Vorpsi: Ligji aktual dëmton financiarisht ish-pronarët! Fatura financiare e legalizimeve gropos financat e shtetit

Mar 1, 2021 | 9:05
SHPËRNDAJE

Kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myshit Vorpsi, tregoi dje gjatë prezantimit të programit politik të PD-së për pronat, problemet me të cilat hasen aktualisht pronarët. Orientimi në dyert e gjykatës nga ana e qeverisë vetëm sa rrit kostot e ish-pronarëve.

myshit vorpsi

“Janë 7 mijë dosje, thotë zonja Mandia, sipas një informacioni zyrtar që ne kemi pasur qysh nga herët domethënë, në këto dosje kërkesat e pronarëve shqiptarë kanë qenë për jo më pak se 144 mijë hektarë tokë bujqësore, pyll edhe kullotë dhe rreth 4200 tokë truall. Shteti shqiptar, nëpërmjet ligjit, u ka thënë këtyre pronarëve që kanë kërkuar tokë, që shkoni në dyert e gjykatave shqiptare. Duke filluar nga 4 marsi i 2019-ës, Agjencia e Trajtimit të Pronës e ka mbyllur këtë proces dhe u thotë pronarëve shqiptarë: ‘Ejani tërhiqeni dosjet dhe ikni në dyert e gjykatave shqiptare’. Është një fatkeqësi në të vërtetë, realisht, sinqerisht, një çështje gjyqësore nuk të kushton më pak se 2 mijë euro, po nuk është një çështje gjyqësore, mund të jenë ndoshta 7 mijë dosje, ose diçka më tepër, janë 7 mijë e më tepër për procese gjyqësore. Sikur të llogarisim vetëm 2 mijë euro për një proces gjyqësor minimal janë shifrat, po flas me shifra minimale, sepse janë 3 shkallë të gjyqësorit që duhen të kalohen sipas ligjit 133 dhe pika e fundit fare që ndoshta duhet të them është edhe ndjeshmëria në raport me ligjin e legalizimeve”, tha Vorpsi.

FATURA FINANCIARE

Më tej, kreu i shoqatës kërkoi që të rishikohet ligji edhe për shkak të faturës financiare që krijon për shtetin, pasi sipas tij, e falimenton. “Në pikëpamje ekonomike, ai ligj është i dështuar, është i dështuar, sepse është e pamundur që shteti shqiptar të trajtojë me çmime preferenciale personat që kanë përfituar tokat, në kuadër të ligjit të legalizimeve, dhe nga ana tjetër, të marrë përsipër me ligj si detyrim që të dëmshpërblejë pronarët shqiptarë me faturën e plotë. Fatura financiare që do të prodhojë ligji i legalizimeve me këtë skemë që kemi do të jetë e tillë që do të groposë financat e shtetit shqiptar. Është emergjente ndoshta, mendoj unë, dhe e domosdoshme që ju si forcë politike ta rishikoni këtë pjesë. Sa i takon kthimit të pronës pronarëve dhe kjo është e fundit me të cilën dua ta mbyll, më vjen mirë që e dëgjoj. Më vjen mirë që ka një angazhim nga Partia Demokratike për të rishikuar këtë situatë dhe për të pranuar me vullnet domethënë ato detyrime që rrjedhin në raport me trajtimin e drejtë të çështjes së të drejtës së pronës”, tha Vorpsi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura