A ka interes Rama e Meta për të? Flet Mhill Fufi: Pse votova pro buxhetit

Dec 3, 2016 | 8:22
SHPËRNDAJE

Deputeti i përjashtuar nga Partia Demokratike, Mhill Fufi, e cilëson buxhetin e vitit 2017 të sjellë nga maxhoranca në Parlament më të mirë se tre buxhetet e mëparshme. Në një intervistë për “Panorama”, Fufi shpjegon se vota e tij për buxhetin nuk ka lidhje me një përfshirje të tij të re në një forcë politike.

Mhiill FUFI

Ish-deputeti demokrat shpjegon edhe angazhimin që do të ketë në Parlament si deputet i pavarur dhe marrëdhëniet që ka me ish-drejtuesit e forcës së tij politike. Partia Demokratike përjashtoi më 3 nëntor Mhill Fufin nga Grupi Parlamentar i saj, pas pjesëmarrjes së tij në votimin e ligjeve të sjella në Kuvend nga maxhoranca.

Ka ndonjë lëvizje apo qëndrim tuajin të ri që keni marrë pjesë në votim dhe keni votuar pro buxhetit?

Jo, jo, absolutisht asnjë lëvizje.

Atëherë, si duhet kuptuar prezenca juaj e djeshme dhe vota pro buxhetit e sjellë në Parlament nga maxhoranca?

Ashtu e gjykova, nuk ka asgjë për t’u çuditur. E votova buxhetin sepse këtë vit më është dukur një buxhet i mirë. Më është dukur një buxhet më i mirë se ai i tri viteve të tjera dhe ndaj vendosa ta votoj.

Pasi keni votuar dje në Parlament njësoj si maxhoranca, a keni pasur ndonjë kontakt me Kryeministrin Rama? Po me kryetarin e Kuvendit, Meta?

Jo, asnjë kontakt. Ai është vendimi im personal. Ata nuk kanë asnjë interes, sepse ata i kanë votat e tyre edhe pa mua.

Po pas largimit nga Partia Demokratike, a keni pasur ndonjë ofertë politike, apo ndonjë negociatë për t’u bërë pjesë e ndonjë formacioni të ri politik?

Kënaqësia më e madhe është kur je kështu i pavarur. Ndaj, edhe nuk jam marrë as me negociata edhe as me oferta. Nuk kam pasur qëndrim të ri, pasi jam më mirë kështu siç jam, si i pavarur.

S’keni pasur asnjë kontakt as me kreun e PD-së, Lulzim Basha?

Jo, as me atë nuk kam pasur asnjë kontakt.

Do të kandidojë Mhill Fufi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Nëse po, me cilën forcë politike do t’ju shohim në fushatë?

Jam akoma në vazhdim të një mandati. Të mbarojmë këtë mandat deputeti njëherë dhe pastaj në zgjedhjet e ardhshme të shikoj se cila do të jetë vendimmarrja që do të kem. Pastaj, sigurisht që parësore do të kem punën time, punën e biznesit. Politika është e vështirë.

A keni pasur më kontakte me drejtues të PD-së që nga vendimmarrja e fundit për t’ju përjashtuar nga ajo forcë politike?

Jo, jo, asnjë kontakt. Siç thuhet në gjuhën popullore, ne jemi burra dhe kur thuhet “po” është “po”, dhe po u tha “jo” është “jo”, nuk ka më kthim prapa.

Pra, nuk ka asnjë afrimitet me asnjë forcë politike nga ato që bëjnë pjesë në maxhorancë?

Jo, jo. Kam vendosur të jem vetëm, i pavarur.

JUXHIN MUSTAFARAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura