Vetingu, Kushtetuesja shqyrton padinë e gjyqtarëve

Jul 18, 2017 | 7:50
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim të mërkurën padinë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë që kërkon shfuqizimin e disa neneve të ligjit të vetingut.

Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese

Shoqatat kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të pikave në ligj që legjitimojnë mbledhjen e informacioneve nga dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë, nga përgjimet telefonike të kryera nga agjencitë ligjzbatuese apo nga dëshmi konfidenciale që mund të mbërrijnë në institucionet e vetingut nga oficerë apo agjentë të policisë gjyqësore.

Shoqatat kërkojnë gjithashtu që gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në procesin e vetingut të kenë të drejtën të japin dorëheqjen në çdo kohë, duke sjellë si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit.

Sipas ligjit për “rivlerësimin kalimtar”, kjo e drejtë ka skaduar tri muaj pas hyrjes në fuqi të tij. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë që do të përfaqësohet nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, argumenton se nëse padia e dy shoqatave të gjyqtarëve do të aprovohej, procesi i kontrollit të figurës nuk do të kishte asnjë ndryshim nga procesi i dekriminalizimit.

Ndërkohë, ligjvënësi ka pasur parasysh një proces krejt të ndryshëm, që lidhet me vlerësimin tërësor të pastërtisë së figurës me qëllimin e rikthimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. “Pretendimet se në procesin e verifikimit të figurës duhet të përdoren vetëm vendimet gjyqësore nuk qëndrojnë, pasi qëllimi parësor i ligjit është të evidentojë nëse gjyqtarët ose prokurorët janë të përshtatshëm për ushtruar funksionet e tyre përmes një procesi administrativ/ disiplinor dhe jo përmes një procesi penal”, thekson Kuvendi.

Sa i përket ankesës për shtrirjen e kontrollit të figurës edhe te personat e lidhur, Kuvendi rikthen në vëmendje opinionin e Komisionit të Venecias që “nuk e quan këtë një gjë të vështirë, nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë realisht lidhje me krimin e organizuar”.

Ndërkohë, Kuvendi thekson se një praktikë e ngjashme ndiqet nga punonjësit civilë dhe ushtarakë të NATO-s, familjarët e afërt të të cilëve kanë gjithashtu detyrimin për të raportuar mbi lidhje të papërshtatshme. Lidhur me kërkesën që gjyqtarët ose prokurorët duhet të kenë të drejtë në çdo kohë të japin dorëheqjen, Kuvendi shpjegon se kufizimi tre-mujor është vendosur vetëm për “dorëheqjen e privilegjuar”, e cila parashikon edhe përfitimin e një pagese kalimtare.

“Dorëheqja është një e drejtë kushtetuese dhe ligjvënësi nuk ka pasur për synim ta kufizojë atë. Sipas nenit në fjalë, subjekti i rivlerësimit që jep dorëheqjen pas përfundimit të këtij afati nuk mund të kërkojë pagesë kalimtare”, argumenton Kuvendi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura