A po nxit Rama një skemë konflikti?

Apr 4, 2018 | 18:19
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Për gjithë qytetarët, qofshin opozitarë, mbështetës të qeverisë apo të parreshtuar fare politikisht, janë sot të qarta tri gjëra:

E para, Rama dhe qeveria e tij nuk kanë bërë asnjë dëgjesë publike me banorët e Kukësit dhe të zonave të tjera ku kalon Rruga e Kombit, para se të bënin fakt të kryer tarifat e kësaj rruge.

E dyta, fillimi i kalimit me pagesë i gjeti plotësisht në hava, të papërcaktuara, të pakalendarizuara, pra, jashtë fuqisë, tarifat e veçanta, bonuset apo përjashtimet për invalidët, për vendasit që kanë shtëpitë e banimit në fshatrat ndanë rrugës, për banorët dhe personat e tjerë, që puna ua do të udhëtojnë shpesh në këtë rrugë.

E treta, rrugë alternative pa pagesë që kalon paralel me autostradën me pagesë, nuk ka. Rruga e vjetër e Kukësit që “i bie nga Kina”, siç thonë vendësit, kushton edhe më shtrenjtë se 5 euro në vlerë dhe në kohë dhe prandaj nuk mund të quhet alternative.

Nëse qeveria e quan, minimalisht duhej të ishte bërë gati për këtë ditë, pasi në shumë fragmente është e rrënuar. Rama me shokë i vunë banorët e Kukësit para faktit të kryer, në shpërfillje të plotë të detyrimeve të lartpërmendura. Kampioni i dëgjesave propagandistike u bëri bisht dëgjesave problematike me qytetarët. Dhe nuk i vjen rëndë të referojë pa pushim një studim apo një praktikë të ndërprerë nga qeveria e mëparshme e Sali Berishës për tarifimin e Rrugës së Kombit.

Duke injoruar faktin se ajo qeveri u tërhoq në reflektim të kundërshtimeve dhe studimeve të bëra në atë periudhë. Pra, nëse do të konsultohej sot si përvojë, mund të konsultohej për të mos e vënë traun dhe jo e kundërta. Për të përligjur tarifat arbitrare që po u plasin në duar, kanë venë në lëvizje edhe makinën e dërdëllitjeve qesharake, të tipit “rrugët duan lekë të mirëmbahen”. A thua se shqiptarët nuk kanë paguar e paguajnë asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe tani ka ardhur koha të fillojnë të japin edhe ata ndonjë lekë.

Në fakt, siç dihet, shqiptarët paguajnë për mirëmbajtjen e rrugëve një taksë të qarkullimit, që është trefishuar gjatë viteve të qeverisjes së Ramës. Kjo taksë u merret në çmimin e karburantit, që për këtë arsye është më i larti në rajon e me gjerë (Këtu nuk po përmendin taksën e kolaudimit të makinave dhe gjobat masive, që shkojnë edhe ato në buxhetin e shtetit). Mirë që nuk pyetën njeri e s’duan t’ia dinë për pasojat që do të sjellin këto tarifa; mirë që nuk e vranë mendjen e nuk bënë asgjë për të shumëfishuar vlerën e Rrugës së Kombit, duke e shndërruar në një korridor rajonal përmes ndërtimit me koncesion të një porti të madh tregtar në Shëngjin, por nuk kanë turp të thonë për kamionistët dhe njerëzit e thjeshtë në protestë, shprehjen e tmerrshme “s’kanë nga t’ia mbajnë”!

Jemi në të njëjtën histori të qeverisjes arbitrare, ku populli nuk ka zë në kapitull. Po çfarë u mbetet qytetarëve kur shpërfillen, kur ofendohen, kur u mbyllen të gjitha rrugët, kur vihen para faktit të kryer? Përgjigjen e kësaj pyetjeje gjithkush e di. Me përjashtim të atyre që kujtojnë se populli është sovran vetëm në letër. Taksat dhe tarifat janë nervi i jetës ekonomike, politike dhe shoqërore në vendet e lira.

Mjafton të kujtojmë një fakt të madh të historisë së botës dhe civilizimit: Reagimi nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë i banorëve rebelë (sons of liberty- djemve të lirisë) të kolonive amerikane kundër taksave të Parlamentit anglez qëndron në origjinë të lindjes së një vendi dhe shteti të madh, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Betejat më të mëdha parlamentare dhe jashtëparlamentare në vendet perëndimore bëhen për politikat fiskale. Kushtrimi i taksave dhe tarifave të papërballueshme do të mbërrinte se s’bën dhe po mbërrin edhe në Shqipëri.

Tarifat arbitrare të Rrugës së Kombit, taksat rrënuese për biznesin e vogël dhe shumë taksa të tjera që Rama dhe të ngjashmit e tij i caktojnë pa e vrarë mendjen, në shkelje flagrante edhe të premtimeve të tyre elektorale, janë shprehje e mendësisë së vjetër enveriste për pushtetin dhe shtetin, ku drejtuesi ndihet sundimtar dhe bën çfarë t’i thotë mendja e tij. E thoshte shumë bukur dje, në një artikull të tij drejtori i gazetës “Mapo”, Ervis Iliazaj. Pasi ka vënë taksa të larta tipike për një majtist, Rama po vendos edhe taksa të djathta. Por pa i ulur të parat.

Iliazajn e shkolluar në Perëndim e habit ky lloj eklektizmi i Kryeministrit. Në fakt, kjo është mënyra tipike e drejtimit të vendit me mendësi sundimtari. Kjo mendësi ishte në harmoni me sistemin në diktaturë ku shteti i merrte përsipër të gjitha. Por është në kontradiktë antagoniste me sistemin demokratik të lirive, të drejtave dhe shtetit ligjor. Ndaj, nuk duhet të habitet njeri që qytetarët dhe sipërmarrësit ngrihen e do të ngrihen. Përkundrazi. Do të ishte mjerim i plotë po të mos ngrihen.

Pikëpyetja që vjen në analizë në këtë moment, është kjo: pse, dreqin, këto tarifa dhe taksa provokuese po vendosen në një periudhë kur Shqipëria ka nevojë të kapë sa më qetë të jetë e mundur kohën e ngritjes së organeve të reja të Drejtësisë, të SPAKU-it dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në radhë të parë? Po të shikonte pak më larg se rreth e rrotull vetes dhe po të ishte vërtetë flamurtar i Reformës në Drejtësi, siç reklamon të jetë, këto llogari duhet t’i bënte i pari Kryeministri i vendit.

Edhe më parë, përgjatë gjithë procesit të draftimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, Rama nuk ka lënë rast pa shfrytëzuar për t’i vënë bishta reformës, duke provokuar me përpikmëri, si toreadori demin, reagimin e opozitës. Kur kjo ndodh njëherë, është rastësi. Kur përsëritet disa herë, vetvetiu merr formën e një skeme konflikti. S’ka shumë rëndësi, është e qëllimshme apo ku rafsha mos u vrafsha.

Një shtetar i mirë ndjek përparësitë e vendit, të cilat i shërben me urtësi dhe durim, duke marrë në konsideratë gjendjen në përgjithësi. Tarifat në Rrugën e Kombit apo taksat për biznesin e vogël dhe disa ngjarje të tjera që po ushqejnë konfliktin politik të ditëve të fundit nuk kanë asnjë lloj urgjence në krahasim me fillimin e drejtësisë së re dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Që mund të zhurmohen apo edhe të shtyhen në kohë nga skemat e konfliktit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura