Zgjedhjet për kryetaren e LDGSH-së/ Pampuri: S’ka asgjë antidemokratike në këtë vendim! Prej 8 vitesh mandati ka skaduar dhe nuk ka asnjë strukturë

Nov 6, 2021 | 22:17
SHPËRNDAJE

Për deputeten e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri nuk ka asgjë antidemokratike në vendimin e Kryetarit Lulzim Basha për të zgjedhur Kryetaren e re të Lidhjes Demokratike të Gruas.

Orjola Pampuri
Orjola Pampuri

Si përgjigje ndaj koleges së saj, Albana Vokshi, e cila është shprehur kundër kësaj procedure, Pampuri i kujton se mandati i ka mbaruar prej 8 vitesh.

Shumë pak e dinë, thotë Pampuri, por LDG nuk ka patur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar

“Nuk ka asgjë antidemokratike në vendimin e Kryetarit Basha për të zgjedhur Kryetaren e re të LDG dhe strukturat inekzistente drejtuese të Lidhjes. Zgjedhja e kryetares së LDG-së me parimin “një anëtar, një votë” është një lajm i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate, që besojnë tek PD dhe duan të japin kontributin e tyre.

Zonja Albana Vokshi është emëruar në ketë detyrë që në vitin 2009 nga Kryetari i PD, pa garë. Mandati i saj ka skaduar prej të paktën 8 vitesh dhe askush nuk mund të pretendojë për legjitimitetet apo demokraci në drejtimin e LDG.

Shumë pak e dinë, por LDG nuk ka patur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar. Zonja Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes. Nën drejtimin e znj. Albana Vokshit, LDG nuk ka patur as Sekretare të Përgjithshme, as Nënkryetare, as Kryesi, as Këshill Kombëtar. Ky mund të jetë akti më antidemokratik që mund të bëhet ndaj një forumi politik”, shkruan në Facebook  deputetja Pampuri.

Ajo më tej deklaron se pas procesit të nisur nga kreu i PD, do të sigurohet zbatimi korrekt i statutit të PD, në mënyrë që organizimi i LDG të jetë i ngjashëm me atë të PDSH.

“Pas procesit të nisur sot nga Kryetari Basha do të sigurohet zbatimi korrekt i statutit të PD, në mënyrë që organizimi i LDG të jetë i ngjashëm me atë të PDSH. Për këtë arsye, Kryesia e PD do duhet të miratojë edhe Statutin për funksionimin demokratik të LDG për t’i dhënë fund praktikës antidemokratike të uzurpimit të Kryetares së Lidhjes për 12 vjet, pa votë”, thotë deputetja.

Në fund i uron suksese të gjitha zonjave demokrate në këtë proces.

“Suksese zonjave demokrate në këtë proces të rëndësishëm demokratik, që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që do të jetë modeli më i mirë për përfaqësimin dinjitoz të grave dhe vajzave”, mbyll postimin e saj Orjola Pampuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura