Tuhel i jep garanci Brojës, ja çfarë i premtoi trajneri gjerman sulmuesit të Kombëtares shqiptare

Aug 10, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

Tomas Tuheli ka dhënë garanci Armando Brojës se ai do të ketë minuta këtë sezon në “Stamford Bridge” në rast se qëndron me Çelsin. Sipas “Football.London”, trajneri gjerman i ka premtuar sulmuesit 20-vjeçar se atij do t’i jepet një shans për t’u bërë pjesë e formacionit të Çelsit këtë vit.

broja-tuhel

I njëjti burim lajmi konfirmon se talenti i kombëtares shqiptare nuk do të largohet. Broja, produkt i akademisë së bluve të Londrës, bëri të flitet shumë për të pas sezonit pozitiv i huazuar te Sauthemptoni.

Tuhel e aktivizoi edhe në 15 minutat e fundit në javën e parë të Premier Ligës të shtunën në fitoren 1-0 kundër Evertonit. Londinezët shpresojnë që Broja të jetë motivuar për të qëndruar dhe luftuar në “Stamford Bridge” pas bisedës me teknikun që i ka shpjeguar planin e tij për këtë sezon.

broja tuhel

Pas largimit të Timo Vernerit drejt Lajpcigut dhe Lukakut drejt Interit më herët, shanset për hapësira në sulmin e Çelsit janë shtuar.

Broja nuk pritet të jetë një titullar në javët e para të këtij sezoni, por ai është paralajmëruar që të jetë gati për të marrë përgjegjësi në sulmin e Çelsit kur t’i besohen minuta.

Dhe energjia që tregoi pasi hyri në fushë kundër Evertonit është diçka që Tuhel mendon se skuadra e tij ka nevojë. Sulmuesi krijon hapësira dhe është shumë i vlefshëm me depërtimet e tij në krah, pavarësisht se ai nuk është sulmuesi 9 tipik për të cilin Çelsi ka nevojë në këto momente.

Por, klubi ka besim te potenciali i tij dhe e do në skuadër këtë sezon, ndonëse shumë prej klubeve të Premier Ligës janë të interesuar për shërbimet e tij. Evertoni, një nga klubet e interesuara duket se nuk do të heqë dorë kollaj.

broja

Mediat angleze raportonin një ditë më parë se pasi “Toffees” siguruan shërbimet e mbrojtësit të Uolvesit Kodi të hënën dhe mesfushorit belg Amadu Onana dje (33 mln paund), për sulmin objektivi është Broja dhe bisedimet me Çelsin vazhdojnë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura