Video erotike e Sokol Ballës, Eni Çobani: Ishte në dhomën e tij, s’ka joshur për punë

May 1, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Javën e kaluar politika mbeti pa vëmendjen kryesore mediatike. Edhe rrjetet sociale e kaluan çështje dytësore lavdërimin apo përgojimin e kandidatëve të partive për zgjedhjet lokale. Të gjithë sytë e veshët shkuan te disa pamje filmike të shkurtra dhe foto personale të gazetarit Sokol Balla, drejtues dhe autor i emisionit “Top Story”. Videot ishin rezultat i një sulmi ndaj jetës private të gazetarit, për të cilat Balla bëri një sqarim publik në televizionin ku ai punon dhe përkohësisht ka preferuar të rrijë pak kohë larg ekranit.

Eni Çobani

Ndërkaq, ashtu siç ka paralajmëruar vetë Balla, tashmë ka nisur një betejë ligjore që ai të jetë viktima e fundit e këtij sulmi të paprecedentë ndaj privatësisë së individit. Por a kemi ne ligje kundër fenomeneve të tilla, që janë në koherencë me zhvillimet e fundit teknologjike?

Juristja Eni Çobani bën thirrje për një emergjencë të ligjit “për privatësinë”, teksa flet për gazetën “Panorama”. “Po shkatërrohen familje dhe karriera”, vëren drejtuesja e emisionit mjaft popullor “Shihemi në gjyq”, pjesë e programit “E Diela Shqiptare”, që transmetohet në TV Klan.

Përgjithësisht, në Shqipëri ka patur më shumë raste meshkujsh publikë me privatësi të thyer, por që gjithsesi duket se shoqëria shqiptare i ka kapërcyer më me lehtësi, se sa e paragjykojmë. Po sikur të ishte femër, personazhi publik i piratuar në intimitet? Eni Çobani mendon se nuk do të kishte kaq solidaritet, si në rastet mashkullore…

Le ta pranojmë, videon e pamë “të gjithë”… Cili qe reagimi juaj i parë?

Ishte emergjenca për të patur një ligj të fortë kundër vjedhjes së materialeve private dhe publikimit të tyre, me çfarëdolloj përmbajtje qofshin. Duhet ta kthejmë ligjin e “privacy”, në një nga ligjet më frenuese kundër keqpërdorimit të imazhit, të jetës private, të shpifjeve.

Është aktualisht një ligj për privatësinë…

Duhet ligj i detajuar sepse teknologjia ka avancuar. Vetë evolucioni i ngjarjeve, evolucioni i rrjeteve sociale, i teknikave të përgjimit e spiunimit etj., na detyrojnë për ndryshime ligjore. Interneti po bëhet një shkatërrim sa i përket karrierës dhe personalitetit, spiunimi e përgjimi po ndodh kudo me stilolapsa, ora, vëth, unaza etj., dhe nuk e di me kë po flet. Duke mos e ndarë pjesën e jetës publike me atë private, sot po shkatërrohen familje, po shkatërrohen karriera që janë ngritur me zor ndër vite.

Ku mund ta ndajmë privaten me publiken, kur bëhet fjalë për një personazhe të njohur?

E ndan një pe i hollë, kuptohet. Por në rastin konkret që po flasim, është tejet private. Është bërë në dhomën e personazhit, në privatësinë e tij, pa prezencën e askujt. Zhvillimet që ndodhin aty janë zgjedhje individuale, që nuk kanë të bëjnë me jetën e askujt tjetër.

Po sikur të kishte ndodhur në një tjetër ambient, p.sh. në zyrë?

Implikimi i zyrës, implikimi i ambienteve publike, implikimi i personave të tjerë në krah dhe që janë zhvilluar në ambiente publike, është tjetër gjë. Ashtu ngatërrohet figura publike me jetën private dhe implikimi kthehet në ligjor. Ndërkohë, situata e Ballës është krejt tjetër, fusha e tij private është krejt e pastër, pa asnjë lidhje me jetën publike. Balla ka qenë totalisht vetëm, në ambientin e tij privat. Nuk ka implikuar askënd, as ka ofenduar njeri, as ka joshur njeri për punë, as ka përmendur emra, thjesht ka qenë në intimitet të tij, krejt jashtë sferës së punës e jetës publike. Veprimet janë zgjedhje të trupit të tij, që nuk mund t’i gjykojë asnjeri. Janë gjëra thellësisht private, që as duhen diskutuar…

Edhe pse është personazh publik?

Edhe pse është personazh publik, pasi dhoma e gjumit është private. Gjërat private nuk duhen përdorur nga askush, as individ, as institucion, as media, askush, ndaj them se duhet në mënyrë emergjente ligji i “privacy”…

Po vetë personazhet publike, a duhet të jenë më të kujdesshëm?

Ngjarja duhet të shërbejë edhe si mesazh për çdo koleg të medias dhe fushave të tjera publike, që duhet të jemi të kujdesshëm me sjelljet. Megjithatë, në jetën private, njeriu nuk mund të jetë kaq i kufizuar. Se ne tani po kërkojmë që të kufizohemi në çdo gjë dhe ne nuk mund të jemi kaq të kufizuar, se prandaj jemi njerëz. Prandaj i gëzohemi lirisë dhe liria është që ne të kemi të drejta individuale që të mos na i shkelë askush. Gjithë ngjarja që paraqitet në video është një liri, një liri për të vepruar me trupin siç dëshiron, pa prishur qetësinë e askujt. Në momentin që liria ime nuk cenon lirinë e tjetrit, atëherë nuk ka asnjë problem.

 E zëmë sikur u gjet fajtori/ fajtorja e publikimit të kësaj videoje. A mund të zgjidhet kjo çështje me ndërmjetësim?

Po, edhe kjo çështje zgjidhet me ndërmjetësim, me dëmshpërblim financiar.

A mund ta lajnë financat një dëmtim imazhi të tillë, që rrezikoi shkatërrim karriere dhe familje? Çfarë shume do ta lante këtë dëm?

Dëmi është i jashtëzakonshëm dhe sigurisht ngelet në sy “e keqja”. Por të paktën zhdëmtimi financiar e moral, me një vlerë monetare dhe më një kërkesë falje nga fajtori/fajtorja, do të ishte e drejtë. Zhdëmtimi moral është shumë i rëndësishëm, fitohet një e drejtë, pastaj se sa e besojnë të tjerët, kjo ka pak rëndësi.

Falja e fajtorit/fajtores a duhet të jetë publike, meqë ngjarja ishte publike?

 Besoj falje publike. Do ta ftoja Sokolin në emisionin tim, nëse ai do gjykonte se personi që do kishte përballë, do ia vlente që ta pranonte për t’i kërkuar falje. Do t’ia bëja këtë ftesë në emisionin jo vetëm si një koleg, por edhe sepse njihemi herët.

Pas publikimit të videos, duke parë komentet nëpër mediat online dhe rrjetet sociale, pati goxha solidaritet për Ballën nga shoqëria shqiptare dhe personalitetet publike. Mendoni se ka ndryshuar mentaliteti shqiptar lidhur me intimitetin dhe a do të ishte e njëjta sjellje, nëse në vend të Ballës do të ishte një personazh publik femër?

Lakuriqësia është problem i madh i njerëzve, prandaj evolucioni ka bërë që njerëzit të mbulohen. Janë mbuluar pikërisht për ato pjesë intime, që janë private dhe s’mund të bëhen publike. Pra janë të miat, ia tregoj njeriut tim të dashur, me të cilin kam zgjedhur të jetoj. Kjo na bën njerëz, ndryshe do jetonim në botën primitive, ku njerëzit do jetonin lakuriq e nuk e kishin problem. Lakuriqësia nuk është turp, është diçka që ecën me vetë njeriun. Ne lakuriq lindim, por vishemi rrugës. Dhe nuk vishemi vetëm me rroba, por vishemi me personalitet, me autoritet dhe jetë…. Në rast se do kishte qenë femër, jeta private është e njëjtë për çdo njeri, nuk ka gjini kjo gjë. Por besoj se në rastin ku në videon intime shfaqet një mashkull, ka pasur solidaritet mashkullor, sepse vetë shoqëria shqiptare është maskiliste. Po të ishte një femër, konotacioni do të ishte shumë më negativ. Dhe asaj do t’i visheshin të tëra epitetet e mundshme. Pra, jeta fiziologjike dhe biologjike pranohet për burrat, ndërsa për femrat jo. Por edhe femrat kanë dëshira, pasione, hobe, që normalisht janë private dhe i shprehin në ambiente private. Kështu që nuk mund të dënosh një veprim privat, kur ai nuk cenon një ambient publik dhe ky duhet të jetë parimi i gjithkujt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura