VIDEO/ Veliajt paralajmërim për protestuesit te Teatri: Janë si çeta të vogla. Godina e re do bëhet…

Dec 26, 2019 | 15:06
SHPËRNDAJE


Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi sot mbledhjen e fundit për këtë vit dhe miratoi gjithashtu buxhetin për vitin 2020.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Veliaj tha se vitin e ardhshëm do të marrin jetë shumë projekte të reja përfshi edhe atë të Teatrit Kombëtar. Ai i quajti qytetarët që protestojnë kundër prishjes së tij “një çetë e vogël” të cilët sipas tij “kundërshtojnë në kurriz të shumicës”.

“Jam i vendosur, unë besoj dhe ju që t’i shkojmë deri në fund çdo projekti që transformon Tiranën dhe e bën atë më të mirë për fëmijët tanë. Megjithatë, kemi parë shpeshherë që për çdo projekt madhor të Tiranës, si dikur, protestat te këndi i lodrave e lodrat te Liqeni apo Sheshin Skënderbej, të ngrihen çeta me individë që duan të ndalojnë punët e qytetit. Tani është bërë si modë: Sa herë ka një punë të madhe në qytet, ngrihet një çetë respektive, e vogël që e kundërshton, në kurriz të shumicës së heshtur që do zhvillimin e Tiranës. Janë të njëjtët që duan të pengojnë zhvillimin, hiqen si të dashuruar pas artit, njëherë si të dashuruar pas mjedisit. Janë të njëjtët njerëz dhe kur vjen fjala për punë, është e fundit që e duan, pasi janë të interesuar vetëm për pengim dhe bllokim”, deklaroi Veliaj.

Më tej ai paralajmëroi se kushdo që do të përpiqet të pengojë projektet do të ketë fatin e banorëve të Astirit.

“Sot dua ta bëj të qartë se çdokush që pengon zhvillimin do të ketë fatin dhe përfundimin e asaj që ndodhi para pak ditësh te Astiri. Tirana nuk ndalet! Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugët, duan Piramidën, duan Teatrin, duan Bulevardin e Ri dhe zhvillimin aty, duan transformim në çdo lagje e çdo cep të qytetit. Askush nuk do të guxojë që të ndalë “orën” e Tiranës”, shtoi Veliaj.

Kujtojmë se para disa javëve, forcat e IKMT ndërhynë në zonën e Astirit me ndihmën e policisë për të prishur banesat e banorëve të zonës. Gjatë operacionit pati përplasje me protestuesit ndaj të cilëve u hodh gaz lotsjellës dhe gjithashtu pati shoqërime në komisariat.

Buxheti i miratuar sot nga Këshilli Bashkiak i Tiranës është më i madhi në historinë e saj duke shënuar një rritje me 11% nga buxheti i vitit të kaluar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura