Vazhdimësia e tragjikomedisë së 21 janarit në realitetin e sotëm

Feb 9, 2024 | 7:49
SHPËRNDAJE

NGA HYQMET ZANE HYQMET ZANE

Realiteti që po shoqëron këtë vend dhe këtë popull është kthyer në një tragjikomedi në këto 11 vitet e qeverisjes së ashtuquajturës “rilindje”. Jo vetëm vetëdija ime intelektuale ma orienton të mendojmë dhe të përjetojmë realitetet në jetën tonë dhe në jetën e vendit tim. Mua personalisht kjo më ka orientuar për ngjarjet që kanë ndodhur në këto 33 vite në Shqipëri, po aq sa edhe para vitit 1991, duke qenë pasardhës i një familje që e ka vuajtur sistemin e diktaturës staliniste.

Por çka po ndodh në këtë vendin tonë në këto 20 vitet e fundit, kam opinionet e mia që po i fokusoj te 21 janari 2011 dhe të shoqëruara me të vërtetat që po përjeton ky vend dhe të vërtetat që po fshihen si një ajsberg padrejtësish, që ne i shohim vetëm majën. Është e njohur historia e “Titanikut”, që e mbyti pjesa e nënujshme se trimonierët i zhgënjeu maja e tij.

Ndoshta këtë ka pasur parasysh kryeministri i sotëm para rreth 8 vjetësh kur në sallën e Parlamentit ka thënë se “nuk keni para gjë akoma”. Sot kemi një Parlament ku po përplasen opozita me veprimet antipluralizëm dhe me diktat gardistësh, që po zbatojnë urdhrat politikë të strukturave të ngjashme me ato të Sigurimit të Shtetit.

PAK RETROSPEKTIVË

Kam ndjekur me një vëmendje të madhe atë ngjarje me një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, duke gjetur një sebep se ishin vjedhur 700 milionë lekë nga Ilir Meta sipas një filmimi që kishte bërë dhe kishte montuar Dritan Prifti (i ndjeri), që mund të them se ishte një truk për një arsye që e tregoi koha të vërtetën. Pra, Edi Rama, si kryetar i Partisë Socialiste, orientoi dhe dirigjoi një protestë me shumë pikëpyetje për shkakun e vërtetë të asaj proteste. Në dhjetor 2010, Spartak Ngjela dhe të tjerë shpreheshin opinionin e tyre se “do ta shikoni ju më 21 janar”, domethënë në protestën që pritej.

Se çfarë do të ndodhte e dinte Spartaku që pas 21 janarit, i dëshpëruar nga mosrealizimi i objektivit për marrjen e pushtetit me revolucion banditesk, tha “jo tre, por 13 mijë le të vriteshin” që të merrej pushteti e të tjera fjalë që kanë mbetur në mendje. Pas 13 vjetësh, ashtu si në momentin e parë që ndodhën ato ngjarje edhe sa herë vinte 21 janari, ktheja në mendje ato momente që kemi ndjekur me interes në televizor dhe më tej opinion pas opinioni. Para se gjithash, kam keqardhje të madhe njerëzore për humbjet e jetëve në atë ngjarje të 21 janarit. Zoti i mëshiroftë shpirtrat e tyre për në Xhenet a në Para jsë dhe gjykoftë fajtorët e vërtetë.

Ajo ngjarje e ideuar nga dyshja Edi Rama dhe Erion Veliaj ishte një tendencë për të marrë pushtetin me dhunë dhe për të bërë fakt të kryer rrëzimin e një qeverisje legjitime. Shumë komente janë bërë dhe bëhen, fajësohen drejtuesit e qeverisjes së kohës dhe veçanërisht Sali Berisha. Ishte një ngjarje ku një grup paramilitarësh tipikë si ato të serbëve në Kosovë me hunj, që u kishin vënë edhe flamurë dhe goditej policia në formën më brutale dhe harbute duke shkulur edhe betonet e bulevardit që, po të mos kishin mburojë, jeta e policëve do të ishte tragjedi.

Ishte ideologu, kryetari i PS së kohës, sot kryeministër që në gjithë këtë qeverisje prologun e pati te dhuna kriminale ndaj qeverisjes Berisha–Meta. Çdo gjë do të shërbente si justifikim një qeverisje me siglën mashtruese “rilindje”, që do të bëhej dhe vazhdon të mbetet lubi në hajdutëri, në nivelet më të larta kriminale, në trafikimin e drogërave, me një nivel të lartë kriminaliteti, që do të mbillte varfëri dhe papunësi dhe do i përzinte shqiptarët e sidomos rininë nga vendlindja dhe vendbanimet e tyre. Kemi 13 vjet që kemi parë Edi Ramën që bën aktorin e filmave me emrat e fatkeqëve që humbën jetën dhe që janë të shkruar në bulevard.

Kemi parë se si ai përulet si i vajtuar për 4 viktimat që unë nuk di se si u vranë, por një mendje më thotë se instrumentalizimi i asaj ngjarjeje dhe mosdalja e drejtësisë që të thotë çka ka ndodhur, bashkimi i ndonjë “snajperi” të asaj ngjarjeje me Partinë Socialiste, por edhe gjithë modeli i përdorur, më lënë shijen e një hipokrizie të madhe të këtij, Edi Rama, që jo vetëm nuk kërkoi drejtësi për ta në këto 11 vjetët e qeverisjes së tij, por tallet me fatkeqësinë e viktimave dhe me familjet e tyre duke luajtur teatër. Kam po aq keqardhje për familjarët e atyre viktimave të pafajshme dhe fatkeqe, që përdoren si fasadë e fshehjes së padrejtësive që bën edhe sot e kësaj dite kryeministri me atë ngjarje dhe katër jetët e humbura.

Si ia lejojnë vetës ata familjarë të përdoren nga pushteti për interesat e tij si një shkëputje vëmendjeje ndaj asaj gjëme që i ka sjellë kryeministri me atë mendjen e tij duke shkretuar vendin nga rinia, duke u tallur me shqiptarët me fjalën “rilindje”, që është perdja që fsheh pas hajdutërinë e naftës dhe tokave nga të huaj të privilegjuar po aq sa edhe nga qeveritarë të tij të një qeverisje që disa ministra i ka në burg ose për burg, të disa të tjerëve të arratisur dhe disa që priten të përfundojnë pas hekurave. Nëse kryeministri akuzon Prokurorinë e Tiranës për moshetim të 21 janarit 2011, pyetja e parë që lind është: po ku ishte ti fart Sokoli që nuk e përdore prokurorinë, siç ke bërë në këto vite që të fusje në burg fajtorët e viktimave?

Ti kryeministër e ke fuqinë e shantazhuesit dhe përdorimit të drejtësisë në funksion të qeverisjes më të keqe që kanë pasur shqiptarët dhe vit për vit bën teatër në bulevard, mashtron familjarët, fsheh të vërtetat e asaj proteste, që po e sjell në kohë a thua që çdo gjë tjetër ka ecur vaj në këtë vend dhe tani ti do merresh me shkaqet dhe pasojat. Unë nuk i heq një presje faktit që në atë protestë u bënë provokime të shumta, u sulmua policia si të ishin serbë apo grekë, u harruan se si më 1997 në Vlorë protestuesit që donin paratë e firmave, sulmuan policinë dhe punonjësit e SHIK-ut si të ishin armiq, në një kohë që sot ky kryeministër është mik i një antishqiptari si Vuçiç, që tenton të vrasë Kosovën dhe bën atentate në veri të Kosovës dhe ky kryeministër hesht, ose i del në mbrojtje Serbisë në kancelartitë europiane.

Nëse siç tha pseudoakademiku Rexhep Qosja ose Qosiç që e cilësojnë ndonjëherë se 1997-ta ishte “revolucioni i vonuar demokratik” me shkatërrimin e shtetit, 2011 ishte një model revolucioni me të njëjtat mjete që Edi Rama donte të përdorte një protestë me 4 viktima bij nënash, për pushtetin e tij që e ka bërë prej 11 vjetësh më mënyrën mëkeq të mundshmen, më të zezë të pamerituarën që po vjedh çdo dite shqiptarët me modelet e PPP-ve dhe inceneratorëve, me Çekapet dhe Sterilizimet, me tenderat dhe me ndihmën e disa ndërkombëtarëve po fshihet si struci se nuk ka dorë ai në këto punë se ai firmos fap-fap- fap pa asnjë përgjegjësi, edhe pse këtë kryeministër.

DISA REALITETE TË KOHËS

Ndërkohë që na fshihen të vërtetat, po del se si ky kryeministër bëhet korruptues i një kryeagjenti amerikan të FBI për të shkatërruar opozitën, për të shpallur “non grata” Sali Berishën dhe të gërthasë sa të dojë dhe kudo për këtë vepër të tij, që po dënohet në SHBA. Nga ana tjetër, hesht për ata “non gratat” e tjerë që i ka miq e bashkëpunëtorë dhe që nuk i përmend asnjëherë. Dhe pa pikën e respektit për viktimat dhe duke përdorur analistët e blerë apo edhe altoparlantët e tjerë për të mos vënë gishtin në plagë se 21 janari ishte vepër e Edi Ramës si program prolog i një shkatërrimi të pushtetit, që e mori pas dy vjetësh dhe që ka 11 vjet që bën harakirin shqiptar.

Ka një Zot që i di të vërtetat, siç sot po thuhen dhe po gjykohen publikisht të gjitha paudhësitë e një qeverisjeje, që ka vetëm dështime dhe katandisjen e vendit në një mjerim sa shqiptarët ikin dhe kanë mbetur rreth 1 milion e gjysmë në këtë vend. 21 janari i 2011-ës ka vazhduar edhe për 11 vjet të tjera dhe autori i saj është kryeministri Edi Rama me suitën e tij qeverisëse dhe nga ana tjetër përdor emrat e katër viktimave fatkeqe dhe familjarët e tyre të dëshpëruar, që nuk u jep drejtësi që e ka bërë vetë ai, por bëhet regjisor dhe aktor i një skenari vrastar të shqiptarëve sot e kësaj dite.

Koha i vërteton të gjitha dhe do i nxjerrë të vërtetat në dritën e diellit se nuk ka errësirë të përjetshme se ndaj ka një diell që do të ndriçojë çdo skutë të errët në politikën shqiptare se cilët janë autorët dhe aktorët e paudhësive kriminale që i janë bërë këtij populli në emër të popullit si në diktaturën staliniste që po përsëritet fatkeqësisht. Ata që organizuan protestën e 21 janarit 2011 janë po ata që vazhdojnë të qeverisjen me të gjitha llojet e praktikave të hajdutërisë në bashkëpunim edhe me aktorë ndërkombëtarë që sillen si hiena në dëm të interesave të shqiptarëve dhe të së ardhmes së këtij vendi që pati një Rilindje të vërtetët në fund shekullin 19-të dhe fillimshekullit 20 dhe pas një shekulli e ca po shkon drejt shpërbërjes kombëtare.

EPILOG

Ai flamuri ynë kombëtar i shpërdoruar, futur në hunj gardhi që t’i përdornin për të qëlluar policinë, sot është njollosur nga kjo qeverisje që po i shkulin jo më pllakat e betonit të një bulevardi, por po i shkulin gjithë pasurinë kombëtare këtij vendi vetëm e vetëm për të nënshtruar një popull pa dëshirën e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura