Vendorët kundër Qeverisë, në kaos taksat dhe financat

Feb 10, 2016 | 14:11
SHPËRNDAJE

Drejtuesit e pushtetit vendor kanë shpërthyer dje kundër qeverisë, pasi, sipas tyre, pas ndarjes territoriale bashkitë e reja ndodhen në vështirësi financiare. Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri, duke folur në emër të shoqatës së vendorëve tha se bashkitë janë të zhytura në borxhe dhe kërkoi që qeveria të marrë masa për përmirësimin e gjendjes financiare.

biznes-taksa1

Ai kërkoi mbështetje financiare nga qeveria pas delegimit të funksioneve të reja që u bëhen vendorëve. Financat zgjidhjen nuk do ta japin duke shtuar buxhetin për vendorët, por me hartimin e një ligji më të mirë për mbledhjen e të ardhurave, ku përfshihen edhe koncesionet. Kapri tha se në Bashkinë e Pogradecit, borxhi që gjeti ishte 5,5 milionë dollarë.

“Bashkitë janë të mbytura në borxhe dhe duhen marra masa për të dalë nga humnera financiare. Në 2015, buxheti për Bashkinë e Pogradecit ishte 6,5 milionë dollarë dhe e dini se sa ishte borxhi që gjeta, ishte 5,5 milionë dollarë. Ne kërkojmë të na jepet mbështetje financiare për funksionet e reja që na janë deleguar. Transferta e pakushtëzuar është 2,4 miliardë lekë dhe me këtë fond nuk mund të mbahen 4 personele”.

Qeveria ofroi si zgjidhje hartimin e një ligji specifik për financat vendore, ku nuk do të jetë në varësi të ligjit të buxhetit. Në ligj do të parashikohet që edhe qeverisjet vendore të aplikojnë për koncesione dhe dhënia e tyre do të trajtohet në ligj. Në tërësi ligji parashikon rregullimin e marrëdhënieve fiskale, kur vendorët janë në vështirësi fiskale, se cili është shkaku dhe si do të zgjidhet situata.

Kapri ngriti edhe shqetësimin e përkufizimeve konfuze në ligjet financiare të ndarjes së taksave dhe tarifave, ku, sipas tij, vendorët nuk orientohen, pasi ato ndryshohen pa u pyetur. Financat parashikojnë që ligji t’u japë zgjidhje përkufizimeve konfuze, por edhe të shtojë komunikimin mes qeverisë dhe vendorëve. Drejtori i monitorimit të buxhetit në Ministrinë e Financave, Fran Ibrahimi, tha se ligji specifik për financat vendore do të adresojë zgjidhjen e problemeve, të ndarjes së taksave dhe tarifave.

Ai tha se te ligji i financave vendore do të trajtojë edhe aplikimin e koncesioneve në njësitë vendore. Nga ekspertët për taksat vendore të USAID-it, u rekomandua që të përmirë- sohet mbledhja e taksës e taksës së pasurisë dhe ajo e ndikimit në infrastrukturë. Për taksën e pasurisë, ekspertët e USAID-it konstatuan si mangësi mungesën e një baze të plotë të pasurive të paluajtshme dhe mungesa e komunikimit mes hipotekave dhe pushtetit vendor.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura