Vendimi, tekste shkollore falas edhe për klasën e pestë

Aug 2, 2019 | 8:55
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Zgjerohet gama e përfituesve të teksteve shkollore falas. Këshilli i Ministrave ka vendosur këtë vit që t’i japë tekste në përdorim gjithë ciklit fillor, duke rritur numrin e nxënësve, me shtimin edhe të klasës së pestë.

nxenes

 

Por, ndryshe nga viti i kaluar, vendimi lë të kuptohet që nxënësit e klasës së parë do të mund t’i ruajnë kujtimet e para, pasi tekstet do t’i kenë përgjithnjë, pasi çdo vit do të blihen të reja. “Nxënësve që ndjekin arsimin fillor në klasën e parë në institucionet arsimore publike, u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. Nxënësve që ndjekin arsimin fillor në institucionet arsimore publike nga klasa e dytë deri në klasën e pestë, u jepen tekstet shkollore në përdorim falas”.

Ndonëse vendimi ka dalë me pak ditë vonesë, parashikohet që lista e nxënësve që duhet të marrin tekste falas të përllogaritet brenda muajit korrik me qëllim që deri në fundin e muajit gusht, periudhë kur nis ndarja e librave, ato të jenë gati për nxënësit.

“Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar nga Ministria përgjegjëse për Arsimin. Institucionet arsimore publike, si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, përcaktohet në vendim. Vitin e shkuar, klasa e pestë ishte e vetmja që mësonte me kurrikula të vjetra, çka u pa si alibi nga ana e qeverisë për të mos mundësuar tekste falas për gjithë ciklin fillor.

Sakaq, ka premtuar që brenda pak vitesh, të ofrojë tekste në përdorim pa pagesë për ciklin 9- vjeçar. Duhet theksuar se në fund të çdo viti është një procedurë shumë e gjatë për kthimin e tyre, që nga fshirja me gomë e librave deri te dorëzimi në komisionin shkollor, çka ka ngritur pakënaqësi te shumë prindër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura