Vlerësimi i “Moody’s”: Borxhi publik është i qëndrueshëm

Dec 10, 2016 | 9:40
SHPËRNDAJE

Agjencia ndërkombëtare e borxhit “Moody’s” ruajti vlerësimin me notën B1 për borxhin publik në vend. “Moody’s” në raport nënvizon se perspektiva në vlerësimin me notën B1 për borxhin publik është e qëndrueshme, ndërsa financat janë përmirësuar për shkak të konsolidimit fiskal.

ahmetaj

Agjencia deklaron se borxhi publik është në rënie, ndërsa në 2017- n pritet të arrijë 69 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Edhe pse borxhi publik është në rënie, sfidat e qeverisë për borxhin publik mbeten të larta. Në 2017-n, borxhi publik do të zbresë në 69 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pasi kishte arritur në 73.3% të PBB-së në vitin 2015, ne presim që borxhi të bjerë në rreth 65% në vitin 2018, duke përfituar nga rritja ekonomike, si dhe përpjekjet për konsolidimin fiskal ashtu siç është rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të arritur bilancin primar prej 0.7% në vitin 2017, më e larta në 25 vjet, dhe duke arritur në 1.8% në 2019-n”, thuhet në raport.

Ndërsa për rritjen ekonomike “Moody’s” vlerëson se për këtë vit do të jetë 3.4 për qind. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha në rrjetet sociale për vlerësimin e kompanisë “Moody’s” se konfirmon realizimin e reformave dhe rritjen ekonomike të qeverisë.

“Konsolidimi fiskal dhe reformat në çdo sektor, arritjet e ekonomisë, edhe sipas ‘Moody’s’. Kompania prestigjioze e vlerësimit të riskut të kreditit ka ruajtur vlerësimin e saj B1 stabël për ekonominë shqiptare, duke konfirmuar kthesën e madhe të shënuar në tri vitet e fundit, aspak të lehtë, por vendimtarë për ekonominë e vendit në vitet e ardhshme. ‘Moody’s’ konfirmon se nga tremujori i parë 2014 e në vazhdim, ekonomia shqiptare ka shënuar një trend rritës dhe përshpejtues, duke zgjeruar bazën, të mbështetur nga konsumi i familjeve e investimet dhe se projeksionet tona dhe të partnerëve ndërkombëtarë për një rritje 3.4% në 2016-n e më tej 3.8% në 2017-n janë më se realiste”, u shpreh Ahmetaj.

Për vlerësimin e borxhit me notë B1, ministri i Financave u shpreh: “Një vlerësim domethënës për menaxhimin eficent të borxhit publik: “Rritja e afatit mesatar të maturimit të borxhit në 729 ditë në shtator 2016, nga 360 ditë që ishte në vitin 2011, ka ulur nevojat e qeverisë për huamarrje bruto në 20% të PBB në 2016-n nga rreth 40% në 2013-n”. Debati emocional për ekonominë ka gjithmonë shifrat përballë dhe shifrat janë kokëforte po aq sa e vërteta. Ne nuk qeverisim me borxh. Borxhi në 2017-n do të zbresë në 69.1%. Deficiti, më i ulëti në 25 vitet e fundit”, u shpreh Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura