Zyrat e reja, nis të popullohet selia e PD-së

Jun 29, 2013 | 10:23
SHPËRNDAJE

Patozi, Noka e Bode me ambiente të veçuara nga zyrtarët e tjerë.

Selami në një kat me Berishën, priten funksionarët e rinj.

Dalja në opozitë e Partisë Demokratike ka populluar më shumë se çdo herë tjetër në tetë vitet e fundit selinë blu. E rikonstruktuar tre vjet më parë, godina e re e demokratëve prej disa ditësh ka pritur funksionarët e saj më të lartë, të cilët u janë rikthyer zyrave të lëna bosh kur demokratët morën pushtetin në vitin 2005. Të qenit edhe pak ditë një parti në pushtet kuptohet lehtësisht nga prezenca e punonjësve të Gardës së Republikës, të cilët gjenden në të tria katet e godinës. Kati i parë i saj duket si i prerë me ‘thikë’ për shkak se gjysma e tij, sektori i organizimit, është në çdo kohë e populluar, ndërsa gjysma tjetër, ku janë edhe zyrat e Ferdinand Ponit e Njazi Kosovrastit duket ende e shkretë. Teksa ngjit katin e dytë, në krahun e djathtë të shkallëve gjendet zyra ku zakonisht mbahen mbledhjet e Këshillit Kombëtar. Salla më e madhe e kësaj godine është e rikonstruktuar dhe e mobiluar mirë. Në krahun e majtë të shkallëve gjendet salla e konferencave të shtypit, por tashmë e kthyer në një zyrë pune për punonjësit e kësaj partie. Korridori ngjitur me këtë sallë ka zyrat e krerëve të forumeve të PD-së. Aty gjendet e zyra e Gerti Bogdanit, sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, zyra e Greta Koçit, nënkryetare e forumit rinor, por edhe zyra e Albana Vokshit, kryetare e Forumit të Gruas Demokrate. Më familjari i këtij kati kuptohet lehtësisht që është Bogdani. Rikonstruksioni i godinës në tërësi ka prekur edhe mobilimin e brendshëm të këtyre zyrave, të cilat janë të pajisura me kompjuterë, televizorë dhe kondicionerë. Aty gjenden gjithashtu edhe të disa zyra të cilat herë pas here përdoren për mbledhjet e FRPD, por që në shumicën e kohës qëndrojnë të mbyllura. Pjesa “VIP” e godinës është kati i tretë. Në këtë kat janë zyrat e funksionarëve më të lartë demokratë. Të gjitha të rikonstruktuara dhe të papërdorura për shkak se zyrtarët e lartë demokratë kanë preferuar zyrat e shtetit. Aty gjendet zyra e kryetarit të Partisë Demokratike. Përpara se të hysh në zyrën e Berishës duhet të kalosh përmes një paradhome dhe më pas të ngjisësh tri shkallë. Si për ritual, Berisha qëndroi për pak minuta në zyrën e tij përpara se të mblidhte kryesinë. Në një cep më vete të godinës gjendjen zyrat e Flamur Nokës, sekretar Organizativ i PD-së, Ridvan Bodes, sekretar i Përgjithshëm dhe Astrit Patozit, nënkryetar i demokratëve. Zyrat e tyre janë veç pjesës tjetër, të ndara edhe me një derë druri. Të tre dolën prej andej për të qëndruar pak minuta në hollin e këtij kati në pritje të ardhjes së Berishës. Ndërsa nënkryetarja tjetër e demokratëve, Jozefina Topalli, ka vazhduar të mbajë zyrën në cepin e një korridori të gjatë, fare pak metra nga zyra e kryetarit Berisha. Pasi përshëndeti anëtarët e kryesisë, kryeparlamentarja iu drejtua tryezës së saj të punës përpara mbledhjes. Pranë saj gjendet edhe zyra e sekretarit për Organizatat Partnere, Gent Strazimiri, i cili dje ishte ndër të parët që erdhi në selinë blu. Afër tij gjendet zyra e sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD, Ilir Rusmali, i cili dje nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Kryesisë së demokratëve. I rikthyer pak muaj më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Eduard Selami ka marrë gjithashtu një zyrë në katin e tretë të selisë blu. Megjithatë, zyrtarët e kësaj partie thonë se ajo është një zyrë e programuar për të qëndruar disa deputetë demokratë. Një zyrë e ka edhe sekretari për ekonominë Edmond Spaho, i cili deri para pak javësh preferonte zyrën e kryetarit të komisionit të Ekonomisë në Parlament. Të ardhura së fundmi në PD, dy zëdhënëset, Laura Vorpsi dhe Silvi Bardhi, janë sistemuar me një zyrë edhe ato në katin e tretë, përballë paradhomës së kryetarit të partisë. Megjithatë, pavarësisht faktit se zyrtarët demokratë kanë nxituar të rikthehen në zyrat e kyçura prej vitesh, lidershipi i ri, siç deklaroi Kryeministri Berisha, duket se do të reformojë edhe këtë pjesë të Partisë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura