Topalli: Rama e ka “topin në rrjetë”

Aug 31, 2012 | 11:46
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli

Kryeparlamentarja tha dje se për maxhorancën rëndësi ka kufizimi i imunitetit me çdo mjet ligjor.

“Bllokoi qëllimisht statusin, duke mos votuar më 6 gusht imunitetin”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi dje çeljen e sesionit të ri parlamentar më datë 3 shtator. Topalli, gjatë një konference për mediat, deklaroi se për maxhorancën heqja e imunitetit mbetet një pikë e rëndësishme e punës, duke theksuar se nuk është e rëndësishme rruga, por arritja e qëllimit Shqipëria pa imunitet. Duke folur për deklaratat e kryetarit të PS-së, Topalli tha se ky i fundit prej kohësh e ka “topin në rrjetë”, si bllokues i marrjes së statusit të vendit kandidat.
Zonja Topalli, a ka kohë maxhoranca që të bëjë një kthim pas, duke pasur parasysh se kreu i PS-së thotë që “çështja e referendumit për imunitetin është si një lojë pa top, kur palët janë të gjitha dakord për heqjen e imunitetit dhe kjo gjë mund të diskutohet shumë mirë në Parlament, duke përfshirë edhe paketën e Drejtësisë që ofron PS-ja, apo mund të votohet për t’i dhënë një shans të fundit”, thotë Edi Rama “çështjes së statusit”. A mund të kthehet PD-ja pas duke pasur parasysh që nuk ka as aprovimin e PS-së, LSI-së, aleate në qeverisje për referendum për imunitetin?
Topi i ka mbetur në rrjetë në fakt zotit Rama. E ka në rrjetë prej disa kohësh. Unë nuk kam as më të voglin dyshim se bllokimi i 6 gushtit kishte për qëllim që të bllokonte statusin. Por, një gjë për ne është fondamentale, dhe kjo tregohet përmes gjithë historikut të zhvillimeve që nga koha kur PD-ja ishte në opozitë dhe deri më sot. Për ne, rëndësi kapitale ka pasur dhe ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij. Prandaj, dhe ne kemi qenë dhe jemi të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për arritjen e qëllimit, që është heqja e imunitetit. Një Shqipëri pa imunitete, ky është qëllimi ynë. Sigurisht kjo nuk është shtruar për të marrë kapital politik. Asnjëherë! Kjo është një iniciativë që fillon në 2003-shin, që përsëritet në 2005-n, kur PD-ja ishte në opozitë; që ripërsëritet në shtator të 2005-s, kur PD-ja vjen në maxhorancë; që ripërsëritet në 2007-n; që rihapet edhe një herë sipas variantit të opozitës në vitin e kaluar; që formalizohet në Parlament; që kalon përmes të gjitha procedurave dhe në fund, më 6 gusht, e bllokon përsëri. Ne kemi vetëm një qëllim: një Shqipëri pa imunitet. Për ne rëndësi kapitale ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij, prandaj kemi qenë dhe jemi të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për arritjen e këtij qëllimi: heqjen e imunitetit.
Cili do të ishte efekti i heqjes së imunitetit përmes referendumit, përderisa e tejkalon afatin e datës së progres -raportit të këtij viti? Së dyti, duket se referendumi, të paktën sipas disa konstitucionalistëve, ka disa probleme për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2008, sipas të cilit duhet së pari të merret miratimi me 2/3-tat e votave dhe më pas të mund të çohet te qytetari për votë popullore.
Për sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo i referohet nenit 107, që ka lidhje me shfuqizimin e një ligji për një iniciativë nga 50 000 qytetarë. Në fakt, nuk jemi në këtë rast. Jemi në rastin e nenit 150 të Kushtetutës. Kjo është njëra. E dyta, është e vërtetë që është depozituar një iniciativë e opozitës për ndryshime kushtetuese. Parlamenti ka procedurat e veta. Detyra ime si kryetare e Parlamentit është të ndjek me rigorozitet respektimin e të gjitha procedurave që parashikon Rregullorja dhe Kushtetuta në një rast të tillë. Ndërsa çështja e imunitetit është një çështje e ndarë nga të gjitha këto, sepse është një proces i filluar me ndryshime kushtetuese, ku vetë opozita është përfshirë thellësisht, ka bërë amendamentet e saj, pavarësisht se pastaj nuk e ka votuar draftin e saj.
Çfarë parapërgatitjesh po bën Parlamenti për të mirëpritur një numër kaq të madh të aplikantëve për në KQZ?
Në momentin që hyn në fuqi ligji, edhe në qoftë se hyn më datën 2 shtator, më datë 3 shtator hapet konkursi. Uroj që të ketë një numër sa më të madh, sepse procesi është shumë i hapur, është transparent, kriteret janë të përcaktuara me ligj, Komisioni i përhershëm parlamentar, i përcaktuar në procesin e seleksionimit dhe të për-zgjedhjes, është Komisioni i Ligjeve. Sigurisht që do të ketë seancë dëgjimore, sigurisht që do të merren në konsideratë CV-të e tyre, dosjet, eksperienca e tyre dhe do të jenë ata pastaj që në bazë të nenit përkatës të ligjit të Kodit Zgjedhor për mënyrën e seleksionimit, do të avancojnë deri në arritjen e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së.

Konferenca e Kryetarëve miraton sot kalendarin
Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për të miratuar kalendarin trejavor të punimeve. Pas pushimeve të gushtit, ligjvënësit do t’i rikthen punës me një axhendë të ngjeshur ligjesh, disa prej të cilave të mbartura nga sesioni i kaluar parlamentar. Kryetarja e Kuvendit deklaroi dje se pjesë e punimeve do të jetë dhe ligji për Gjykatën e Lartë, që kërkon 3/5-tat e votave dhe që me mosmiratimin ka penguar ekzekutimin e ligjit për Gjykatat Administrative. “Unë uroj të shoh anët që maxhorancën dhe opozitën e bashkojnë në funksion të betimit që ato kanë bërë mbi Kushtetutën për sesionin e ardhshëm dhe uroj që ato të ndryshojnë mendim dhe të votojnë edhe ligjin ‘Për Gjykatën e Lartë’, si një ndër reformat e rëndësishme në fushën e Drejtësisë”, u shpreh Topalli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura