Trafikantët shqiptarë reklamohen në “TikTok”, por përdorin çdo rrjet. Nëntë grupet e identifikuara që tronditën Anglinë

Aug 10, 2022 | 10:16
SHPËRNDAJE

Një gazetar i “The Sun” është infiltruar në grupet e trafikut të njerëzve, të cilët udhëtojnë nga Franca nëpërmjet La Manshit për të mbërritur në tokën britanike.

shqiptaret gomone angli 5

Kështu, prej një jave, jo vetëm media, por edhe politika dhe një sërë institucionesh po merren me të rinjtë shqiptarë, të cilët kanë gjetur mundësinë e vetme të ikjes nga Shqipëria, kalimin në Francë dhe më pas në Angli, pasi ata janë të sigurt se atje do të gjejnë punë.

Por pasi deputetët britanikë kërkuan që shqiptarët që vijnë me gomone në Angli të dëbohen për në Ruanda, ditën e djeshme është bërë me dije edhe një material i ri ku një gazetar ka shkuar në Francë dhe është infiltruar në grupet e trafikut për të treguar se çfarë ndodh në të vërtetë me këtë rrjet kriminal.

Ndonëse prej një jave zien Britania për shqiptarët që braktisin Shqipërinë për një jetë më të mirë, në vendin tonë nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion për situatën.

INFILTRIMI

Kontrabandistët e njerëzve po përdorin “TikTok” për të reklamuar kalimet e Kanalit të “La Manche”– dhe mburren se si francezët do t’i lejojnë emigrantët të kalojnë. Këto i ka zbuluar një hetim i ri i “Sun”. Gazetari shkruan se zbuloi llogari të shumta nga shqiptarët që shisnin kalim “të sigurt” me varkë të vogël apo edhe jahte luksoze, plus këshilla se si të veprohet me azilin.

Duke i ofruar hetuesit një vend prej 4,500 £, trafikanti u mburr: Francezët nuk do t’ju ndalojnë. Përkundrazi, ata do t’ju shoqërojnë të sigurt derisa të arrini në kufirin ujor të Mbretërisë së Bashkuar.

Gazetarit i “The Sun” i paraqitur si një emigrant shqiptar – iu tha më pas të kontaktonte një avokat pas mbërritjes në Britani, i cili “mund t’ju ndihmojë të formuloni një histori të mirë”. Kontrabandisti shtoi në bisedën “TikTok”: Mund t’ju jap një numër avokatësh që kam përdorur për të afërmit e mi. Ata kanë arritur të sigurojnë dokumentacion (leje qëndrimi) për gjysmën e shqiptarëve në Londër.

I pyetur për fatin e të ardhurve të fundit, ai tha: Tre muaj më parë një djalë u mbajt në paraburgim për një muaj, pastaj u lirua nga avokati i tij. Dhe ish-shefi i Forcave Kufitare, Tony Smith, këmbënguli se kishte prova që shqiptarët këshilloheshin nga kontrabandistët të pretendonin se ishin viktima të trafikimit dhe jo azilkërkues, duke e bërë përpjekjen e tyre për të qëndruar më shumë gjasa për të pasur sukses.

“Kjo është një tjetër pengesë për heqjen që do të thotë se ata nuk mund të kthehen menjëherë në Shqipëri. Është e domosdoshme që ky sistem të rregullohet shpejt dhe për mirë”.

Një kontrabandist – i cili e quajti veten Gent dhe pretendonte se ishte një “zot” i biznesit të kontrabandës së njerëzve – ofroi një shërbim “më të sigurt” të jahteve luksoze për në Angli me 15,000 £ për person.

Një tjetër kontrabandist – i cili tha se jetonte në Birmingham – kishte çmime më të ulëta, 8,000 £ për dy persona.

Llogaria “@franc_gomone_angli1” – ka 1,819 ndjekës të ‘TikTok’ dhe 6,937 pëlqime. Ajo promovon biznesin e saj me një sërë videosh që tregojnë emigrantë të ngjeshur në gomone. Një tjetër, që tregon emigrantët në një gomone, shkruan: Suksesi flet vetë. Djemtë arritën mirë në Londër sonte.

Hetuesi ynë e pyeti kontrabandistin në bisedën TikTok nëse përpjekja e qeverisë për të dëbuar emigrantët në Ruandë, në Afrikën Qendrore, do të përbënte një problem. “Jo, jo, mos u shqetëso. Ata nuk ju dërgojnë atje. Kjo është anuluar. Ata do t’ju dërgojnë në një hotel. Pastaj prej andej ke mundësinë të shkosh ku të duash”.

Nëntë grupet e identifikuara të trafikut që tronditën Anglinë

Rreth 40% të të gjithë emigrantëve ilegalë që kalojnë me gomone dhe mjete të tjera lundruese ngushticën midis Francës dhe Britanisë së Madhe, në drejtim të kësaj të fundit, janë shtetas shqiptarë. Kjo e dhënë befasuese së bashku me të tjera ishte lajm në disa media britanike, në veçanti të “Daily Mail”, e cila saktësoi se burimi i të dhënave është një raport sekret i shërbimeve sekrete britanike. Shifrat janë të qarta.

Vetëm në periudhën 1 qershor-12 korrik, numri i shqiptarëve që kanë mbërritur ishullin britanik ishte 1075, ose 37.5% i totalit. Vendet e tjera vijnë shumë pas, boll të mendosh se shqiptarët pasohen nga iranianët, me 375 në të njëjtën periudhë, afganët me 363, dhe vende të tjera në luftë si Iraku me 217, Siria me 162 dhe Eritrea me 163.

Ardhja e shqiptarëve nga brigjet franceze sipas raportit është shtuar në mënyrë domethënëse gjatë vitit të fundit, nga momenti që vitin e kaluar në total shqiptarët ishin vetëm 757. Grupe me emra si Dragon, Lotus, Gorgon, Colosus, Hydra dhe të tjerë organizojnë udhëtimin duke i kërkuar çdo personi rreth 6 mijë euro.

Mjetet e përdorura janë gomone, shpeshherë të porositura enkas nga Kina, për të mbajtur sa më shumë pasagjerë. Raporti zbulon edhe dinamikën. Platformat sociale si “TikTok” përfaqësojnë kontaktin e parë të emigrantëve me grupet që mundësojnë lundrimin plot risk.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura