Ekskluzive/ Basti i Vasil Rucit me trajnerin Memushi: Flamurtari kap Superioren përmes… Laçit

Apr 26, 2024 | 12:10
SHPËRNDAJE

Vasil Ruci është më se i bindur se Flamurtari do të ngjitet në Superiore. Madje ka hedhur “bast” edhe me Eqerem Memushin se në finale do të jenë me Laçin dhe do ta mposhtin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, legjenda vlonjate thekson se kuqezinjtë kanë elementë cilësorë që zgjidhin situatat.

5B165AA5-7131-450D-8899-40825346E0EE

Ruci thotë se kundërshtarët e kësaj kategorie, Flamurtari i ka më se të kalueshëm. “Kompetenti” i vlonjatëve po bën të gjitha përpjekjet që në Vlorë të sjellë Barcelonën, dhe thotë se negociatat janë në rrugë të mbarë duke plotësuar çdo kërkesë të spanjollëve.

Ruci, mendoni se ky Flamurtar ngjitet në Superiore këtë sezon?

Flamurtari do të ngjitet në Superiore. Jam i bindur 100% që do të ngjiten këtë vit. Nuk e diskutoj fare!

Pse jeni kaq optimist dhe jepni këtë përgjigje të prerë?

Ekipi ka “kokrra” brenda tij, ka elementë që të zgjidhin. Ndonjëherë të zgjidh ekipi, ndonjëherë të zgjidhin edhe “kokrrat”, të zgjidhin elementët. Ndaj them se ka futbollistë që të zgjidhin në momente të rëndësishme dhe vendimtare.

Çfarë mendoni se duhet të bëjnë më shumë?

E mira është që konsulta të jetë e madhe, se përveç të tjerave duan edhe konsulta. Në raste të tilla ajo është e vlefshme. Sa më shumë konsulta që të kenë aq më mirë është për të arritur objektivin madhor që klubi ka, për të cilin skuadra po punon dhe të gjithë ne dëshirojmë. Është një kohë e gjatë që Flamurtarit i mungon Superiorja dhe të gjithë e dëshirojmë të rikthehet sa më shpejt. E uroj këtë me shpirt dhe me zemër se kemi dhënë djersën dhe gjakun për atë fanellë, ndaj dhe na dhimbset.

Ka ende pengesa përpara se të shkojnë te ngjitja. Mendoni se janë të kalueshme skuadrat e Kategorisë së Parë?

Ekipet e Kategorisë së Parë Flamurtari nuk i ka problem. Finalja pastaj është vetëm një ndeshje dhe është tjetër gjë.

Keni një parashikim se cilin ekip të Superiores mund të ketë  Flamurtari përballë në “finalen e madhe”?

“Play off”-in do ta kalojnë. Do t’u bjerë me Laçin dhe do ta mundin. Do shkojnë në Superiore! Mbaje mend këtë nga unë. Eqeremit ia kam thënë para 3 muajve kur mori ekipin, që në “play off” do të ndesheni me Laçin dhe do të ngjiteni në Superiore. Do ta rrihni edhe Laçin.

Pse mendoni se Laçin e kanë një kundërshtar të kalueshëm?

Sepse nuk është më Laçi i dikurshëm. Nuk është më i fuqishëm financiarisht. Nuk e di, qofsha i gabuar, por unë këtë mendim kam.

Ju jeni iniciatori që po punoni për të sjellë në Vlorë Barcelonën e lavdishme me të cilën jeni ndeshur. Në çfarë faze janë negociatat?

Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet që ata duan. Presim përgjigje për listën e emrave. Kemi kërkuar që ndeshjen në Vlorë ta luajmë një ose dy javë përpara Kampionatit Europian, ose në fund të qershorit. Tani varet kur i kanë mundësitë edhe ata, pasi aktualisht jo të gjithë janë në Barcelonë. Më thanë që do të sjellin 5-6 veta nga ai brez “i artë” që kanë luajtur me ne, plus edhe brezin e ri. Pastaj do të shkojmë ne atje. Besoj se do të jetë diçka e bukur që do të ngjallë emocione të shkuara dhe do të sjellë të gjithëve nostalgji një ndeshje Flamurtari-Barcelona, si në kohët e arta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura