Zbardhet vendimi, 97 kuota për specializime në mjekësi

Oct 8, 2015 | 11:32
SHPËRNDAJE

Edhe këtë vit do të ketë specializime në mjekësi. Në Fletoren Zyrtare u zbardhën dje kuotat e pranimit dhe tarifat për ciklin e tretë të studimeve në fushën e mjekësisë për vitin 2015-2016.

mjeke

Mungesa e madhe për mjekë specialistë, e pranuar së fundmi dhe nga Ministria e Shëndetësisë, nuk e ka lëkundur qeverinë të shtojë numrin e kuotave, përkundrazi. Këtë vit janë qindra aplikantë që do të konkurrojnë për vetëm 97 vende, nga 365 kuota që ishin vitin e kaluar.

Duke pasur parasysh nevojat e spitaleve, të njëjtat profile specializimesh kryesojnë listën edhe këtë vit, ndonëse të reduktuar në numër. Kështu, më shumë kuota në dispozicion janë vënë për profilet: kardiologji, anestezi reanimacion, diagnozë me imazhe okulistike, gjinekologji apo pediatri.

Ndërsa zero kuota kanë: shëndeti publik, psikiatri e fëmijëve, neurokirurgji, mjek familjeje, mjekësi interne e ligjore. Mundësi për specializim kanë pesë shqiptarë që banojnë jashtë trojeve, të cilët u nënshtrohen të njëjtave procedura konkurrimi si kandidatët e tjerë.

KONKURRIMI
Të drejtën për të aplikuar në specializime afatgjata në një nga fushat mjekësore e kanë të gjithë ata që kanë kaluar me sukses provimin e shtetit duke zotëruar licencën e ushtrimit të profesionit. Siç thotë edhe udhëzimi, merita do të jetë parimi bazë i pranimeve për ciklin e tretë të studimeve në këtë fushë. Provimi do të kryhet njëlloj si vitin e kaluar.

kuotat

Në faqen zyrtare të Fakultetit të Mjekësisë është publikuar tashmë fondi me 5 mijë pyetjet që mund të bien në provimin, i cili do të zhvillohet njësoj si një vit më parë. Testi me 100 pyetje do të kryhet online dhe përgjigjet do të jepen menjëherë duke bërë çdo gjë transparente. Ndonëse numri është ulur ndjeshëm, një gjë nuk ka ndryshuar, tarifa prej 115 mijë lekësh që fituesit duhet të paguajnë për llogari të Fakultetit të Mjekësisë.

Që në momentin e parë ata duhet të paguajnë 30% të shumës vjetore të shkollimit, ndërsa pjesën tjetër me këste. Për përsëritësit ka penalizime. Në bazë të rregullores, ata do të duhet të paguajnë shumën vjetore të shkollimit të vitit akademik.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura