Administrata/ Si u dyfishua paga mesatare! Reformë 2-vjeçare për rrogat, 39 miliardë lekë kosto brenda 2025

Mar 12, 2024 | 10:20
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DUR/ Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, paga mesatare mujore është rritur me ritme dyshifrore në fund të 2023.

administrata-1

Raportimet më të fundit të INSTAT tregojnë se pagat në shtet u rritën me 18% në tremujorin e katërt në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, duket se sektori privat nuk arriti të ndjekë të njëjtat hapa me rritjen. Në sektorin privat pagat u rritën me 11.6% për të njëjtën periudhë. Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2023, është 75.025 lekë, duke u rritur me 13,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Statistikat e Pagave, gjatë tremujorit të katërt 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2023 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 16,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grupaktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 4,5 %.

Gjatë tremujorit të katërt 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

OBJEKTIVAT

Këtë vit qeveria pritet të avancojë në mënyrë domethënëse me reformën e rritjes së pagave, duke arritur që prej mesit të vitit 2024, pra duke arritur para kohe, objektivin e një page mesatare 900 euro në sektorin publik. Kosto totale e kësaj reforme do të jetë afro 400 milionë euro dhe pritet që kjo reformë të jetë shtysë edhe për pagat e sektorit privat. Sakaq pensionet janë indeksuar në një total prej 250 milionë euro vitet e fundit. Kjo iniciativë është ndërmarrë pas një analize të thellë dhe nevojës për reformimin e pagave në vend, pasi ndërsa vendi po kalon në një epokë të re të transformimit dixhital dhe përparimeve të shpejta teknologjike, është thelbësore që sistemet e përcaktimit të pagave përputhen me kërkesat e zhvillimit të tregut të punës. Në hierarkinë e pagave përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor vetëm për këto kategori përllogaritet në 20 milionë lekë. Nga ana tjetër, grupet e prekura indirekt janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendore dhe vendore.

Sa i takon efektit financiar, kosto totale e kësaj politike më 1 janar 2025 shkon rreth 39 miliardë lekë, prej të cilave 1 miliard lekë përllogaritet efekti financiar i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2023. Nga kjo reformë përfitojnë në total 130 330 punonjës. Politika e rritjes së pagave për administratën publike është parashikuar të shtrihet në dy vite.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura