Zjarret, MB: 21 vatra aktive në të gjithë vendin

Aug 31, 2012 | 20:49
SHPËRNDAJE
Zjarret në Lurë

UPDATE- Shqipëria vazhdon të jetë e pushtuar nga zjarret, ndërsa edhe ditën e sotme nuk ka qenë e mundur ndërhyrja nga ajri. Ministria e Brendshme njofton se në të gjithë vendin janë 21 vatra aktive zjarri. Sipas MB-së sot janë evidentuar disa vatra të reja, ndërsa disa të tjera janë riaktivizuar.

Operacionet nga ajri nuk kanë qenë të mundshme për shkak të kushteve atmosferike dhe reve të tymit mbi vatrat e zjarreve. Duke iu referuar prashikimit të Shërbimit Meteorologjik, ku pritet përmirësim i mundshëm i vizibilitetit, çka sipas MB-së, do të krijojë mundësi për rifillimin e operacioneve nga ajri.

Në zonën verilindore dhe në Malin e Dajtit, edhe gjatë ditës së sotme, forcat e PMNZSH-së, atyre të Armatosura dhe Shërbimit Pyjor, kanë vijuar operacionet. Janë mbi 400 efektivë në terren, në mbështetje të forcave zjarrëfikëse dhe atyre të Shërbimit Pyjor.

Vatrat e zjarrit në të gjithë vendin

Qarku Dibër: Ka 4 vatra  zjarri aktive. Zjarri në “Liqeni i Bruçit” në Parkun Kombëtar Lurë është nën kontroll. Në orët e pasdites, në Klenjë, komuna Trebisht është shfaqur një vatër zjarri, në pyll të përzier dhe kullotë. Zjarri mbetet mjaft aktiv.

Një tjetër vatër e re zjarri e re është shfaqur në vendin e quajtur “Kulemath” në ekonominë pyjore Kacni, fshati Kacni, Komuna Selishte. Ndërsa zjarri në malin e Bejinit në “Vargmalin e Balgjajt” dhe në Skënderbeg, vazhdon me intesitet mesatar.

Zjarret në “Dhoks” Bulqizë,  fshatin Dragu Fushë –Studen,  Lene Martanesh “Kaptinë”  janë shuar plotësisht. Po kështu, zjarri i ardhur nga territori i Republikës së Maqedonisë, në afrësi të komunës Trebishtë, u shua plotësisht.

Qarku Elbasan: Ka 2 vatra zjarri aktive. Në rrethin Librazhd është aktiv zjarri në Malin e Raduzit, komuna Stëblevë. Në rrethin e Gramshit është aktive vatra e zjarrit në fshatin Tushaj, komuna Sult.

Qarku Korçë. Ka aktive 3 vatër zjarri. Situata në Parkun Kombëtar të Bozdovecit vijon të jetë problematike. Edhe gjatë ditës së sotme është operuar nga 164 forca të ushtrisë, forcat e pyjores, si edhe të komunitetit. U angazhuan edhe 2 mjete zjarrfikëse nga shërbimi i PMNZSH-së, pasi sepse zjarri rrezikoi të arrinte deri në rrugën e minierës (Fusha 1).

Në rrethin e Devollit, në zonën e malit të Elbit, mbi fshatin Hoçisht dhe mbi fshatin Bradvicë dhe Gjyres, komuna Hoçisht vatra e zjarrit e shafqur sot u vu nën kontroll.

Vatra e zjarrit në afërsi të fshatit Hondisht, komuna Trebinjë (Mokër), në rrethin e Pogradecit u riaktivizua gjatë ditës së sotme dhe mbetet aktive.

Qarku Kukës: Ka aktive 3 vatra zjarri aktive. Një vatër e re zjarri u shfaq gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë, mbi fshatin Kukaj, komunën Margegaj, dhe është tepër aktiv. Po kështu dhe zjarri në Dragobi, u riaktivizua gjatë ditës së sotme dhe vijon të jetë aktiv. Në Bjeshkët e Bardhocit në malin e Koretnikut, në komunën Tërthore vatra e zjarrit vijon me të njëjtin intesitet.

Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive, vetëm ajo në Malin e Dajtit. 250 efektivë të FA-ve, 50 forca të Shërbimit pyjor dhe mjete zjarrëfikëse, kanë vijuar operacionet për fikjen e zjarri, por në pjesën jugore zjarri është aktiv, për shkak të erës së fortë.

Qarku Shkodër: Ka aktive 6 vatra zjarri. Në rrethin Malësisë së Madhe kemi 3 vatra zjarri: Komuna Kelmend, në fshatin Vukël. Në malin e Haramisë, në Budaç dhe në komunën Shkrel është krijuar një vatër e zjarri në Luginë të Rrjollit.

Në Rrethin Pukë, kemi 3 vatra zjarri aktive: Në komunën Qafë Mali, fshati Orosh, në Kryezi, ku zjarr i për arsye të erës së fortë ka marrë përmasa më të mëdha dhe ka kaluar në fshatin Flet, të Komunës Blerim. 60 efektivë të FA-vë, të Repartit të Vau Dejës u janë bashkuar forcace të Shërbimit pyjor. Në Malin e Krrabit, në Mide tek antenat vatra është nën kontroll. Ndërsa vatra e zjarrit në Qafë Shari, në komunën Iballë, u riaktivizua dhe megjithëse operojnë forca të FA-ve, Pyjores dhe nga komuniteti vijon të jetë problematike.

Qarku Lezhë. Ka aktive 2 vatra zjarri aktive. Vatra më problematike është ajo në komunën Orosh, fshati Ndërshen dhe vatra në fshtin Lari, komuna Kaçinar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura