Zbardhet raporti/ Rekorde zvarritjesh të gjyqtarit Thanza, 6 vjet shqyrtim një çështjeje

Jul 12, 2018 | 21:01
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU / Gjyqtari Admir Thanza, i cili tashmë është nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për fshehjen e dënimit në Itali, përveç integritetit të figurës dhe pasurisë, ka pasur probleme edhe me aftësitë personale.

thanza4

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK solli në dukje se gjyqtari Thanza kishte probleme me administrimin e çështjeve gjyqësore si anëtar i Gjykatës së Lartë.

“Panorama” ka siguruar një raport të INFOCIP, në lidhje me kohëzgjatjet e proceseve gjyqësore me relator Thanzën në Gjykatën e Lartë për vitet 2015, 2016 dhe 2017, si edhe për kohëzgjatjen e arsyetimit dhe dorëzimit në sekretari të vendimeve për rekurset ku gjyqtari Thanza ka qenë relator çështjeje.

Ajo që bie në sy në këtë raport të INFOCIP është se gjyqtari Thanza ka pasur probleme të theksuara, si në kohëzgjatjen e shqyrtimit të çështjeve, ashtu edhe në kohëzgjatjen e dorëzimit të arsyetimit të vendimeve të sekretari, duke thyer të gjitha rekordet. Gjyqtari Thanza ka qenë relator çështjesh, kryesisht në Kolegjin Civil dhe Administrativ. Përgjatë vitit 2017, Thanza ka pasur 34 çështje si relator në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë.

Ai ka dhënë mesatarisht 2.8 vendime gjyqësore në muaj, ndërkohë që kolegët e tij kanë qenë në një mesatare prej 4 deri në 4.3 vendimesh në muaj. Mesatarja, sipas raportit, e shqyrtimit gjyqësor për 34 çështjet e vitit 2017, për Thanzën, ka qenë 960 ditë, pra 2.6 vjet për një çështje. Vonesa më e theksuar në kohëzgjatje të një shqyrtimi gjyqësor konstatohet në çështjen (nr.akti) 1019, që përkon me vendimin nr. 2078.

Ky rekurs është regjistruar në Gjykatën e Lartë në datë 29.04.2011 dhe është vendimuar në dt. 28.09.2017. Në total, kohëzgjatja e shqyrtimit gjyqësor për këtë çështje deri në momentin e vendimimit rezulton 2344 ditë ose 6.4 vjet. Sa i takon kohëzgjatjes së arsyetimit të vendimit gjyqësor, Admir Thanza rezulton me një mesatare prej 46 ditësh nga momenti i seancës vendimmarrëse deri në dorëzimin në sekretarinë e Gjykatës së Lartë të vendimit të arsyetuar.

Mesatarja e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë për vitin 2017 është 37.9 ditë për të gjitha çështjet civile të vendimuara në 2017-n (170 gjithsej). Vonesa më e theksuar në arsyetimin e një vendimi për çështje të relatuara nga gjyqtari Admir Thanza është 216 ditë ose rreth 7 muaj.

Kjo vonesë konstatohet në çështjen me nr.akti 4455, konkretisht vendimi i Gjykatës së Lartë nr.36, datë 09.02.2017. Kjo përfaqëson edhe arsyetimin më të vonuar krahasuar me të gjitha dorëzimet e Kolegjit Civil për vitin 2017 në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Ligji Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të RSH” , ende në fuqi në vitin 2015, parashikonte një afat 30 ditë për dorëzimin e arsyetuar në sekretari të vendimit (neni 19).

Ky përcaktim ligjor është shkelur nga gjyqtari Admir Thanza. Gjyqtari Thanza të njëjtat probleme i ka shfaqur edhe në Kolegjin Administrativ. Mesatarja e shqyrtimit gjyqësor për dosjet e relatuara nga Thanza në 2017-n është 1264 ditë deri te vendimi. Kujtojmë këtu se ligji nr. 49/2012 “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, parashikon 90 ditë afat për shqyrtimin gjyqësor të rekursit në Gjykatën e Lartë (neni 60, paragrafi 2).

Kjo do të thotë se afati i përcaktuar ligjor (90 ditë) është tejkaluar mesatarisht me 14 herë nga Thanza. Sa i takon afatit të arsyetimit dhe dorëzimit në sekretari të vendimeve, rezulton, sipas raportit, se mesatarisht rekurset administrative që kanë pasur relator gjyqtarin Admir Thanza janë dorëzuar në sekretari për rreth 48 ditë mesatarisht gjatë vitit 2017.

Ligji nr. 49/2012 “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, parashikon 10 ditë afat për dorëzimin në sekretari të vendimit të arsyetuar në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë (neni 64, paragrafi 3). Kjo do të thotë se afati i përcaktuar ligjor (10 ditë) është tejkaluar mesatarisht 4 herë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura