Basha me kreun e OSBE: Skemë e re manipulimi votash

May 27, 2015 | 6:14
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier dhe ambasadorin Florian Raunig, ka denoncuar krerët e maxhorancës për nisma që kanë synim manipulimin e zgjedhjeve.

Falsifikimi i kartave të identitetit të zgjedhësve, si dhe zhvendosja fiktive e votuesve, sipas Bashës, janë skema e re e Ramës dhe Metës për të manipuluar votimet e 21 qershorit.

Basha- Zannier

 “Një ditë më parë, në media u bë publike skema e falsifikimit të kartave të identitetit në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit, por shumë shqetësuese janë edhe tentativat për manipulimin e listave zgjedhore të konstatuara në Durrës dhe në Kavajë, ku janë vendosur fiktivisht qindra qytetarë në lista, edhe pse vendbanimi i tyre nuk është në këtë zonë zgjedhore”, tha Basha në takim.

Kreu i PD-së është shprehur se PD për këto çështje i është drejtuar Prokurorisë. Një tjetër shqetësim i paraqitur nga Basha ishte presioni që po ushtrohet ndaj kandidatëve të opozitës dhe mbështetësve të tyre. “Dhuna policore dhe presioni ndaj disa kandidatëve janë një shembull i keq i përdorimit politik nga qeveria të Policisë së Shtetit, me përpjekjen për të shantazhuar mbështetësit e opozitës”, është shprehur Basha. Por edhe vendimet e KQZ-së janë bërë pjesë e listës së shqetësimeve të opozitës.

Duke iu referuar rastit të Kurbinit, ku KQZ nuk pranoi regjistrimin e Ilir Pjetrajt, si dhe vendimeve për të mos regjistruar kandidatët e PSDsë, Basha është shprehur se maxhoranca po përdor KQZ për eliminimin e garës. “Maxhoranca përmes KQZ tenton të eliminojë garën në këto zgjedhje, duke mos lejuar kandidimin në disa zona të disa kandidatëve, aty ku Rama dhe Meta dyshojnë se këto alternativa tërheqin vota të shumicës”, tha Basha.

Në takim, kreu i PD-së ka denoncuar përfshirjen e emrave të inkriminuar në listën e kandidatëve të koalicionit të majtë. “Maxhoranca, pasi i ka promovuar në postet më të larta drejtuese në administratë dhe në Parlament, i ka kandiduar për kryetarë bashkie. Me gjithë angazhimin e PD-së, ka një mungesë vullneti të maxhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit”, tha Basha.

Në deklaratën për median, PD shprehet se në takim “Zannier theksoi se në qoftë se do të shkelen standardet në këto zgjedhje kjo do të ishte goditje shumë e rëndë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë”. Në takim u theksua se do të merren të gjitha masat që vëzhguesit e OSBE-së të jenë prezent dhe monitorojnë procesin dhe në fund do të ketë një raport të detajuar për 21 qershorin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura