A ishte akt terrorist sulmi ndaj autobusit të nxënësve në Kosovë? Flet zëvendëskomandanti i policisë së Pejës

Nov 27, 2021 | 9:18
SHPËRNDAJE

Tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit, kanë konfirmuar autoritetet e rendit në Kosovë.

SULMI GLLOGJAN

Të shtënat kanë ndodhur të premten, në orët e mbrëmjes.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.

Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se një person i plagosur në incident ndodhet në këtë spital dhe se gjendja e tij është stabile.

Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Ai ka thënë se në mesin e tre të vrarëve janë dy nxënës shkolle dhe shoferi i autobusit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.

Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.

Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.

Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura