“Tri dritare dhe një varje”. Vetvetja shfarosëse…

Mar 4, 2015 | 11:48
SHPËRNDAJE

MYSLIM PASHA

   1. Në vend të prologut
Nazizmi ishte epidemi e urrejtjes dhe shfarosjes mizore në Europë e botë, serbizmi ishte një barbari shfarosëse antishqiptare në kohët moderne…
Jemi në të njëjtën Europë. Krahu iliro-shqiptar… si në mes dy botësh, hiq e mos e këput, lufton me veten “të jesh apo të mos jesh!?” Kur Europa dhe Aleanca rilindi magnetizmin e anomalisë kosovare, me bombardim të qendrës së Serbisë, plagët e së shkuarës vijojnë të nxjerrin precipitatin e dhimbjes e të traumës së madhe. S’bëjmë dot shtet, s’merremi vesh, dalim në rrugë, rrahim vetveten, marrim rrugën e emigrimit me fanfarë e lot dhe shtrydhim helmin që na kanë injektuar të tjerët. Ky është prolog për filmin e Isa Qosjes: “Tri dritare dhe një varje”.
2.
Me paradokse ia vlen të bësh art dhe arti del shumë më i mirë, aty, mes helmit. Po mund të ndodhë që ai helmon veten. Arti realist shndërrohet në surreal tronditës, sa të kesh frikë nga vetja dhe të ikësh, e t’ia mbathësh nga sytë këmbët.
Vjen një film që ka tri dritare dhe një grua të varur. Të tjerat mund të varen pak më vonë, ne shohim, dridhshëm, vetëm këmbët, se zemrën s’e dimë se ku rreh, fytyrën ia kemi mbuluar. Janë mbresë e përgjakur e përroit shfarosës të serbizmit, që nuk i mjaftuan mizoritë e djegies dhe vrasjes masive, varrosjeve në gropore të përbashkëta dhe humbjet pa fund… Ata, në kohën e barbarëve modernë bënë eksperimente të ujqërve të egër mbi botën e mëmësisë lindëse e djeptundëse, duke dhunuar femrën shqiptare… dhe e bënë… Plagët dranga-dranga janë kudo…
Zgjat dorën apo hap syrin… Shikon një lis të madh ku rrojnë ca pleq njëqindvjeçarë, që kuvendojnë për jetën dhe “matufllëkun”
Kineastët bëjnë art, qëmtojnë sqetullat e dhimbjes dhe hyjnë në katundin e dhunuar për ta parë me dashuri shfaqjen.
Duhet që ndodhia të groposet, të mbahet nën sëndukun e vdekjes, aty të rrojë në origjinë dhe të sjellë neurozën psikanalitike frojdiane, që sëmur një shoqëri të tërë në jetë të jetës.
Mizorinë e parë e morëm vesh se kush e solli.
Po të dytën? Ah!
E kishim harruar, atë e kemi ne vetë. Katundi kërkon të ruajë nderin, të fshehë helmin. Dhe i sulen një mësueseje të dhunuar seksualisht, e cila kërkon të rrëfejë pjesën e vdekjes. Janë ca burra, të pushtuar të mendësisë otomane, me tespihe, që janë dhunuar në thelbin e tyre dhe mbahen për “burra të zamanit”. Rrjedh kështu trauma e shoqërisë, ardhur nga spastrimi etnik serb te spastrimi brenda vendit, krijohet një front atavik kundër njeriut… Kujton kyçjen dhe ferrin e shtypjes, e vdes pjesën e mbetur me dorën e vet, duke i shkuar pas udhës së Djallit.
Atje, te lisi i madh me krahë, që s’dihet se sa shekuj numëron, ku burrat fërkojnë mustaqet, dyert kyçen, shkolla farohet, tubi nuk çon ujë, shitorja në ankthin e dashurisë së vrarë, llohë që vijon, asnjë zog s’pipëtin, asnjë peizazh s’i takon jetës, s’të flet, as një rrugë s’të çon kurrkund, veçse tek ai lisi i hershëm i mustaqelinjve, krenarë, por ama të dhunuar. S’ka jetë, veç dyshim, muzg, pastaj ofshamë netësh, sy të akullt fëmijësh, dhe një kumt i zi që pillet nga nata dhe trauma: Një grua e dhunuar sërish dhunohet dhe varet. Vjen burri nga lufta dhe bën dialog nga nënvetëdija, marroset gjindja dhe pranon dhunimin e përjetshëm.
Qëmtimi artistik goditës, i ankthshëm, me vdekjen rrotull, udhë që s’nxjerrin kurrkund. Shtypja e dytë apo e tretë. Filmi s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka nxjerrë nga thellësia një varr masiv dhe përmidis një fosil dinozauri të vetvetes sonë shkatërrimtare dhe të shëmtuar. Dashuria artistike thellohet në hollësi për të bërë sa më shumë përshtypje tek zbulesa që do të bëjë Europa e bota e artit me këtë surreal antinjerëzor shqiptar.
Urraaa! Morëm çmim në Berlin e mund ta marrim një tjetër. U bëmë gati për “Oskar”! E kështu me radhë. Me art i kemi rrëfyer botës ferrin e vetvetes. Mund ta shfaqni në Bosnjë, në Thesaloniqi, sonte në Washington DC, nesër në Ankara, ndofta në New York apo Londër. Bëni programe pas programesh me udhën tuaj, vetëm ju lutem mos kërkoni që ta shfaqni në Beograd.
Ky do të ishte një dron i shëmtisë së vetvetes. I lumtë artit tuaj!
3. Epilog
 Janë tri dritare dhe një varje. Priten të tjera varje. Ndaj arti këtë ka synim, inspirimin jo vetëm të jetës, por edhe të vdekjes. Regjisori i shquar Isa Qosja të mos shqetësohet, as Shkumbin Istrefi e Mentor Shala të dy producentë, as skenaristi Zymber Kelmendi, as aktorët Irena Cahani, Luan Jaha dhe Donat Qosja, ata bëjnë art.
Publiku amerikan shtangu nga zbulesa. Kështu thotë “DC Independent Film Festival”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura