Ada Çapi, farmacistja që i ktheu pacientët në personazhe romani

Feb 2, 2017 | 13:30
SHPËRNDAJE

“’Morphina’ është një zbulim: zbulimi i një romanciereje të lindur që vjen para lexuesit me një roman të shkruar me një natyrshmëri dhe spontanitet të admirueshëm, me instinkt të paprekur, me rrjedhshmëri dhe humor. ‘Morphina’ ka atë pajtueshmëri të kundërtash që përbën një vepër të mirë: ka humor edhe kur flet për gjërat më të zymta; ka poezi tek flet për banalitetin; ka dritë kur përshkruan errësirën; ka spontanitet të kontrolluar dhe është një roman i shkëlqyer pa marrë asnjë çmim…”.

Foto per liber 1

Rudolf Marku, kur i shkroi këto radhë për romanin e parë të Ada Çapit, veç cilësisë së romanit, ka pasur ndërmend edhe vëmendjen e autores që zgjodhi të bëhej farmaciste, kur merrte pjesë në rrethet letrare të qytetit të Lezhës. Nga ajo kohë, me gjithë pasionin për letërsinë, Ada u shkëput nga të shkruarit e poezive a tregimeve të para të fëmijërisë për t’iu rikthyer sërish, e bindur dhe e vendosur, vite më vonë. Një farmaci e re dhe moderne hapet në lagjen më të vjetër të Tiranës dhe pikërisht në një rrugicë “të gjerë nga njëra pasqyrë e ‘Benz’-it të fundit te tjetra”.

E qetë në dukje, me rregullat e saj të pashkruara, rrugica fsheh sekrete qindravjeçare rrëqethëse, që bien mbi vajzën si evente të njëpasnjëshme. Evente që vijnë nga e kaluara e largët apo e afërt, që duket sikur s’kanë asnjë lidhje mes tyre; i vetmi faktor i përbashkët, bëhet fjalë për vajza martire… Pse pikërisht kjo vajzë farmaciste është nyja ku ndërthuren? Kush është në të vërtetë ajo dhe pse ka ikur në Itali në një natë marsi 1997? Të gjitha përgjigjet jua jep “Morphina”.

Çfarë i ndodh një farmacisteje që ulet të shkruajë?

Gjithmonë kam shkruar, që herët, në shkollë tetëvjeçare, kur ndoshta shkruajnë të gjithë e siç të gjithë bëjnë, u shkëputa. Studiova më pas në Itali, për farmaci, por marrëdhënia me gjuhën më lidhi shumë me letërsinë dhe kuptova që më pëlqente shumë narrativa bashkëkohore. Sigurisht në italisht gjeja shumë materiale për të lexuar, madje ende e quaj veten lexuese, jo shkrimtare, por më kanë ndihmuar shumë disa rrethe virtuale lexuesish. Ky ishte fillimi, përmes leximit, më pas kam nisur të shkruaj tregime të shkurtra, që një ditë mund t’i mbledh.

Kur i shihni me syrin e sotëm, mendoni se vlejnë ende të botohen?

Nuk janë aq të hershme, disa prej tyre po, mund të botohen. Atëherë shkruaja me emër tjetër, por disa prej tyre janë vlerësuar kështu që e kanë kaluar një lloj testi.

Pse me emër tjetër, pasiguri?

Jo, për shkak të mbiemrit që ishte Çapi dhe atje nuk e shkruanin e shqiptonin dot, e bënin Kapi. Pas tregimeve, kur erdha në Shqipëri, i vura vetes kufij që deri në moshën 40-vjeçare duhet të shkruaja patjetër një roman.

A kanë kuptim këto “urdhra” kur flitet për frymëzim?

Kjo është pjesa ime e ndikuar nga farmacia. Mendoj që, nëse ke pasion ta bësh një gjë, duhet ta gjesh patjetër vullnetin për ta bërë. Unë them që gjithandej duhet vullnet. Fillova të punoja në një farmaci ku kisha mjaft kohë të lirë dhe nisa të futem në kurse online për të shkruarin. Mora aty disa udhëzime të përgjithshme dhe nisa të mbaja skeda. Qëllimi im ishte të shkruaja një libër tjetër, jo këtë që doli, mirëpo personazhet ishin ata që hynin e dilnin në farmacinë time. Me imagjinatën time fillova t’i tjetërsoj, t’i zbukuroj apo shëmtoj…

Ndodhi gjithçka në mënyrë të vetvetishme?

Në mënyrë krejt spontane. Unë u nisa për të mbledhur histori, por rezultoi krejt ndryshe. Përveç faktit që shkruhet në vetën e parë, ka shumë elementë autobiografikë në roman. Për mua, personazhi kryesor nuk është farmacistja por lagjja, gjithë jeta që gëlon aty. Pastaj si gjithë ata që vijnë nga jashtë përballen pak aty e reja dhe e vjetra, ato që ke lënë e ato që ke gjetur. Ndërthurjet e qendrave të internetit me shtëpitë me qerpiç. Ka elementë të ikjes në ’97 e rikthimit në 2011. Pra është një pamje e Shqipërisë që vuan të shkuarën, të tashëm dhe pastaj është Tirana, qyteti që gjithnjë e urren, e do…

morphina kopertina

Vazhdoni të punoni si farmaciste?

Po, patjetër.

Si ishte subjekti fillestar i librit?

Ishte krejt tjetër por, meqenëse po e ruaj për librin e dytë, nuk po zbuloj ende gjë. Megjithatë jam e kënaqur edhe me këtë drejtim që morën gjërat.

Pse nuk studiuat për letërsi?

Unë i kam dashur gjithnjë shkencat. Kam marrë pjesë edhe nëpër olimpiada shkencore. Letërsia për mua ka qenë si dyzimi, por i fshehur.

A shërben shkollimi shkencor në letërsi?

Unë them që është vlerë e shtuar, pse jo. Në Itali më bënë një vërejtje të bukur. Në njëfarë pike, për t’iu dorëzuar Tiranës, personazhi kryesor lë mbrapa gjithë shkencat dhe përqafon homeopatinë si një shkencë që ka pak racionale dhe pikërisht në këtë qëndron paralelizmi i shkencës dhe arsyetimin në të dashurin e vendlindjes. Po kërkove me logjikë ta duash Tiranën, nuk e bën kurrë. Ndihem shumë mirë në këtë dyzim.

Megjithëse u larguat nga Italia, në një mënyrë, keni dashur të riktheheni sepse e përkthyet librin atje…

Ah kjo ka qenë një situatë ndryshe nga ç’mendohet. Në gjysmën e tij të parë, libri është shkruar në italisht. Kur e nisa, isha e bindur që do ta shkruaja në italisht, mirëpo kur u ktheva e shkrova pjesën tjetër në shqip. Vetëkuptohet që faza e përkthimit ishte thuajse e gatshme po të konsiderojmë edhe ndihmën e tim shoqi. Në Itali më pyetën se në ç’gjuhë e kisha shkruar. Edhe ky është një tjetër dyzim që më ka ndihmuar.

Përveç çmimit të tretë “Kadare” në Shqipëri, morët edhe një tjetër në Itali?

Italia ka shumë çmime, mbase më shumë se ç’i duhen. Unë e zgjodha atë “Nabokov” për shkak të vjetërsisë e traditës. Është çmim që vlerëson librat e pabotuar e të botuar. Mora çmimin e jurisë. Ishte bukur, por mbi të gjitha, atje është i bukur bashkimi që u bën letërsia njerëzve që shkruajnë e lexojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura