prej 20%, ose 170 milionë euro. Sot qeveria shqiptare ka vetëm 85 milionë euro si garanci për shitjen e Albpetrolit, ose vetëm 10% të shumës kaq shumë të dëshiruar.
Afatet
Në vendimin e qeverisë të 1 shkurtit të këtij viti, parashikohen të gjitha procedurat dhe afatet që duhet të ndiqen për konkretizimin e privatizimit të Albpetrolit. Në pikën ku flitet për nënshkrimin e kontratës, theksohet se “Brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas shpalljes së fituesit kandidati fitues duhet të nënshkruajë kontratën me Ministrinë dhe të dorëzojë garancinë e kontratës. Afati mund të shtyhet sipas marrëveshjes ndërmjet palëve për 30 (tridhjetë) ditë, por jo më shumë se një herë”. Shpallja fituese e “Vetro Energy” me 97.79 pikë është bërë më datë 3 tetor me vendim qeverie. Dje janë bërë fiks 30 ditë nga mbyllja e afatit të parë dhe pas kërkesës së “Vetro Energy” është bërë shtyrja e afatit. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare më datë 12 tetor, dhe ndoshta kjo është arsyeja që Ministria e Ekonomisë e ka shtyrë vetëm me 12 ditë afatin, deri më 12 nëntor. Sidoqoftë, në vendimin e qeverisë së 3 tetorit theksohet qartë se “Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”. Pa u bërë firmosja e kontratës mes Ministrisë së Ekonomisë dhe “Vetro Energy”, kjo e fundit nuk ngrin garancinë e kontratës, 20% të ofertës, pra 170 milionë euro.
Mund të fitojë i dyti
Në vendimin e qeverisë së datës 3 tetor është miratuar vlerësimi i ofertave për shitjen e Albpetrolit. Sipas renditjes, qeveria ka miratuar në vend të parë “Vetro Energy” PTE. Ltd., 97.79 pikë; “Win Business”, 44.39 pikë dhe “Bankers Petroleum” Ltd., 30.83 pikë. Kjo renditje, edhe pse e qartëson fituesin me një vlerësim ndjeshëm më të lartë se vendi i dytë, ka një rëndësi të fortë sot, kur fituesi nuk po e firmos kontratën. Vendimi i qeverisë për vlerësimin e ofertave, i datës 1 shkurt, parashikon se fituese mund të bëhet edhe oferta e dytë. “Brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas shpalljes së fituesit, kandidati fitues duhet të nënshkruajë kontratën me Ministrinë dhe të dorëzojë garancinë e kontratës. Në të kundërt, negocimet do të fillojnë me kandidatin e klasifikuar i dyti dhe pastaj me kandidatët e tjerë, të klasifikuar pas tij, në përputhje me të njëjtën procedurë”. Sipas këtij vendimi, në rast se për 30 ditë “Vetro Energy” nuk firmos kontratën me qeverinë, kjo e fundit humbet garancinë 85 milionë euro, por bën fituese kompaninë e renditur e dyta, “Win Business”, me një ofertë prej 297,6 milionë euro. Sipas vlerësimit të konsulentit, “Shoqëria ‘Win Business Energy’ (Aust.) Ltd. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar nga ishujt e Virxhinias Britanike, e cila është paraqitur në konsorcium me “Bright Oil Petroleum” (Holding) Limited (Holdings) Ltd., një shoqëri nga Bermuda”.

Renditja
– “Vetro Energy” PTE. Ltd., 97.79 pikë

– “Win Business”, 44.39 pikë

– “Bankers Petroleum” Ltd., 30.83 pikë

Vendimi i qeverisë
Nënshkrimi i kontratës
3. Nënshkrimi i kontratës
3.1 Brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas shpalljes së fituesit, kandidati fitues duhet të nënshkruajë kontratën me Ministrinë dhe të dorëzojë garancinë e kontratës. Në të kundërt, negocimet do të fillojnë me kandidatin e klasifikuar i dyti dhe pastaj me kandidatët e tjerë, të klasifikuar pas tij, në përputhje me të njëjtën procedurë.
3.2 Afati i treguar në pikën 3.1 të kreut VIII mund të shtyhet sipas marrëveshjes ndërmjet palëve për 30 (tridhjetë) ditë, por jo më shumë se një herë.
3.3 Garancia e kontratës do të jetë 20% e çmimit të blerjes dhe do të jetë sipas formatit në shtojcën 2, bashkëlidhur këtyre rregullave.
3.4 Garancia e kontratës do t’i kthehet blerësit, pas pagimit të plotë të çmimit të kontratës, sipas kushteve të përcaktuara në të (në kontratë).
4. Miratimi i kontratës
Kontrata, pasi nënshkruhet nga ministri përgjegjës dhe blerësi, miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura