30-vjetori i vizitës së parë të një Sekretari amerikan të Shtetit në Shqipëri/ ‘Freedom works’, mesazhi i Xhejms Bejkerit në Tiranë

Jun 23, 2021 | 12:24
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Vizita e parë e një Sekretari amerikan të Shtetit, James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991, i cili u prit nga afro 300 mijë njerëz, ishte shpresa e madhe e shqiptarëve që sapo kishin dalë nga sistemi komunist 45-vjeçar.

xhejms bejker4

Për shqiptarët që kishin një periudhë të gjatë në komunizëm, të privuar nga e drejta e mendimit, fjalës dhe pronës, mesazhi i Sekretarit Baker, “liria jep rezultat” ishte epilogu i zhvillimeve demokratike që do të ndodhnin në Shqipëri në vitet në vazhdim. Në 30-vjetorin e vizitës së James Baker në Tiranë, ambasadorja e SHBAsë në Tiranë, zonja Yuri Kim, shprehet se edhe pas 30 vjetësh SHBA-ja është krah për krah me Shqipërinë.

Ajo citoi pasazhe nga fjala e mbajtur nga James Baker, i cili iu drejtua turmës me: “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”.

“Si sot në histori, ne përkujtojmë 30-vjetorin e zyrtarit të parë të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara që vizitoi Shqipërinë pas periudhës së saj të gjatë të izolimit.

Më 22 qershor 1991, qindra mijëra shqiptarë u derdhën në sheshin kryesor të Tiranës duke brohoritur ‘SHBA! SHBA’! Sekretari i Shtetit James A. Baker III iu drejtua turmës së entuziazmuar, duke iu thënë njerëzve, ‘Në emër të Presidentit Bush dhe popullit amerikan, unë jam sot këtu për t’ju thënë: Liria funksionon. Më në fund, ju jeni të lirë të keni mendimet tuaja. Më në fund, ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund, ju jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj… Mirë se vini në shoqërinë e burrave dhe grave të lirë kudo, ashtu siç Krijuesi ynë donte që ne të ishim. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju’.

xhejms bejker

Sot, 30 vjet më vonë, Shqipëria është akoma me Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara janë ende me Shqipërinë, krah për krah!”, shkruan zonja Kim. Ish-presidenti i Republikës, Sali Berisha duke kujtuar këtë ditë, shkruan në facebook se James Baker vizitoi Tiranën më 22 qershor 1991 pas ftesës që ai i kishte bërë sekretarit amerikan të Shtetit.

“30 vjetori i vizitës historike të Sekretarit Baker në Shqipëri. Në këtë vizitë do të sillte mesazhin epik për shqiptarët: Liria funksionon. Në një mbështetje të hapur për forcat antikomuniste Sekretari Baker do deklaronte në parlament se erdhi në Shqipëri me ftesë të Sali Berishës, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë!”, shkruan Berisha.

ARKIVAT

Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar disa foto nga 22 qershorit i vitit 1991. 30 vjet më parë (22 qershor 1991) vizitoi Tiranën Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker. Ai ishte zyrtari i parë i lartë amerikan që do të vinte në Shqipërinë postkomuniste, në ditët e para të pluralizmit, që shënonte dhe rrëzimin e diktaturës komuniste. Ajo vizitë tregonte se lidhjet me SHBA-në kishin mbetur gjallë te populli shqiptar. Rreth 300,000 shqiptarë mbushën sheshin “Skënderbej”, duke i rezervuar një pritje madhështore, e ngulitur në kujtesën e të gjithëve.

xhejms bejk5

Populli ishte ngjeshur në sheshin kryesor të Tiranës për të dëgjuar fjalën e Sekretarit amerikan. Baker tha në fjalën e tij: “Për llogari të Presidentit Bush dhe të popullit amerikan, vij këtu sot për t’ju thënë se: Liria funksionon…

Më në fund jeni të lirë të flisni atë që mendoni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Shqiptarët kanë zgjedhur t’i bashkohen shoqërisë së njerëzve të lirë të të gjithë botës. Mirë se vini në shoqërinë? e burrave dhe grave të lira, ashtu siç kërkonte të ishin dhe krijuesi ynë. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju.”

Sekretari amerikan i Shtetit iu drejtua popullit shqiptar në lidhje me mikpritjen e treguar ndaj tij me këto fjalë: “Kam 14 vjet në politikë dhe nuk besoj se kam parë ndonjëherë? një pritje të tillë. Kjo e bën gjithçka më të jashtëzakonshme. Kjo shprehje dashamirësie dhe mbështetjeje vjen prej asaj që Amerika përfaqëson për popuj që nuk kishin prej shumë kohësh asgjë ku të shpresonin”. Kujtojmë me këtë rast se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë? dhe SHBA-së e kanë pikënisjen e tyre më 28 korrik të vitit 1922.

xhejms bejhker

Më 15 mars të vitit 1991 këto marrëdhënie u rivendosën dhe William Rajerson është ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe. Sekretari amerikan i Shtetit James Baker e vizitoi Shqipërinë tre muaj pas rihapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë. Dokumenti bashkangjitur është letër e z. Tahir Kërrnaja dërguar sekretarit të Departamentit të Shtetit James Baker. Ndodhet ne fondin e AQSH-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura