Zhvillimi nën pushtetin e ndërgjegjes

Feb 24, 2018 | 11:45
SHPËRNDAJE

GRIDA DUMA* 

Grida Duma

Është dukuri e rrallë që përfaqësues të politikës, medias, botës akademike dhe mbi të gjitha përfaqësues të fesë, të zhvillojnë forume të përbashkëta. Por gjithmonë e më shumë pas epokës së avancimit teknologjik dhe industrial, globalizmit dhe mbi të gjitha të botës së konsumit, thirrja dhe nevoja për të bashkuar vendimet politike me ndërgjegjen e mirë, shihet si një zgjidhje e mundshme ndaj problemeve të mëdha. Sfida më e madhe për një politikan është të marrë përgjegjësinë e vendimeve të tij. Kjo, sepse çdo vendim sado i mirëmenduar të jetë, do të avantazhojë vetëm disa dhe asnjëherë të gjithë. Ky është fati i çdo vendimi, që ndoshta përcakton dhe fatin e çdo politikani.

Por, pavarësisht se si ndërtohet karriera e një politikani, të përballosh këtë përgjegjësi, kërkon një forcë, e cila mund të vijë vetëm nga paqja me ndërgjegjen tënde. Kjo paqe është e pamundur të ndërtohet vetëm në besimin te forca e njeriut sepse do të ishte e pamundur që ndërgjegjja e vetes të kishte referencë po veten e vet.

Nëse personalitete të rëndësishme që përfaqësojnë fenë dhe shoqërinë e lirë gjenden në të njëjtën tryezë me politikën, atëherë vetë prezenca tregon se është dakordësuar se do të shtrohet një plan për të bashkuar vlera të përbashkëta. Këto vlera të përbashkëta mbështeten në një të vërtetë të parë, e cila është pranimi që udhëheqja apo akti i lidershipit, është përgjegjësia për të siguruar progresin, duke ruajtur më të mirën e qytetërimit tonë së pari pa kostot e konfliktit. Përgjatë historisë njerëzore ka pasur teori dhe mendimtarë, që edhe te konflikti kanë gjetur progresin.

Por më vjen ndërmend këtu filozofi ndoshta më i madh i kohës moderne, Isajah Berlin, i cili te këta mendimtarë të teorive të konfliktit thoshte se nuk duhet të shohim idhulltarët e konfliktit, por humanistët që kërkuan të shpëtojnë diçka nga bota pasi kostot e konflikteve kishin ndodhur. Vendet ballkanike kanë një histori të gjatë luftërash dhe konfliktesh etnike.

Kaq gjatë kanë qëndruar nën regjim konflikti, sa kanë ndërtuar një shije dhe kulturë jete konfliktuale në shumë aspekte. Në momentet aktuale, axhenda politike e Ballkanit Perëndimor është lufta kundër korrupsionit dhe një Reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e Drejtësisë. Kjo axhendë zhvillohet në një mjedis, ku shoqëritë e këtyre vendeve besojnë gjithnjë më pak në klasën e tyre politike.

Pasojë e këtij mosbesimi është edhe fakti famëkeq që vota e lirë mund të tenderohet në një treg shitblerjeje, çka veç dëmit politik dhe social, është një dëm i madh i lirisë së njeriut, vota është liria për të vendosur, tenderimi i saj është vulosja e fatit të paravendosur. Në të gjitha doktrinat fetare përçohet qartësisht mirënjohja që duhet të ketë çdo njeri, çdo komunitet, komb e popull për natyrën e bekuar të dhënë nga Zoti.

Kjo mirënjohje për bekimin e burimeve të natyrës në të cilën jetojmë, nis me ruajtjen dhe mirëshfrytëzimin e tyre. Vendet e Ballkanit janë vende të pasura në klimë, në natyrë dhe peizazh, por vendimet e njeriut nuk i kanë shfrytëzuar këto bekime të Zotit në atë mënyrë që popujt e Ballkanit të ndiejnë bekimin e jetës në këto vende. Në Shqipëri, rreth 41% e popullsisë jeton thuajse në varfëri absolute. Shifra të përafërta kanë dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Çështja e parë dhe emergjente e vendimmarrësve është të dakordësojnë që kanë detyrë të prosperojnë dhe të rrisin të ardhurat për çdo individ, së paku deri në atë nivel që të kemi qenie sociale.

Sepse varfëria absolute i çon njerëzit në një treg të shitblerjes së vetvetes. Në këto kushte, mosbesimi i tyre te politika shkon në harmoni me ndjenjën e tyre për hakmarrje dhe për duartrokitjen që i bëjnë Reformës në Drejtësi në këto vende sepse e shohin si një ndëshkim të munguar. Sigurisht një sistem drejtësie funksionale është elementi kyç për paqen dhe progresin. Por ideja se ky, si një sistem drejtësie funksionale që mbështetet vetëm në përcaktimin e procedurave të mira, do të zgjidhë problemin e një drejtësie të drejtë, është një iluzion.

Drejtësia nuk ndodh nga ndëshkimi dhe vetëm, ndëshkimi është pika e tij fundore. Drejtësia ndërtohet nga mundësia për t’u vlerësuar mirë nëse bën mirë. Nëse bën mirë profesionin, punën e përditshme, atë që prodhon për shoqërinë, je i aftë dhe vlerësohesh për këtë, atëherë sistemi i drejtë ndërtohet si motivim, jo si ndëshkim. Paqja dhe zhvillimi nuk mbrohen nga frika, por nga ndërgjegjja.

Shqipëria është gjendur gjeografikisht dhe historikisht mes Lindjes dhe Perëndimit. Ky vend pas shekujsh feudalizmi u desh të jetojë dhe një tjetër gjysmë shekulli nën regjimin e frikës komuniste. Frika ishte ingredienti që gatuante sa pamundësinë e ecjes së individit, po aq edhe hipokrizinë jetësore shpirtërore.

Sot, pas 28 vitesh tranzicioni të vështirë, shqiptarët ende luftojnë me sfidën e varfërisë, çka do të thotë që shumë herë politika ka dështuar të promovojë progresin. Një prej arsyeve është se një pjesë e klasës politike trashëgohet nga sistemi komunist, i cili është sistemi që shteroi çdo besim humanist dhe e thau njeriun nga shpirti i vet natyral.

Të udhëheqësh, është një akt ndërgjegjeje. Ajo çka mbetet, është nëse kjo ndërgjegje e liderit ka bekimin e duhur në momentet më të errëta të vendimeve të tij. Vetëm ky bekim mund të japë fuqinë e nevojshme për një lider politik për të ndërtuar një sistem, ku njeriu çmohet dhe vlerësohet për aftësitë dhe atë që prodhon për shoqërinë. Duhet ky bekim për të ndërtuar meritokracinë që nuk mbështetet në ndëshkim, por krijon meritën si lëvizësi i rregullave të lojës. Në disa prej pikëprerjeve të shkencës dhe fesë, dikush citoi se ekzistojnë së paku 52 përcaktime shkencore të “së mirës” dhe “së keqes”.

Platoni, mijëra vite më parë, na ka vërtetuar vetëm nëpërmjet arsyes njerëzore se idetë e mëdha si “e mira”, “e bukura”, “e keqja”, “e shëmtuara”, të cilat gjenden në çdo send dhe çdo njeri, nuk janë përcaktime të njerëzores. Këto ide njeriu i di pa mësuar, vjen me këto ide që nga lindja, kuptimi i tyre është brenda materies së shpirtit, i ardhur bashkë me jetën. Pavarësisht nga diversitetet etnike dhe historike apo diferencat në besime mes nesh, janë këto ide universale që na provojmë ngjashmëritë dhe forcën e njëjtë krijuese mbi të gjithë ne.

Është e një rëndësie jetike që personalitete nga të gjitha fushat, të cilat kanë mundësi të ndryshojnë jetët e njerëzve të thjeshtë, të ndajnë bindjen dhe besimin e përbashkët se shumë më tepër mund të zhvillohen vendet nën një pushtet të ndërgjegjes.

*Pjesë nga fjala e deputetes së PD-së në Forumin e Lidershipit, mbajtur në Seul, Kore e Jugut

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura