A janë partitë e reja demokracia e vërtetë në PD?

Oct 29, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

JULIAN ZYLA

julian-zyla

Partia e re në ndërtim e sipër e ish-Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, legjitimoi partitë e reja në ndërtim e sipër të dala nga radhët e Partisë Demokratike. Çfarë do të ndodhë me to dhe me Partinë Demokratike? Çfarë i sjellin ato debatit publik? Çfarë do të duhet t’i sillnin?

A është kjo demokracia e vërtetë në PD? PD-ja ka rritur ego të mëdha, si parti e madhe që ka qenë gjithmonë. Kur këto ego dalin nga Partia, a mund të mendojmë se zvogëlohen? Tentativa për t’i reduktuar në vendimmarrje e më pas në pjesëmarrje këto ego brenda partisë mund të përfundojë vetëm me fryrje të mëtejshme të tyre: nga individë partiakë, në parti individuale. A do të fitojnë?

Kjo mbetet për t’u parë, siç ka ndodhur më herët në të dy krahët. A janë në të drejtën e tyre? Mbetet për t’u parë se çfarë mund të thuhet kundër një veprimtarie brenda rregullave të lojës, nga ata që i lanë jashtë lojës, në emër të rregullave të lojës. Çfarë do të ndodhë me PD-në?

Sfida për Partinë Demokratike është të këtë një reagim që qetëson elektoratin e saj se rrjedhja e individëve nuk është rrjedhje legjitimiteti. Nëse të ikurit me parti të reja do të ishin një ose dy, me gjasë janë probleme të individëve. Por kur janë minimumi dy ish-nënkryetarë, “problemi është i qendrës” mund të mendohet. Në këto kushte, PD-ja duhet të këtë një reflektim dhe një qasje civile.

Çdo reagim tjetër do ta kalonte nga viktimë e situatës, në agresor, në sytë e votuesve të saj. Çfarë do të ndodhë me këto parti? Së pari, do të duhet të marrin vendimin nëse dhe se si do të faktorizohen me anë të bashkëpunimit. Dihet që bashkimi nuk është i lehtë. Por dihet që secili më vete mund të bëjë lajm, por jo deputetë. Sfida për këto parti është që të fitojnë legjitimitet duke qenë kopja e PD-së që do të donin. Votuesin e djathtë e njohin: çfarë pret ky elektorat më tepër nga PD-ja? Ajo është përgjigja që u duhet.

Çfarë i sjellin këto parti debatit publik? Një temë të re interesante. Një skenar për t’u ndjekur. Luftë temperamentesh. Luftë fytyrash. Përplasje kujtimesh, pretendimesh. Çfarë do duhej t’i sillnin këto parti debatit publik? Luftë idesh. A është kjo demokracia e vërtetë në PD? Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjen vetëm votuesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura