PD kandidon Carën përballë Roshit në Kavajë, Basha prezanton kandidatët e Roskovecit, Kuçovës, Urës Vajgurore e Beratit

Apr 25, 2015 | 18:26
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar sot kandidatin për Bashkinë Roskovec, Gëzim Caushin.

“Me 21 Qershor, vëllezër e motra, fjalën nuk e ka më qeveria, fjalën nuk e ka më kryeministri, fjalën nuk e ka më politika, fjalën e kanë qytetarët, fjalën e kanë banorët e Roskovecit, fjalën e kanë banorët e Fierit, fjalën e kanë shqiptarët që do të vulosin me votën e tyre. Më gjatë se kurrë më tha dikush para disa ditësh, por dalngangalë ora e gjykimit të drejtë popullor me votë po vjen. Ora e gjykimit për dështimet dhe mashtrimet në kurriz të banorëve të Roskovecit dhe gjithë Shqipërisë po vjen…Nuk duam një kukull të Rama-Metës në Roskovec që kujdeset për punët e Rama-Metës e të marë e të pres në mes rryshfetet e Rama-Metës e të përfaqësojë interesat e e Rama-Metës. Por duam zërin, fytyrën, forcën, fuqinë e banorëve të Roskovecit që t’ju përfaqësojë denjësisht këtu, të ngrejë zërin për ju, të punojë për ju, të qajë hallet me ju e bashkë me ju të bëjë gati kthimin e faqes për Roskovecin nesër e për Shqipërinë pasnesër duke premtuar solemnisht se nuk do të rriten taksat por do të luftojë me ju që t’i ulë ato…Kandidati ynë sot dhe kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Roskovecit, Gëzim Çaushaj. Nuk jua sjellim këtë kandidat për Partinë Demokratike. Nuk jua sjellim Gëzim Çaushin për veten tonë. E gjejmë këtu mes jush me përkushtim, me integritet, me punë shumë e fjalë pak dhe jam i sigurtë , unë dhe të gjithë demokratët, jam i sigurtë unë dhe të gjithë shqiptarët që kërkojmë një të nesërme ndryshe se duke i besuar votën atij keni një arsye më shumë që sëbashku me njëri tjetrin, sëbashku me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Roskovecit, sëbashku me mua, të hapim një kapitull të ri se koha nuk pret më”, tha Basha gjatë prezantimit të Çaushit.  

Pasditën e së shtunes Basha prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie, Kasem Mahmutajn në Berat, Myslym Haxhin në Kuçovë dhe Bujar Hoxhën në Urën Vajgurore. 

Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se “dhjetra beratas i kanë vënë drynin shtëpive dhe kanë emigruar. Pasi marrin votën, lakun në fyt. Dyshja Rama-Meta është burim i fatkeqësive Dëshpërimi ka kapluar çdo shtëpi. Rama e Meta janë përgatitur t’u kthehen zakoneve më të keqia, parave…E shumë prej jush, të mërzitur siç jeni, të pashpresë siç jeni, siç keni qenë që ditën e parë me të ashtuquajturën “Rilindje”, po provohet një varrmihëse e shpresave të shqiptarëve, e dini se edhe ata që i votuan dy vite më parë, edhe votues të tyre, madje edhe militantë të tyre, madje edhe anëtarët e partive të tyre, iu ka ardhur në majë të hundës, aty ku nuk mban më, sepse nuk ka asnjë fije idealizëm, asnjë fije militantizëm, ka pazar, pazar dhe vetëm pazar. Prandaj dhe përgjigja jonë është dhe duhet të jetë një përgjigje politike, është dhe do të jetë përgjigja e rezistencës, është dhe do të jetë përgjigja Ndal dhe Jo oligarkisë në Tiranë dhe kukullave të oligarkisë këtu në Berat. i kanë nxjerrë nga oxhaqet nepotike kandidatët apo i kanë nxjerrë nga xhepi i tyre, pak rëndësi ka, i kanë apo si kanë dhëndur politik, pak rëndësi ka”, tha Basha, i cili shoqërohej edhe nga kreu i republikanëve, Fatmir Mediu. 

Sakaq Partia Demokratike zyrtarizoi sot katër kandidatura të tjera për zgjedhjet e 21 qershorit.

Engjell Cara dhe Lulzim Basha gjate mitingut te fundit ne Kavaje

Pas konsultimeve të gjata është vendosur përfundimisht që ish deputeti Ëngjëll Cara të jetë kandidati i PD-së për Bashkinë e Kavajës.

Cara ka qenë deputet i PD-së në periudhën 2005-2009, ndërsa në vitin 2013 kandidonte për deputet nga lista e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Selia blu ka vendosur gjithashtu që të kandidojë kryetarin e degës së Tepelenës, Veip Çala për bashkinë e këtij qyteti, ndërsa në Kolonjë do të kandidojë Viktor Duro. 

Për Bashkinë e Skraparit, PD ka zyrtarizuar kandidaturen e Hajredin Bakiasit.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura