Vrasja e 28-vjeçarit, krimi u cilësua si “grindje e çastit”

Nov 30, 2015 | 10:51
SHPËRNDAJE

Vrasja e Klement Hoxhallarit, inspektorit të Punës, ndodhi në 9 qershor të vitit 2014, në qytetin e Pogradecit. Viktima, 28 vjeç, u qëllua në një bilardo, në shëtitoren “Europa”.

Viktima, Klement Hoxhallari
Viktima, Klement Hoxhallari

I plagosur rëndë ai arriti të zvarritej për gati 100 metra, derisa u ndihmua nga kalimtarë të rastit, duke u transportuar në spital. Për shkak të plagëve të rënda, inspektori i Punës ndërroi jetë pas pak minutash. Fillimisht u dyshua se vrasja kishte lidhje me detyrën që ushtronte prej 6 muajsh Hoxhallari, por më tej kjo pistë u rrëzua. Në atë kohë, policia lokale deklaroi se krimi kishte ndodhur si rrjedhojë e një grindjeje banale gjatë lojës së bilardos.

Pas gati dy orësh u bë ndalimi i autorit të identifikuar nga polica, Elton Bregu, banor i qytetit të Korçës. Nga hetimet u konfirmua se mes palëve kishte pasur konflikt pronësie më herët, duke provokuar dhe sherrin gjatë kohës kur u përballën në bilardo. Bregu e pranoi krimin, duke treguar në polici se e kishte qëlluar Hoxhallarin në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi ishte sulmuar më herët prej tij.

Autori i arrestuar kishte lidhje farefisnie me personat që i kishin shitur tokën ku familja Hoxhallari ndërtoi një furrë buke, në fshatin Starovë të Pogradecit. Megjithëse u krijua kjo lidhje në hetimet e para, më tej u mor për bazë dëshmia e Bregut se ai ishte konfliktuar fizikisht me Klement Hoxhallarin, pas përballjes rastësore në bilardo.

Veç tij u identifikua dhe Redi Kazerma, banues në Pogradec, i cili u shpall në kërkim për moskallëzim krimi. Pas disa muajsh, Kazerma u vetëdorëzua në polici, duke treguar se ai kishte qenë rastësisht i pranishëm në vendin ku ndodhi vrasja e 28-vjeçarit, por duke e përjashtuar veten nga përfshirja në krim. Prokuroria e Pogradecit kërkoi dënimin e tij për moskallëzim krimi dhe Gjykata e këtij rrethi e dënoi me 1.6 vjet heqje lirie.

Ndërkohë, Elton Bregu u dënua me 18 vjet, por me gjykim të shkurtuar dënimi iu ul në 12 vite. Pavarësisht pretendimeve të familjes Hoxhallari se bëhej fjalë për një krim të mirorganizuar dhe që kishte për protagonistë të tjerë persona, kjo nuk u vërtetua në gjykatë. Vetë autorët e akuzuar e apeluan çështjen për të përfituar nga Gjykata e Apelit. Nuk dihet nëse do të kalojë në Gjykatën e Lartë kjo çështje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura