Intervista/ Shefi i Radioterapisë: 7 mijë raste të reja me kancer çdo vit në Shqipëri! Në popullatat rurale diagnostikimi ndodh në fazë të avancuar

May 6, 2024 | 14:34
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ Në një intervistë për gazetën “Panorama”, shefi i Njësisë së Radioterapisë pranë këtij shërbimi,Orges Spahiu tregon se sëmundjet tumorale vrasin afro 10 milionë njerëz në vit dhe rreth 70% të tyre janë të moshës mbi 65 vjeç.

orges spahiu1

Më tej, ai shton se prej disa vitesh mundësitë e trajtimit dhe diagnostikimit kanë pësuar një transformim rrënjësor tek Onkologjiku.

Si paraqiten shifrat e pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale? Po statistikat lidhur me vdekshmërinë nga kjo sëmundje?

Kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjes në mbarë botën. Në Shqipëri regjistrohen mbi 7000 raste te reja me kancer në vit, ku rreth 90% e tyre marrin trajtim në QSUNT. 10 milionë njerëz vdiqën nga kanceri në 2020 në mbarë botën. 70% e vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta deri në mesatare. Më pak se 30% e vendeve me të ardhurave të ulëta kanë shërbime të disponueshme të trajtimit të kancerit (krahasuar me 90% në vendet me të ardhura të larta). Mbi 350,000 fëmijë në vendet me të ardhura të ulëta u mungon trajtimi ndaj kancerit. Për gratë e bardha në SHBA, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare për kancerin e qafës së mitrës është 71%. Për gratë me ngjyrë, norma është vetëm 58%. Kanceri vret afro 10 milionë njerëz në vit dhe rreth 70% të tyre janë të moshës 65 vjeç e lart, por popullatat më të vjetra përballen me barriera disporpocionale për trajtimin efektiv.

Mund të na përmendni disa prej barrierave që ndikojnë negativisht te qasja ndaj shërbimit për trajtimin e kancerit?

Ndërkohë që jetojmë në një kohën e një përparimi të jashtëzakonshëm sa i përket parandalimit, diagnozës dhe trajtimit të kancerit, ka njerëz që hasin barriera në çdo hap.

Të ardhurat, arsimi, vendndodhja gjeografike, gjinia, orientimi seksual, mosha, paaftësia dhe mënyra e jetesës janë vetëm disa nga faktorët që mund të ndikojë negativisht tek aksesi ne shërbim dhe kujdes. Barrierat e identifikuara nga OBSH që qëndrojnë përgjatë rrugës së kujdesit ndaj kancerit përfshijnë: normat gjinore dhe diskriminimin, statusin socio-ekonomik, ndarjen fshat-qytet, diskriminimin në moshë, homofobia, transfobia dhe të ngjashme si diskriminimi. Barrierat për kujdesin ndaj personave me aftësi të kufizuara. Ku jeton? Kush je ti? Nga vjen? Çfarë bën? Kë doni? Këto quhen përcaktuesit socialë të shëndetit dhe ato përfaqësojnë faktorët e shumtë që mund të çojnë në pabarazi.

Si ndikon pabarazia në shërbim dhe trajtim për pacientët e sëmurë?

Sot më shumë se gjysma (65%) e vdekjeve nga kanceri ndodhin në pjesët më pak të zhvilluara të botës. Vëmendje ndaj pabarazive nevojitet edhe ne vende me të ardhura më të larta, te komunitetet me të ardhura më të ulëta, indigjene, emigrantë, refugjatë dhe ruralë. Aksesi i barabartë në parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin e kancerit mund të shpëtojë jetë. Në popullatat rurale, kanceri ka më shumë gjasa të diagnostikohet në një fazë të avancuar, duke çuar në rezultate më të këqija.

Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë për të parandaluar dhe minimizuar vdekshmërinë nga kanceri?

Deri në 3.7 milionë jetë mund të shpëtohen çdo vit përmes burimeve të duhura strategjike për parandalimin, zbulimin e hershëm dhe në kohë dhe trajtim cilësor. Më shumë se një e treta e rasteve të kancerit mund të parandalohen. Një e treta tjetër mund të shërohet nëse zbulohet herët dhe trajtohet siç duhet. Duke zbatuar strategjinë e duhur për parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin bashkëkohor, ne mund të shpëtojmë miliona jetë çdo vit. Të reduktojmë frikën, të rrisim sensibilizimin, të hedhim poshtë mitet dhe keqkuptimet dhe të ndryshojmë sjelljet dhe qëndrimet. Një thirrje e fuqishme shkon për angazhimin e liderëve tanë, qeverive të të gjitha vendeve që të eliminojnë pabarazitë shëndetësore, duke adresuar rrënjët e shkaqeve të tyre, duke siguruar që të gjithë të kenë akses për shërbime shëndetësore cilësore kur, ku dhe si kanë nevojë për të.

Cilat janë drejtimet globale ku mund të kontribuohet më tepër në luftën kundër kancerit?

Drejtimet globale ku mund të kontribuohet më tepër përfshijnë: përmirësimin e shërbimit dhe trajnimin e stafit mjekësor të kujdesit parësor, edukimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin, mundësi të barabarta dhe kujdes i duhur shëndetësor për të gjithë, advokimi për politika dhe programe që përmirësojnë shëndetin.

Si ka ndikuar zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit në trajtimin e kësaj patologjie?

Sot ne dimë më shumë se kurrë për kancerin. Nëpërmjet investimit në kërkime dhe inovacion, janë realizuar arritje të jashtëzakonshme në mjekësi, diagnostikim dhe njohuri shkencore. Sa më shumë të dimë, aq më shumë përparim mund të bëjmë në reduktimin e faktorëve të rrezikut, parandalimit dhe përmirësimin e diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit të kancerit. Vitet e fundit, Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjenci të tjera të OKB-së kanë njohur nevojën urgjente për një angazhim global. Kur liderët flasin dhe ndërmarrin veprime, ne i japim vetes një shans për të bërë histori dhe për të ecur drejt një bote pa kancer.

Cila është strategjia që po aplikohet aktualisht nga Shërbimi Onkologjik në QSUT për trajtimin e sëmundjeve tumorale?

Prej disa vitesh mundësitë e trajtimit dhe diagnostikimit kanë pësuar një transformim rrënjësor. Investimet në teknologji dhe medikamente kanë mundësuar aplikimin e protokolleve ndërkombëtare dhe i kanë mundësuar stafit mjekësor të jetë pjesë e kërkimeve prestigjioze ndërkombëtare. Stafi mjekësor i Shërbimit Onkologjik është bërë pjesë e studimeve botërore. Kontribute të rëndësishme përfshijnë ato për studimin global mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në Radioterapi, studime bilaterale me Universitete të ndryshme Evropiane si Studimi i përbashkët me Qendrën e Radioterapisë të Universitetit të Torinos, si dhe disa kontribute kërkimore të publikuara në te Kongresin Vjetor të Shoqatës Europiane për Radioterapinë e tjerë. Ka një strategji të re kombëtare për luftën kundër kancerit, e cila prioritizon parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm krahas trajtimit dhe kujdesit për pacientët me kancer. Fushata e Vaksinimit për HPV (Human Papiloma Virus) është një arritje e jashtëzakonshme që do të ulë ndjeshëm trendin në rritje të tumoreve gjinekologjike tek femrat. Fushatat diagnostike nëpërmjet rrjetit të mamografive përfshirë ato të lëvizshme janë një kontribut i vyer për diagnostikimin e hershëm. Edukimi i vazhdueshëm i mjekëve të kujdesit parësor mbetet një prioritet kyç për të adresuar pa vonesë në mënyrën e duhur çdo dyshim për sëmundje malinje.

Cili është apeli juaj ndaj popullatës për ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit?

Me gjithë arritjet e sotme, e gjithë shoqëria jonë duhet të jetë e vëmendshme ndaj kësaj sëmundjeje. Secili prej nesh mund të ndërgjegjësojë një familjar, një shok, një koleg, një të afërm mbi këtë sëmundje dhe rëndësinë e hapave të duhur. Politikëbërësit duhet të kenë vazhdimisht në vëmendje nevojën për investime dhe mundësimin e trajtimeve inovative, që avancojnë me hapa të shpejte globalisht. Të gjithë mund të luajmë një rol të rëndësishëm në luftën kundër kancerit. Duke folur dhe duke ndërmarrë veprime për të siguruar barazi në kujdesin ndaj kancerit. Gjithashtu, mund të kontribuojmë për një botë ku shëndeti trajtohet si prioritet për të gjithë. Kushdo që jeni, keni fuqinë të zvogëloni ndikimin e kancerit për veten tuaj, njerëzit që doni dhe për botën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura