Afganët, përdorimi i radhës nga Rama

Aug 16, 2021 | 9:05
SHPËRNDAJE

baci agim

AGIM BAÇI

Kryeministri Rama u dë frye edhe këtë të dielë, teksa u ul në kolltukun e ngazëllimeve të tij patriotiko-tallëse me shqiptarët. Teksa shtroi edhe këtë të dielë petat e sherrnajës për publikun, duke futur në mes “petëve” herë hebrenjtë, herë falenderimin për SHBA-në në çështjen shqiptare, herë konceptin human, ai iu sul sërish atyre atyre që nuk kapërdijnë shpjegimet e tij prej një mashtruesi. Dhe Rama nuk e fsheh zemërimin ndaj atyre që nuk pranojnë të duartrokasin mashtrimin apo gënjeshtrat e tij, sepse kolltuku i tij ngazëllyes, të cilin e ka pagëzuar “zëri i shumicës”, i duket i vetmi kolltuk mendimtari.

Por ne duhet ta themi se janë naivë edhe ata që kanë besuar se Rama ndonjë ditë do të përfillë institucionet, edhe kur e di se mjafton t’i mbledhë formalisht, pasi të tillë i ka ndërtur një e nga një, që kur erdhi në pushtet. E fatkeqësisht ai nuk di më të ulet në ansjë kolltuk tjetër veç kolltukut të mllefit të tij, përveç kolltukut të dëshirës së tij për të përdorur gjithçka për pushtetin e tij.

Por ngazëllimi i tij, më shumë se sa nga tallja që u bën atyre që komentojnë dhe e lexojnë, është se arrin që të gjithë të dielën ta fusë në hartën e logjeve të urrejtjes mediatike, duke larguar vëmendjen ndaj banalizimit të plotë ku e ka shtyrë ai shoqërinë shqiptare përmes një korrupsioni dhe kulture mosndëshkimi, të cilat ai vetë i ka mbështetur dhe ushqyer, duke iu afruar gjithnjë e më shumë një qeverisjeje gangsterësh.

Ne të gjithë e dimë se nëse SHBA i sjell këtu afganët, ajo do t’i mbajë edhe me para. Dhe kjo gjë duket qartazi dhe vetë Rama e tregon me ngazëllimin e tij duke u bërë një drejtues i anijes së banalitetit dhe urrejtjes. Dhe ai nxitoi të krijonte gjoja një debat shterpë edhe me opozitën, që opozita të deklarohej sa më shpejt pro ardhjes së afganëve, edhe pse Rama do të donte pak më shumë rezistencë nga ata, më shumë kundërshti apo kërkesë llogarie, për të ndërtuar më pas edhe fabulën antiamerikane, siç e ka ai për zemër.

Por ajo që është e gjitha paradoksale në këtë histori, është se fjalimi online i Ramës lidhur me humanizmin, me pranimin e tjetrit, me atë që ka si tipar shoqëria shqiptare, nuk kanë të bëjnë aspak me mënyrën se si ai qeveris, se si i trajton bashkëqytetarët e tij, se si fyen dhe anashkalon çdo hallkë vendimarrëse, se si shmang prej vitesh çdo llogaridhënie. Ai thjesht flet nga kolltuku i “mbretit të shumicës’, kur ndërkohë beson i gjithi se shumica është vetëm ai, ose maksimumi ai dhe disa miq të tij. Por jo Partia Socialiste. E aq më pak faktori publik.

Por ai do të sajojë gjithnjë e më shumë debate që na largojnë nga keqqeverisja e tij. Ai e di shumë mirë se urrejtja do t’i japë kohë, sepse gjuha e urrejtjes largon arsyetimin, largon debatin real për korrupsionin, për keqeverisjen. Ky është halli i vetëm i tij dhe për të shmangur një gjykim të qeverisjes së tij, ai do të gatuajë pafundësisht të tilla fabula, do të nxisë edhe më shumë urrejtjen, herë duke përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës, pasi vetëm urretjeja i garanton atij këtë errësirë të debatit mbi të vërtetat e qeverisjes së tij.

Por kushdo që e dallon lehtësisht gjuhën e urrejtjes që ushqen Rama në çdo debat publik, e kupton që ai nuk do njeri. Aq më pak afganët…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura