Zbulimi i skeletit pranë lumit, dyshohet i pushkatuar në diktaturë

Mar 5, 2016 | 8:50
SHPËRNDAJE

Punimet për zgjerimin e aksit rrugor Lin-Pogradec kanë nxjerrë në dritë eshtra të vjetra të një personi që dyshohet të jetë ekzekutuar në diktaturë.

Foto12Menjëherë pas zbulimit është sinjalizuar Policia, e cila ka nisur hetimet, por ende nuk ka asnjë të dhënë për gjininë dhe as identitetin e mundshëm.

“Zbulimi i rastësishëm ka bërë që të dalë në dritë një histori e sistemit të kaluar, pasi dyshohet se rasti mund të ketë të bëjë me eshtrat e një personi, i cili mund të jetë pushkatuar gjatë sistemit komunist”, bënë të ditur burime të grupit hetimor.

Teksa kanë qenë duke punuar te vendi i quajtur Lumi i Tërhanit, në afërsi të fshatit Udenisht, punëtorët e ndërmarrjes për mirëmbajtjen e rrugës kanë konstatuar një skelet njerëzor që në dukje ishte i vjetër, së paku disa dekada më parë. Menjëherë ata kanë ndaluar punën dhe kanë lajmëruar policinë, ku nga hetimet paraprake dyshohet se eshtrat mund të jenë të vjetra dhe mund të kenë qenë atje prej mbi 30 vitesh.

Pas sinjalizimit, Policia ka shkuar menjëherë në vendin ku janë zbuluar eshtrat dhe ka nisur hetimet e saj lidhur me rastin. Dyshimet fillestare kanë ngritur pistën e një ekzekutimi të mundshëm gjatë regjimit komunist, pistë e ngritur kjo nga blutë, duke marrë edhe dëshmitë e banorëve, të cilët kanë treguar se ajo zonë ka pasur një funksion të veçantë në kohën e diktaturës.

Sipas të dhënave nga banorët, në vendin ku janë zbuluar eshtrat, gjatë sistemit komunist ka qenë një poligon i ekzekutimeve, çka ka ngritur edhe pistën e parë të hetimit për policinë. Ende nuk dihet se cilës gjini i përket skeleti dhe do të jetë ekspertiza ajo e cila do të përcaktojë jo vetëm gjininë, por edhe rrethanat në të cilat personi ka humbur jetën. Nuk ka ende të dhëna nëse në atë zonë mund të zbulohen eshtra të tjera.

Për shkak edhe të mënyrës sesi janë zbuluar eshtrat, burimet e Policisë bënë me dije se ka qenë më e vështirë që ato të mblidhen pasi kanë qenë të dëmtuara dhe pritet që të nisë ekspertiza për të zbardhur identitetin e personit, eshtrat e të cilit u gjendën pas disa dekadash.

DHORJELA ÇULE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura