VIDEO-“Aset për vendin dhe diplomacinë shqiptare”/ Et’hem Ruka: Dervishi, një ambasador i shkëlqyer

Oct 23, 2020 | 9:14
SHPËRNDAJE

“Një aset për vendin dhe diplomacinë shqiptare”, kështu e kanë quajtur figurën dhe kontributin gjysmëshekullor të ambasadorit Dashnor Dervishi disa prej personaliteteve të pranishme në ceremoninë e promovimit të librit të tij me kujtime “50 vjet marrëdhënie me jashtë”.

Një tjetër diplomat karriere, Bashkim Zeneli, do të vlerësonte lart kontributin e Dervishit dhe do të nënvizonte faktin se figura të tilla i mungojnë diplomacisë shqiptare. Madje, ai nuk do të ngurronte të thoshte se diplomatët e sotëm nuk i njohin as në Ministrinë e Jashtme.

“Ambasadorë si Dashnor Dervishi i mungojnë vendit tonë dhe kur shohim sot pas 30 vjetësh demokraci që kemi ambasadorë që shkojnë nga njëri vend në tjetrin dhe që as në Ministrinë e Jashtme nuk ua dinë emrat, është një fatkeqësi e madhe. Të shkruash një libër me kujtime është një gjë tepër e vështirë, por ai është treguar mjeshtër për të mos u vetëlavdëruar dhe për t’i thënë gjërat ashtu siç kanë qenë, me përgjegjësinë e madhe të një shtetari, të një diplomati, të një punonjësi të shkëlqyer të administratës publike, qoftë dje, qoftë sot”, u shpreh diplomati Bashkim Zeneli.

Et’hem Ruka, ish-politikan dhe personalitet në fushën e arsimit shqiptar, do të vlerësonte veprën, por edhe karrierën e Dervishit.

“Një libër i shkruar me një përgjegjësi të jashtëzakonshme”, shprehet Et’hem Ruka, rektor i Universitetit “Luarasi”, teksa shton se Dervishi “ka përfaqësuar Shqipërinë si një nga ambasadorët më të shkëlqyer dhe më jetëgjatë të Republikës së Shqipërisë. Nuk i thonë pak 50 vite karrierë në diplomaci, me një jetëgjatësi dhe shtrirje gjeografike në Europë, Amerikën Latine e shumë vende të botës. Do t’ju ftoja ta lexonit me ëndje këtë pjesë të historisë së diplomacisë shqiptare. Je një aset për vendin tonë, për Grupin ‘Hysenbelliu’, me një kontribut të shkëlqyer në rritjen e universitetit ‘Luarasi’”.

“Këto kujtime janë një thesar diplomatik i paçmuar. Në gjithë veprimtarinë e tij diplomatike anembanë botës, në periudha nga më të ndryshmet dhe kontroverset, është shpirti i palëkundur patriotik i Dashnor Dervishit”, u shpreh Lisien Bashkurti.

Të tjera konsiderata do të vinin nga të pranishmit në ceremoni, të cilët vlerësuan librin për dëshmitë, por edhe analizën e thellë. “Ky nuk është një libër thjesht me kujtime, por kujtimet vijnë si pjesë e një analize logjike dhe profesionale të situatave dhe personazheve të ndryshëm”, shtoi më tej drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura