Zbardhen ‘rolet’/ Trafikimi i 2.5 tonëve drogë, nënkomisari i Fierit ishte…

Dec 12, 2017 | 14:51
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Organizatori kryesor i trafikut të 2.5 tonëve kanabis nga Porti i Durrësit në Ankona, sipas Prokurorisë, ka qenë nënoficeri i Policisë së Fierit, Festim Lelaj.

ankona droga

Bashkë me të, trafiku është drejtuar edhe nga Euron Hoti, i njohur edhe me emrin Artan Abasi, i cili kishte një pasaportë angleze false, si shtetas kosovar.

Nga hetimet ka rezultuar se Hoti ishte personi që kishte siguruar dy kamionët me lëndë drusore, ku do të ngarkohej droga e njëkohësisht ishte edhe pritë- si i ngarkesës, destinacioni përfundimtar i së cilës ishte Gjermania.

Dhimo Koraj, i arrestuar në Itali dhe Demo Progonati, i arrestuar disa ditë pas tij në Shqipëri, ishin shoferët e dy kamionëve, që u shkëmbyen me njëri-tjetrin në Portin e Durrësit, duke shmangur skanimin e kamionit me drogë.

Dy punonjësit e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, Agron Kapllani e Gëzim Dervishi, si dhe doganieri Altin Katundi e agjenti doganor Mikail Hila kishin për “detyrë” që të shmangnin qëllimisht kontrollin.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, edhe ata, me mosveprimet e qëllimshme të tyre, janë pjesë e grupit të organizuar që trafikoi drogën. Sasia e drogës sigurohej nga Arbi Mustafa dhe Malton Lleshi dhe dyshohet se ishte kultivuar në fshatrat e Vlorës.

Ndërsa dy prej pjesëtarëve të këtij grupi, Skënder Siqeca dhe Aurel Lazaj, dyshohet se kanë trafikuar edhe një ngarkesë tjetër droge nga Porti i Vlorës, në vitin 2014, në kohën kur nënkomisari Festim Lelaj ishte me detyrë atje.

Policia e Shtetit dha disa ditë më parë detaje të operacionit, gjatë të cilit, deri tani, janë 12 persona të arrestuar në Itali e Shqipëri. Sipas Policisë, procedimi penal është regjistruar më 13 janar të këtij viti, pas informacionit të mbërritur nga pala italiane për kapjen e një kamioni me drogë në Portin e Ankonës.

OPERACIONI

Policia e Shtetit tha se, më 13 janar të këtij viti, nga Zyra Ndërlidhëse e Policisë italiane “Interforza” në Tiranë, është informuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mbi sekuestrimin e një sasie prej 2 tonë e 530 kg lëndë e dyshuar llojit kanabis sativa, në Portin e Ankonës në Itali.

Kjo sasi ishte e ngarkuar në kamionin “MAN”, me targa AA 846 GJ dhe AER 357, me drejtues shtetasin shqiptar Dhimo Koraj, 47 vjeç, lindur në Fier e banues në Gjirokastër. “Ky kamion, më datë 9 janar 2017, është nisur nga Porti i Durrësit me tragetin “M/N AF MARINA”, të linjës Durrës-Bari.

Policia italiane ka arrestuar në flagrancë shtetasin Dhimo Koraj, i cili shoqëronte kamionin në Portin e Ankonës, ndërsa në listën e pasagjerëve figuronte si shofer i këtij kamioni, i nisur nga Durrësi shtetasi Demo Progonati, 46 vjeç, lindur në Progonat dhe banues në Fier.

Në bazë të informacionit të sjellë nga pala italiane, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit ka bërë regjistrimin e Procedimit Penal Nr.12, datë 13 janar 2017, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në vazhdën e veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri më tani janë arrestuar ne kuadër të këtij procedimi 11 shtetas”, tha dje Policia e Shtetit.

Në lidhje me këtë rast trafiku të lëndëve narkotike, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë, duke çuar para drejtësisë të gjithë personat e implikuar”, tha dje Policia e Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura