Aksidentoi djalin e Pekës, 5 vjet burg shoferes. Pranon fajësinë, përfiton ulje dënimi

Jul 1, 2015 | 16:37
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës përfundoi dje gjyqin ndaj 29-vjeçares të akuzuar për aksidentin automobilistik, që i mori jetën djalit të mitur të ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Avenir Peka.

Pamje nga aksidenti

Sipas Gjykatës, e pandehura është shkaktare e aksidentit të ndodhur më 29 dhjetor 2014 në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, ku mbeti i vrarë një i mitur dhe u plagosën personat e tjerë të pranishëm në automjet.

E pandehura Uarda Çota u shpall fajtore për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe u dënua me 7 vjet e 6 muaj heqje lirie. Ajo përfitoi uljen e një të tretës së këtij dënimi, për shkak se çështja u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Përfundimisht, e pandehura Çota duhet të vuajë një dënim me 5 vjet heqje lirie.

Vendimi në ngarkim të 29-vjeçares u shpall nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Në seancën e konkluzioneve përfundimtare të akuzës, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtore të të pandehurës dhe dënimin e saj me 8 vjet heqje lirie.

Vetë e pandehura, përmes avokatit të saj Gentian Rumano, kërkoi një masë më të butë dënimi. Më herët, e pandehura ka pranuar fajësinë për aksidentin dhe ka shfaqur pendesë para gjykatës. Aksidenti fatkeq për familjen e ishzv. ministrit të brendshëm, Avenir Peka, u shënua rreth orës 20:00 të datës 29 dhjetor 2014 pranë “Komunës së Parisit” në një segment ku po punohet për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës.

Për shkak të punimeve, rruga që vinte nga Diga e Liqenit Artificial drejt Kopshtit Botanik ndërpritej dhe merrte një kthesë më shumë se 90 gradë. Sipas Prokurorisë, e pandehura Uarda Çota ishte duke drejtuar një automjet tip “Benz” me targa EN 07 XNR në këtë segment, në gjendje të dehur.

Për shkak të lëvizjes me shpejtësi tej limiteve të lejuara, ajo ka goditur mjetin tim “Chrysler” me targa AA200AR, i drejtuar nga E. Peka. Në këtë automjet udhëtonin dy djemtë e saj dhe një tjetër i mitur, i afërm i familjes.

Mjeti “Chrysler” ka qenë në vendin ku segmenti i unazës ndërpritej dhe kthehej djathtas kur është goditur nga pas në mënyrë të papritur.

Si pasojë e përplasjes së fortë, të dyja automjetet kanë dalë nga rruga dhe kanë rënë në terren në formë grope, të hapur gjatë punimeve për ndërtimin e rrugës. Sipas hetimit, 11-vjeçari R. Peka ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Mamaja e tij, vëllai dhe kushëriri morën plagë, që nuk i rrezikuan jetën. ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura