Topi: Po negociojmë me PS, do kemi 1 nënkryetar bashkie në Tiranë

Aug 2, 2015 | 20:31
SHPËRNDAJE

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, shprehet se Andi Seferi është nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ka nisur punën që dy ditë më parë. I pyetur nga gazeta “Panorama” në lidhje me zbatimin e marrëveshjes me Partinë Socialiste për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, kreu i FRD-së shprehet se grupi negociator po punon për zbatimin e saj dhe gjithçka po ecën hap pas hapi.

Rama, Veliaj, Meta e Topi gjatë fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit
Rama, Veliaj, Meta e Topi gjatë fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit
“Nënkryetari është anuncuar, Andi Seferi ka qenë në punë dhe ka pasur arsye njerëzore që nuk ka qenë prezent një ditë më parë. Zbatimi i marrëveshjes do të përfshijë përfaqësimin tonë në këshillin e qarkut, në nënkryetarët e Bashkisë, nga drejtoritë dhe në administratë në proporcion me rezultatin tonë”, tha Topi.

Sipas tij, marrëveshja me Partinë Socialiste për të qenë pjesë e qeverisjes vendore, shtrihet në të gjithë territorin e kësaj bashkie.

“Ka një grup negociator që po merret me implementimin e marrëveshjes. Gjithçka po ecën normalisht. Është një situatë që po ecën hap pas hapi dhe që kërkon kohën e saj për t’u zbatuar. Marrëveshja në Bashkinë e Tiranës shtrihet për të gjithë territorin ku ne kemi konkurruar”, u shpreh për gazetën “Panorama” kreu i FRD-së.

Fryma e Re Demokratike ka marrë një nga katër nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe pritet që ajo të përfaqësohet edhe në rang drejtorësh në këtë bashki. Dy ditë më parë, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi 24 administratorët e kësaj bashkie, të cilët do të drejtojnë minibashkitë dhe komunat e mëparshme që i janë bashkuar bashkisë së madhe.

Përmes një statusi të postuar në “Facebook”, Veliaj u kërkoi qytetarëve që të vizitojnë njësinë e tyre administrative për t’u njohur me administratorët e rinj që do të jenë në shërbim të qytetarëve çdo ditë të javës.

“Nga dje, 24 administratorë në punë 24/7 në çdo njësi të Tiranës. Vizito njësinë tënde për t’u njohur me administratorin e ri dhe na informo për shërbimet aty. Botën s’e ndryshojnë tallësit, por menaxherët! #Ndryshim# BesoDheKontrollo”, shkruan Veliaj. Ditën e prezantimit të tyre, të cilëve u ka dorëzuar vulat e kompetencave të tyre në zonat e tyre administrative, Veliaj ka deklaruar dje se “administratorët e rinj duhet që të garantojnë shërbime për qytetarët që ditën e parë të marrjes së detyrës, ndërkohë që porosia për ta ka qenë performanca dhe rezultatet”.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura