Zanella: Balerinët shqiptarë, si lule në thilenë e xhaketës

Apr 4, 2011 | 12:08
SHPËRNDAJE
Koreografi italian, Renato Zanella

Kishte qenë e paharrueshme ajo vizitë në Tiranën e ftohtë për Renato Zanellën.I ka mbetur në mendje ai djali me pantallona të shkurtra, me faqe e këmbë të skuqura, që stërvitej në një temperaturë 2 gradë. Për koreografin që kishte shkelur sa e sa skena të rëndësishme dhe kishte një post për t’u ëndërruar në Teatrin e Vjenës (Drejtor i Akademisë), ky ishte një imazh i pashlyeshëm. Kanë kaluar 8 vjet që atëherë. Renatto Zanella nuk është më drejtor i Akademisë në Vjenë, është artist i lirë tanimë, ca thinja i janë shtuar qysh atëherë. Ashtu si atëherë, erdhi vetëm për një vizitë kalimthi në Tiranë. Erdhi të shihte “Traviatën” dhe me këtë rast u takua edhe me drejtorin e TKOB, Zhani Ciko. Do të kthehet në qershor dhe nëse gjithçka shkon në rregull, atëherë do të realizojë një pjesë baleti në skenën shqiptare. Në ato orë të pakta qëndrimi në Tiranë, arritëm t’i shkëpusim koreografit ca përshtypje nga ajo vizitë e 8 viteve më parë dhe bashkëpunimet me balerinë shqiptarë në skena të ndryshme të Europës.
Do të rrini shumë pak në Tiranë, por një vizitë e ka gjithnjë një arsye…
Kësaj here kam ardhur i ftuar nga dirigjenti i “Traviatës”, Peter Tiboris dhe me këtë rast organizuam edhe një takim me drejtorin e TKOB. Unë vetë do të realizoj regjinë e “Traviatës” në korrik për një Festival Ndërkombëtar në Greqi, ku jam drejtor koreografik, dhe m’u duk një rast shumë i mirë, jo vetëm për të parë këtë shfaqje, por edhe për të takuar miqtë e mi në Tiranë. Pra, është një udhëtim gjysmë punë e gjysmë kënaqësi. Pastaj unë gjithnjë e kam pasur një ftesë për të ardhur këtu, por kam qenë shumë i zënë vitet e fundit, por tani po flasim konkretisht për të ardhur vitin që vjen me një produksion të mundshëm në balet.
Ka diçka konkrete?
Nuk pata mundësi të shihja ndonjë pjesë baleti, por do të kthehem në 14 qershor për të ndjekur një premierë baleti dhe të mbjell filizin e produksionit. Nëse gjithçka do të shkojë mbarë, atëherë shfaqja ime do të jetë vitin tjetër në të njëjtën kohë. I njoh ambasadorët tuaj të artit, të cilët mua si artist më kanë dhënë shumë. Do të isha i kënaqur, nëse do të punoja me të tjerë të rinj shqiptarë.
Keni qenë në Tiranë rreth 8 vjet më parë dhe keni vizituar Akademinë e dancit, ç’ju kujtohet që atëherë?
Një vizitë më ka prekur dhe e kujtoj gjithnjë. Temperatura ishte vetëm 8 gradë në Tiranë. Kemi shkuar në shkollë, ku gjetëm disa fëmijë të vegjël, me pantallona të shkurtra dhe bluza të bardha, që po punonin. I kishin faqet dhe këmbët e skuqura nga të ftohtët. Brenda në shkollë, temperatura ishte 2 gradë dhe dritaret ishin hapur, që të futeshin 6 gradë që jashtë. Ishte diçka… Jo negative. Më ka prekur shumë, sepse më bëri të kujtoj se të gjithë ata që kanë dalë nga shkolla të vështira të Lindjes, kanë shumë energji për të ecur përpara. Të gjithë të mëdhenjtë kanë bërë shkolla të ashpra, si rusët, rumunët, shqiptarët… Sigurisht, tanimë ngrohja është rregulluar, por shkolla mbetet. Është e këndshme të shohësh tek balerinët shqiptarë një buzëqeshje që do të thotë: Ia dolëm! Është unike. Unë kam raport personal me këta balerinë, sepse i kam marrë në shkollë, pastaj në kompani, i kam dhënë role, i kam ngritur në pozicion dhe ajo që kam parë, është se janë punëtorë të palodhur. Në Itali, nëse temperatura është 2 gradë, nuk i çojnë fëmijët në shkollë, kurse këtu nuk kishte shumë për të zgjedhur. Më vjen mirë që kohët kanë ndryshuar. Dëgjova që edhe TKOB do të rinovohet. Por e rëndësishme është që keni energji dhe dëshirë për të shkuar përpara.
Më kujtohet atëherë që keni thënë se erdhët në Tiranë të gjeni një tjetër Eno Peçi, keni gjetur?
Kam gjetur shumë shqiptarë në të vërtetë. Momentalisht kemi dy emra shumë të rëndësishëm të baletit që janë Eno Peçi dhe Marlon Dino, njëri solist në Vjenë dhe tjetri në Monako. Kam njohur në Athinë Danilo Zekën, një balerin shumë të mirë, por edhe të tjerë që janë në trupën e baletit atje. Një vit më parë kam bashkëpunuar me ta. Asokohe doli edhe një batutë. Kur pashë balerinë kaq të mirë atje, thashë se nuk e dija që Greqia të kishte balerinë meshkuj kaq të mirë. Ndërkohë, ata njëzëri m’u përgjigjën: Ne jemi të gjithë nga Shqipëria. Ishte një situatë shumë e këndshme. Kërcimi, ashtu si muzika, ka marrë shumë nga eksporti shqiptar. Nuk di çfarë keni tjetër të mirë, djathin ndoshta, nuk e di, po për sa i përket artit, shqiptarët janë një lule në thilenë e xhaketës, një kartëvizitë shumë e mirë. Dhe besoj se Shqipëria është shumë krenare nga kjo gjë. Ajo çka më pëlqen shumë tek ju, është që kujdeseni shumë për artistët tuaj jashtë vendit, mbani kontakte me ta. Në Itali pëlqehen më shumë të huajt. Kam dëgjuar që ata vijnë shpesh këtu, japin koncerte, shfaqje, janë gjithnjë të mirëpritur. Dhe kjo është shumë e bukur dhe i jep një vlerë më të madhe punës sonë, sepse një raport duhet të jetë i vazhdueshëm.
Dhe ju keni punuar më shumë jashtë Italisë…
E kam lënë Italinë 30 vjet më parë dhe e shoh më të ndarë se atëherë. E kemi qeverinë të formuar nga nacionalistë dhe separatistë. Po kalon një periudhë shumë të çuditshme Italia në këto momente. Kryeministri po kalon një periudhë të vështirë personale dhe askush nuk e ka mendjen tek arti. Kemi teatro, kemi artistë, gjithçka, por nuk ka një sensibilitet politik. Ne kemi një qeveri, që mendon se televizioni është art dhe mbi këtë mund të diskutojmë gjithë ditën. Është çështje e mungesës së komunikimit. Ne si artistë përpiqemi, megjithatë në fund ndodh që të duhet të ikësh jashtë vendit, për të ushtruar me të vërtetë profesionin tënd.
Por edhe këtu situata nuk është me e qetë…
Por të paktën këtu ndihesh i mirëpritur. Sigurisht largimi vjen për shumë arsye. Keni kaluar një periudhë shumë të vështirë politike, pastaj Shqipëria është një vend shumë i ri. Pavarësisht se ka një histori të jashtëzakonshme, sa i përket nivelit politik ndërkombëtar është shumë e re. 20 vjet demokraci janë shumë pak. Por fakti që, kush ikën është gjithnjë i mirëpritur, është diçka shumë e rëndësishme dhe e bën Shqipërinë, një vend të madh.
Thatë që po punoni me regjinë e “Traviatës”, keni kthyer faqe?
Jo, jo nuk e kthen dot kurrë. Për mendimin tim është çështje kërkimi. Kur je i ri, ndonëse koreograf, je shumë afër kërcimit dhe raporti yt me të është shumë më i drejtpërdrejtë. Sa më shumë shkëputesh dhe përballesh me artin koreografik nga pikëpamja krijuese, hyjnë në punë mekanizma të rinj, balerinët nuk janë më kolegët e tu, por kthehen në instrumente, në muzë… Është një proces shumë i bukur që vjen me kohë dhe kështu ndodh të futesh në sektorë të tjerë si teatri, opera, por gjithnjë si një plotësim. Unë e dua shumë operën, sepse punon me tekstin, muzikën, dramaturgjinë. Në Vjenë unë kam bërë koreografitë e shumë pjesëve, qofshin këto moderne, klasike, televizion, teatër. Shumë rastësisht më kërkuan të bëj regjinë e “Cosi fano tutte” të Moxartit dhe më ka pëlqyer pa fund. Por edhe të tjerëve u pëlqeu, sepse ishte një vizion i ri, me syrin e një koreografi. Qysh atëherë propozimet erdhën njëri pas tjetrit dhe tashmë unë bëj regji sepse ma kërkojnë këtë, jo se kam kthyer faqe. Për mua është diçka shtesë, që më pasuron dhe kur realizoj një koreografi, kam edhe një bagazh eksperience nga pas. Këtë verë do përballem me një lexim të ri të “Medeas” nga Mikis Theodorakis. Të koreografosh zërin është diçka e mrekullueshme. Unë kam një karakter që më duket sikur nuk kam mësuar asgjë. Ulem dhe kërkoj gjëra të reja, gëzohem dhe kuriozohem si fëmijë që do të njohë gjithçka. Kështu që sa të jem, do të rritem. Kjo do të thotë të përballesh edhe me teatro e situata të vështira, si në rastin e një buxheti të ulët. Si artist i lirë që jam tashmë, mund ta bëj një gjë të tillë, ndryshe nga puna brenda një sistemi teatror, shumë të mbyllur, si Teatri i Vjenës.
Dhe ju keni qenë 10 vjet drejtor në Akademinë e Teatrit të Vjenës..
Isha 32 vjeç dhe ishte e jashtëzakonshme që të isha një drejtor i fuqishëm i Akademisë së Vjenës. Për mua ishte një shok, sepse isha shumë i ri për ta kuptuar. Kanë qenë 10 vite të mrekullueshme. Por në fund vendosa të dal nga muret e këtij teatri. Kam 6 vjet që e kam lënë Vjenën dhe po punoj si një artist që duhet të jetojë, pa korniza, pa kufij, duke u përballur me vështirësi dhe duke krijuar. Kam qenë me shumë fat që kam pasur shumë “nëna”, të cilat janë kujdesur për mua. Kam qenë me fat që kam lënë Italinë dhe shpresoj të kthehem aty. Sapo kam bërë një Stranviski në Verona. Ishte një kthim pas 30 vjetësh, por jam i kënaqur që ndodhi tani dhe jo më parë.
Kam dëgjuar shumë koreografë që thonë se tanimë ka shkuar koha e klasikes, ju si mendoni?
Është e vështirë të përgjigjesh. Klasikja duhet bërë gjithnjë me një nivel të lartë. Nëse bën diçka klasike, jo me nivel, më mirë mos e bëj fare. Nuk e toleroj dot një “Liqen mjellmash”, apo një “Zhizel” të shëmtuar. Preferoj të shkoj më mirë, vetëm në ato 5 teatro ku realizojnë një “Liqen mjellmash” të mrekullueshëm. Jam pak fondamentalist në punën time. Modernia hyn gjithnjë, kur ka një problem me cilësinë. Klasikja do të pëlqehet gjithnjë nëse është e bërë mirë. Klasikja të ndihmon të rritesh, por në të njëjtën kohë të krahason gjithnjë. Është tjetër gjë nëse dëshiron të vësh një variant tjetër të një vepre klasike dhe kërkon mekanizma të tjerë modernë. Sapo kam parë një vënie të “Don Kishotit”, e cila m’u duk shumë e pluhurosur, me ato veshje, me kurora e paruke… Thashë: Zot, ende vazhdojnë të bëjnë nga këto gjëra?

“Traviata” e diplomatëve

Një premierë në rang diplomatik ajo e një prej operave më popullore të kompozitorit italian, Giuseppe Verdi. Ndonëse një rivënie, “Traviata”, e cila iu rikthye skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ditën e shtunë, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të publikut të përhershëm të operës, por edhe të diplomatëve të huaj në Tiranë. Lozha e nderit ishte e mbushur si asnjëherë tjetër me përfaqësues të flamujve të ndryshëm, që nga Europa në SHBA. Në premierën e së shtunës ishte i pranishëm ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, në Tiranë, ai i Rumanisë, Zvicrës, Bullgarisë dhe Hungarisë. Fatmirësisht, ka qenë një natë e suksesshme dhe diplomatët u larguan të kënaqur nga teatri shqiptar. Kësaj here “Traviata” erdhi nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, me skenografi të Taulant Pustinës dhe kostumografi të Hysen Devollit. Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u drejtua nga dirigjenti Peter Tiboris, ndërsa kori nga Dritan Lumshi. Në rolin e Violeta Valerisë interpretoi sopranoja Eva Golemi, në rolin e Alfredos, tenori italian Fabio Andreotti, të Zhermonit, Ylber Gjini, të baronit, Sidrit Bejleri etj. “Traviata” u rishfaq mbrëme dhe do të vijojë edhe nesër e pasnesër në mbrëmje. “Traviata”, një nga veprat më të njohura të kompozitorit italian Xhuzepe Verdi, është një opera me tri akte, me libret të Françesko Maria Piaves, i cili u mbështet në romanin e Aleksander Dumasë (i biri).

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura