“Harry Potter”, magjia e fundit, në Tiranë

Jul 15, 2011 | 10:20
SHPËRNDAJE

Magjia e fundit do të ndodhë sot edhe në Tiranë. Sot nis projeksioni i finales epike mes të mirës dhe forcave të së keqes në botën e Harry Potterit. Sot, pothuajse në mbarë botën, fansat e kureshtarët e kësaj sage do të kenë mundësinë të shikojnë fundin e sagës që për një dekadë të tërë shoqëroi adoleshentët duke u bërë pjesë e jetës së tyre. Po sot, kjo finale do të shfaqet edhe në kinema “Millenium”. Pas premierës së 8 korrikut në Londër, ku mijëra adoleshentë ishin mbledhur për të parë në tapetin e kuq protagonistët e filmit, Daniel Radcliffe, Emma Watson, Rupert Grint, Ralph Fiennes, Helena Bonham Carter, ka shtuar edhe më kuriozitetin për filmin, i cili për herë të parë, veç formatit standard, do të shfaqet edhe në 3D. Arkëtimet e këtij filmi mendohen të jenë marramendëse. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada mendohet të shkojnë nga 125 milionë dollarë në 150 milionë, sipas analistëve. Ndërkohë që rekordin për filmin më të mirë në fundjavën e parë e mban “The Dark Knight” 2008, që mblodhi 158.4 milionë dollarë në tre ditë. “Harry Potter and the Deathly Hallows, Part 2”, vjen me regji të David Yates, skenar të Steve Kloves dhe autores milionere të librave me të njëjtin emër, J.K. Rowling.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura