A është i mundur integrimi dhe zhvillimi ekonomik në Shqipëri?

SHPËRNDAJE

KLODIAN MUÇO klodian-muco-770x433

Për afro tri dekada, shumi ca e politikanëve dhe ekonomistëve kanë gënjyer vazhdimisht për gjendjen ekonomike dhe integrimin. Ata përsërisin vazhdimisht deri në neveritje se duhet kohë dhe shumë para për t’u zhvilluar ekonomikisht. E vërteta është krejt ndryshe, paratë janë, por ato  shpërdorohen. “Sistemi shqiptar” duhet riformuar, pasi është vetë sistemi shkak i varfërisë, i papunësisë dhe i frenimit të rritjes ekonomike.

Vendi ynë ka ngecur në një mors të përbërë nga katër stade “shtrëngimi”: paaftësi në nivelet drejtuese, burokraci e lodhshme, korrupsioni dhe infrastrukturë antike.

E nisim nga paaftësia. Jemi i vetmi vend në Europë, që nuk kemi një sistem vlerësimi funksional në rekrutimin e stafit të administratës publike.

Rreth 20% e klasës drejtuese në administratën publike ka të paktën një diplomë nga universitet e mbyllura.

Me taksat tona paguajmë deputetë analfabetë, që vendosin për fatin dhe të ardhmen tonë.

Burokracia shërben për të forcuar pozitat e politikanëve dhe funksionarëve publikë, ajo shërben si bazë për të favorizuar klientelën.

Pjesa dërmuese e administratës publike është e mbushur me militantë partie të paaftë dhe “yes man”.

Burokracia u vendos një taksë të fshehtë bizneseve që punojnë në pastërti, këtë gjë e bën me anë të vizitave të shumta të inspektorëve publikë në bizneset në fjalë apo me anë të konkurrencës së pandershme.

Burokracia “dënon me vdekje” që në lindje projektet e reja, frenon drejtësinë, dekurajon investitorët e huaj.

Burokracia, që me anë të funksionarëve publikë të paaftë, e bën të vështirë thithjen e fondeve nga BE-ja.

Një faktor tjetër që stimulon varfërinë në vend dhe pengon integrimin është korrupsioni.

Vendi ynë promovon kryesisht njerëzit e pandershëm. Bizneset e vogla mund të mbyllen edhe për mungesën e lëshimit të një kuponi tatimor nëse e përsërisin si veprim. Ndërsa ata që bëjnë evazion fiskal me miliona euro apo i kanë detyrime shtetit me dhjetëra milionë euro, institucionet përgjegjëse i lënë të punojnë në qetësi.

Qeveria thotë se s’kemi para e për këtë arsye “zgjedhim” PPP apo koncesionet, por nga ana tjetër rezulton se ka pasur raste kur pagesat vjetore të përfituara nga privatët janë shumë më të larta se investimi fillestar i tyre.

Sipas KLSH-së, administrata shtetërore, në 9 muajt e parë të 2018-ës, nga shkeljet dhe abuzimet, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën e 957 milionë eurove, ndërkohë që buxheti i shtetit për 2018 ishte 3.73 miliardë euro. Pra, ¼ e buxhetit shpërdorohet.

Me dhjetëra milionë euro në vit shkojnë për heqjet e padrejta nga puna. Ndërkohë që qeveria nuk preokupohet për shpërdorimet në fjalë, por preokupohet që të reduktojë numrin e personave që përfitojnë ndihmë sociale në mënyrë të padrejtë.

Sipas KLSH-së, financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, pra, borxhi publik teorikisht është rreth 2% më i lartë se ai që deklaron ministria përkatëse.

Në Shqipëri, të pandershmit me kostum dhe kollare përbëjnë më pak se 0.1% të të burgosurve, ndërsa mesatarja europiane është 10%.

Sipas një sondazhi të realizuar në 2017, rreth 84% e kompanive shqiptare konfirmuan se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve, ose ndonjëherë. Ndërsa në Maqedoni, kjo përqindje është shumë më e ulët, ku 54.4% e bizneseve të anketuara konfirmojnë se praktikat e ekonomisë së fshehur përdoren në sektorin e tyre në mënyrë “konstante”, “në shumicën e rasteve”, ose “ndonjëherë”. Nëse do ndjekim metodologjinë e studimit “the tax research LLP”, del në pah se në Shqipëri evazioni fiskal është 529 euro për frymë. Kjo shifër është sa 13% e GDP-së për frymë të Shqipërisë.

Niveli i evazionit në raport me GDP-në për frymë e rendit Shqipërinë të parën në Europë, lë mbrapa edhe Italinë që është e para në BE për evazion me 3156 euro për frymë, apo sa 11% e GDP-së për frymë.

Në fund, por jo nga rëndësia, është infrastruktura antike. Nga një anë kjo e fundit mban “larg tregut” produktet bujqësore, por jo vetëm, nga ana tjetër frenon investimet private dhe investitorët e huaj.

Qeveritë, ndër vite, kanë çuar pjesë të konsiderueshme të investimeve publike për përmirësimin e infrastrukturës. Por cilësia e ulët e punimeve dhe korrupsioni i lartë e ka bërë të pamundur zgjidhjen e këtij fenomeni, i cili është po aq i lashtë sa edhe vetë tranzicioni ekonomik i vendit.

Për të konkluduar, mund të themi se të zhvillosh ekonomikisht një vend dhe për ta integruar atë, nuk nevojitet shkopi magjik, nuk nevojitet po ashtu edhe mëshira e drejtuesve të ndryshëm të BE-së. Duhet luftuar burokracia dhe premiuar merita. Duhet luftuar evazioni fiskal për të rritur nivelin e të ardhurave fiskale si dhe për të rritur investimet publike.

Duhet luftuar korrupsioni me qëllim që të ulen shpërdorimet dhe “hedhja poshtë” e parave publike. Nevojitet, po ashtu, një përmirësim i shpenzimeve publike. Por mbi të gjitha, nevojitet dënimi i të gjithë atyre që shpërdorojnë paratë publike.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.