VIDEO/ Në hetim për 34 akuza, Donald Trump i uron ditëlindjen bashkëshortes nga gjykata! Ish presidenti ankohet për temperaturat në sallë: Po ngrijmë!

Apr 26, 2024 | 21:34
SHPËRNDAJE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pak para se të hynte në gjykatë në Nju Jork, ku po gjykohet për pagesat ndaj ish-yllit të pornos, Stormy Daniels, ka thënë dy fjalë për bashkëshorten e tij, Melania Trump.


Donald Trump e shfrytëzoi pushimin e tij mes seancave gjyqësore për t’i uruar Melania ditëlindjen me një mesazh të fokusuar kryesisht tek ai dhe gjyqi ndaj tij.

“Dua të filloj duke i uruar gruas sime Melania një ditëlindje të lumtur. Do të ishte mirë të isha me të, por unë jam në një gjykatë për një gjyq të orkestruar”, u shpreh ish-presidenti amerikan.

“Ajo është në Florida”, tha ai për gruan e tij, e cila nuk është paraqitur fare në gjykatë, ndërsa tha se do të shkonte pranë saj “pasi të përfundojë ky rast i tmerrshëm, antikushtetues”.

Melania Trump, siç theksohet nga mediat e huaja, mungonte gjatë paraqitjeve të ish-presidentit në gjykatë dhe në fushatën elektorale, teksa ai përpiqej të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-presidenti më pas u ankua se gjykata po mbahej në temperatura të ulta qëllimisht, gjë të cilën ai e kishte ngritur për herë të parë javën e kaluar.

“Ne kemi edhe një ditë tjetër gjykimi në një gjykatë të ngrirë. Aty është shumë ftohtë. Me qëllim, besoj. Ata nuk duket se janë në gjendje të rrisin temperaturën. Nuk duhet të jetë aq e komplikuar”, tha ai me ironi. “Unë jam ulur këtu për ditë të tëra, nga mëngjesi deri në mbrëmje, në atë dhomë ngrirje. Të gjithë po ngrinin atje”, tha ai më pas.

Në gjyq, Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me kompensimin për një bashkëpunëtor, Michael Cohen, në mënyrë që t’i paguajë yllit porno Stormy Daniels 130,000 dollarë pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 për takimet e tyre disa vite më parë. Ish-presidenti i ka mohuar të gjitha akuzat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura