Tonin Tërshana: Si më ndihmoi Petrit Dume të kthehesha në Festival

Sep 6, 2015 | 23:00
SHPËRNDAJE

Telefoni nuk i pushon. Edhe pse ka dy ditë që ka marrë shtëpinë “sociale” nga Bashkia e Tiranës, Tonin Tërshana vijon të marrë urime. I falënderon të gjithë, edhe pse ka njerëz që nuk i mban mend.

tonin“Ma kanë gjetur numrin e telefonit e më kanë uruar edhe persona që nuk i njoh, por janë gëzuar kur kanë mësuar nga mediat se kam marrë shtëpi të re. Çfarë kënaqësie…”, thotë këngëtari i katër çmimeve të para në RTSH. 

Meri, bashkëshortja e tij, nxiton të qerasë. Kjo puna e shtëpisë së re i ka lumturuar, por i ka futur në mendime se si t’ia bëjnë për mobilimin. Edhe pse 30 vite në skenë si këngëtar dhe gati 20 vite duke punuar në emigracion, Tonin Tërshana “mbahet” me pension.

“Nuk fajësoj njeri. Unë i kam pasur mundësitë e mia në jetë. Fitova çmim të parë që kur isha 16 vjeç, këndova në dhjetëra festivale, por u tërhoqa shpejt nga muzika, isha 38 vjeç. Nuk e di pse u largova…”, thotë ai, teksa shfaq një lloj pendimi.

Pavarësisht se pas ndërrimit të sistemit i janë dhënë shumë mundësi që të këndojë nëpër dasma, lokale, apo aktivitete të tjera, ka preferuar më mirë që të punojë në ndërtim, se sa të bëjë ahengje, siç i quan ai. “Shumë mirë bëjnë këngëtarët që këndojnë kudo që i ftojnë, por ja që unë nuk e bëja dot”, tregon Tonin Tërshana, teksa flet ekskluzivisht për gazetën “Panorama”.

Një rrëfim që nis nga kënga e parë në festival, rreziqet e karrierës se pse lëvizi pak në skenë, ndërhyrjen e Petrit Dumes për ta shpëtuar, e deri te rivalitetet e këngëtareve femra. Për Vaçe Zelën thotë se kishte shumë pushtet dhe zgjidhte këngët që donte, por sipas tij, gjithçka i vinte nga zgjuarsia. Ndërsa sjell në vëmendje atë që e kanë përmendur edhe këngëtarët apo kompozitorët e brezit të tij, Arta Babaramon.

“Arta madje ka kënduar edhe të njëjtën këngë me Vaçen, doli fantastike, e tundi skenën. Cilë- sohej se e kishte zërin ‘shpellë’. Krahasohej me Minan në Itali, lozte jashtëzakonisht me zërin”, thotë ndër të tjera Tonin Tërshana në lidhje me këngëtaren Arta Babaramo, e cila pasi këndoi shumë bukur tri këngë, “u zhduk” nga festivalet….

Në çfarë moshe keni dalë në skenë për herë të parë, pra në Festivalin e RTSH-së?
Që në vitin 1965, pra në moshën 16-vjeçare. Ishte Festivali i katërt në RTSH.

Keni qenë më i vogli atëherë që keni marrë pjesë në Festival?
Ka qenë Nikoleta Shoshi, një shkodrane. Ka kënduar në Festivalin e dytë apo të tretë, nuk më kujtohet saktë. Ishte 15 vjeçe e gjysmë. Nga meshkujt, në atë periudhë unë kam më i vogli, që kam marrë pjesë në festivalin e RTSH-së dhe madje fitova çmimin e parë. Pastaj nuk kam kënduar për 4 vjet. Më thirrën në vitin 1966, por më hoqën. Nuk e di pse… Tani, unë i di ca gjëra, por nuk ia vlen të merrem me emra.

Nga këto gjërat që di, mirë emrat që nuk do të na i thoni se kush ju hoqi, por të paktën a mund ta dimë motivin?
Sepse këndoja këngë italiane, kështu flitej në radio dhe aq u desh. Një ditë ministri i Kulturës kishte pyetur “se si është Tonin Tërshana” dhe i thonë “mirë”. Por njëri i thotë që kisha qejf të këndoja këngë italiane. Direkt të nesërmen unë nisem për në Shkodër dhe nuk këndova në Festival. Nga ky Festival nuk mora më pjesë deri në Festivalin e tetë, megjithëse kisha qenë 16 vjeç kur kisha fituar çmim të parë. Pra, pas çmimit të parë në vitin 1965 me këngën “Të dua o det”, jam kthyer në vitin 1969 në festival.

A e prisnit çmimin e parë, më 1965?
Të them të drejtën, isha aq i ri, sa që më dukej një gjë shumë e madhe që po këndoja në Festival. Mezi po e besoja këtë gjë njëherë. Unë e kisha ëndërr që t’i shikoja nga afër ata këngëtarë gjigantë që merrnin pjesë nëpër festivale e jo më që të isha dhe vetë në të. Ndaj nuk e kam përjetuar me shumë emocione çmimin, se sa pjesëmarrjen në Festival. Kisha gëzim prej fëmije se arrita të këndoja. U ktheva në Shkodër, por shumica e njerëzve nuk e dinin që isha unë ai që kisha kënduar në Festival dhe që kisha marrë madje edhe çmimin e parë.

Pse nuk e dinin, kishte mungesë vëmendjeje ndaj Festivalit asokohe?
Jo, krejt e kundërta, Festivali ishte ngjarje madhore dhe mezi pritej që ta ndiqnin njerëzit nga radio, se TV nuk kishte asokohe. Por mua më kishin regjistruar në festival me emrin Tonin Tërshana, kur në fakt mbiemri im i vërtetë ishte Palushi dhe gjithë Shkodra mbarë ashtu më njihte.

Po mbiemri “Tërshana” nga doli?
Nuk e di nga doli. Ma kishin ndërruar pa dashje në Gjendjen Civile dhe ashtu mbeti prej asaj dite, pasi doli certifikata e pasaporta dhe nuk kisha çfarë të bëja më. Do regjistrohesha në hotel në Tiranë për të kënduar në Festival dhe nuk kishte kohë sa të bëheshin verifikimet, të ndërrohej mbiemri etj. Kështu që, mbiemrin Tërshana e kam dhuratë nga Gjendja Civile.

Nga 1965 kur dolët për herë të parë morët pjesë rregullisht në festivale, por u shkëputët menjëherë në vitin 1987. Pse?
Hë pra, pse? As vetë nuk e di tamam pse. Isha 38 vjeç, por më erdhi natyrshëm shkëputja nga Festivali. Ndikoi edhe Estrada ku punoja, sepse nuk ishin edhe aq dashamirës që unë largohesha nga puna për provat e Festivalit, sepse rrija një muaj duke u përgatitur. Ndërkohë Estrada mund të kishte planifikuar ndonjë turne, ose ishte në kulmin e shfaqjeve.

A paguheshit për pjesëmarrjen në Festival?
Jo, nuk paguheshim. Vetëm nëse merrje çmim të parë, shpërbleheshe me 3 mijë lekë. Ndërsa për çmimet e dyta e të treta ndonjë dhuratë simbolike, stilograf 700 lekësh p.sh. Unë e merrja dhe e çoja te Mapo-ja dhe ia lija shitëses për 600 lekë, ajo e shiste 700, kështu që të dy fitonim ndonjë gjë.

Pse përgjithësisht fitonin këngëtaret femra çmimin e parë në Festival?
Ka pasur edhe festivale ku nuk janë dhënë fare çmime të para, sepse juria mendonte se askush nuk e meritonte dhe janë dhënë vetëm çmime të dyta. P.sh., në Festivalin e vitit 1962 dhe atë të vitit 1964. Ndërkaq, në kohën kur këndoja unë, zakonisht i fitonte Vaçe Zela çmimet e para. Pastaj i mora unë, kam katër çmime të para.

Si arritët t’ia “merrnit” Vaçe Zelës çmimet e para?
Ah, këtë nuk e kuptoj as unë. Them se është edhe meritë e kompozitorëve që kanë krijuar këngë të përshtatshme për vokalin tim.

Në një rast, keni qenë edhe dublant me Vaçen, apo jo?
Po, kënduam të dy të njëjtën këngë, “Mirëmëngjes”, por asnjëri nga ne të dy nuk fitoi ndonjë çmim. Ishte Festivali i 15-të në RTSH, kënga pati si kompozitor Feim Ibrahimin. Gjithsesi çmimi i parë zakonisht ishte “lozha” e Vaçe Zelës.

Pse ndodhte kjo? Ishte e privilegjuar Vaçja?
Nuk mund të them se ishte e privilegjuar, pasi Vaçja ka privilegjuar veten. Ishte këngëtare e mençur shumë. Ajo arriti një pushtet që nuk e ka pasur dot asnjë këngëtare tjetër.

Si ka mundësi, në çfarë mënyre e arriti këtë pushtet?
Nuk e di, por them se aftësia e saj, ngaqë ishte vërtet shumë e zgjuar. Këngëtare shumë e mirë ishte vërtet dhe kjo mbetet e padiskutueshme.

Kur thoni “pushtet”, në çfarë kuptimi e kishte këtë pushtet Vaçja, na jepni dot një shembull?
P.sh., në festival dhe prova. Ajo vinte aty si një e huaj. Nuk vinte siç hynim ne, si tufa. Ishte e veçantë. Kishte pushtet edhe që të zgjidhte këngët që donte. Nuk dua të keqkuptohem kur them se Vaçja kishte pushtet, por kjo është e vërteta. Ishte aftësia e saj që kishte arritur këtë pushtet për shkak të talentit të padiskutueshëm dhe jo ndonjë gjëje tjetër.

Fakti që Vaçja përzgjidhte këngët, a mos ka qenë ndikues që ajo të merrte edhe çmimet e para në festivale më së shumti?
Ndoshta, por sido që të jetë puna, ngado ta rrotullosh, prapë mençuria e Vaçes është. Pse nuk dija ta arrija unë atë pushtet, apo tjetri e tjetra? Sepse nuk dinim ta menaxhonim talentin që kishim. Është njësoj sikur të kesh një mall e mos të dish ta shesësh. Vaçja dinte dhe ndaj kishte pushtet.

Kur mendoni se ra pushteti i Vaçes?
Nuk i ra pushteti ndonjëherë, por u ndje konkurrenca kur doli në skenë edhe Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Lindita Theodhori, Alida Hisku, Myfarete Laze, Parashqevi Simaku, apo Arta Babaramo, që për mua ishte një zë shumë i bukur.

Në disa nga intervistat që kemi realizuar së fundmi në “Panorama”, këngëtarët apo kompozitorët e brezit tuaj e kanë përmendur Arta Babaramon, por publiku di pak ose aspak për të. Kur kishte zë aq të bukur, pse këndoi tri herë radhazi dhe “u zhduk” përgjithnjë nga festivalet?

Nuk e di. Është mbase ajo që përmenda më parë, që nuk ka ditur ta përdorë talentin, zërin e saj. Arta madje ka kënduar edhe të njëjtën këngë me Vaçen, doli fantastike, e tundi skenën. Mbase edhe Arta ka qenë si unë, që nuk e ka kuptuar rëndësinë e Festivalit dhe nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’u rikthyer në skenë. Siç nuk e kuptova unë rëndësinë as kur mora çmimin e parë në Festivalin e 1965-s.

E zëmë se Arta Babaramo nuk tentoi të rikthehej në skenë dhe është ajo që thoni ju, se nuk u dha rëndësi festivaleve. Po kompozitorët, si ka mundësi që nuk e kërkuan një zë aq të magjishëm, siç flitet se ka qenë?

S’di çfarë të them, sepse edhe kompozitorët e vlerësonin shumë. Cilësohej se e kishte zërin “shpellë”, krahasohej me Minan në Itali, lozte jashtëzakonisht me zërin. Por Arta duhet të ishte më aktive vetë, ta menaxhonte talentin, siç bëri Vaçja. Duhet të identifikohej. Por për të gjitha këto, besoj se duhet të pyetet Arta vetë. Personalisht ruaj respektin më të madh për të si këngëtare dhe njeri.

Në intervistën që kompozitori Gjergj Leka ka dhënë për gazetën “Panorama”, ka deklaruar se Arta u hoq nga festivalet, pasi u pa si rrezik për këngëtaret e mëdha, si Vaçe Zela apo Lindita Theodhori etj. U spostua me kast, me pak fjalë…

Këtë nuk mund ta them, sepse vërtet nuk e di. Ndoshta është vërtet ashtu siç thotë Gjergj Leka, por ka diçka. Një zëri të bukur nuk ka çfarë t’i bëjë askush. Edhe nëse lejon që të të spostojë, sërish është faji i vetes. Nuk duhet ta kishte lejuar Arta, pasi ajo arriti të dilte në festival. Edhe mua, pasi mora çmimin e parë në vitin 1965, nuk më lanë 4 vite që të merrja pjesë në festival, por ia dola mbanë të rikthehesha.

Po ju, si ia dolët?

Drejt të them, më ka ndihmuar Petrit Dume. Petrit Dume ishte shumë dashamirës ndaj meje, më begeniste, më merrte në makinë kur më shihte në rrugë etj. Ai më mori ushtar, dy vjet në Ansamblin e Ushtrisë nga viti 1969 dhe po me urdhër të tij, jam liruar dhe direkt më ka futur në punë në Tiranë, në vitin 1971.

Por që kur më mori Petrit Dume në vitin 1969, biografia ime u rregullua vetvetiu dhe pas 4 vitesh pa festival, mora pjesë sërish. Më kujtohet dhe një episod tjetër me Petrit Dumen, që u bë shkak që karriera ime në muzikë të mos ndërpritej. Kur jam liruar nga ushtria, më ftoi klubi i Rinisë në Shkodër në një koncert që do bëhej, te salla e madhe atje. Shkova, sepse në fakt atë ditë kisha edhe fejesën e motrës. Natën e parë kaloi shfaqja, bukur, qetë.

Të nesërmen më tha regjisori: “Mor burrë, skena është e madhe, lëviz ‘nji fije’, mos rri vetëm gatitu”. “Hajt se po mundohem ca”, ia kthej. Atë ditë, duke kënduar, lëviza nga pak në skenë, këndova katër këngë dhe sipas disa zërave, “kisha pas bërë namin duke lëvizur”. U anulua shfaqja. U bë një rrip policësh aty, që të largoheshin njerëzit. Të nesërmen në mëngjes u hap fjala se kanë arrestuar Toninin dhe isha bërë shembull. Ishin gënjeshtra, gjithsesi kisha shkaktuar mjaft debate.

Nëpër shkolla po bëheshin mbledhje se çfarë qëndrimi të mbanin ndaj lëvizjeve të mia në skenë, e kështu u bë rrëmujë e madhe. Atë ditë doli gazeta “Jeta e Re”, organi i partisë së rrethit. Gazeta kishte shkruar shumë mirë për mua, duke e cilësuar “një sukses i madh”. Ndenja dhe 4-5 ditë në Shkodër dhe u ktheva në Tiranë.

Komiteti i Partisë së Shkodrës kishte dërguar në punë dhe në radio një relacion, që të më “digjnin” nga Festivali, që ishte në prag. Te puna në estradë, më pyet drejtori Vangjel Babi: “Çfarë ke bërë në Shkodër, ke kënduar amerikanadë?”.

Shkova në radio, edhe aty Nikolla Zoraqi më thotë: “Ça ke bërë, se na ka ardhur ky relacioni?”. Unë kisha me vete gazetën “Jeta e Re” dhe i them: “Lexo këtë gazetën, është organi i komitetit të partisë”. Nikolla, pasi e lexon gazetën, më thotë: “Gazeta është më ‘dokument’ i rëndësishëm sesa relacioni që ka ardhur, hajt mos u mërzit, vazhdo përgatitjet”. Shkova në punë të nesërmen, në estradë, kur më thonë se më kishte kërkuar shefi i shtabit, Petrit Dume. Shkova te Ministria dhe kur e takova, më thotë: “Ç’ke bërë në koncert?”.

I thashë: “Më ftuan, këndova natën e parë. Ju e dini që unë nuk lëviz. Por natën e dytë më thanë: Lëviz ‘nji fije’, se po të han skena. Dhe unë kaq kam bërë. “Ik, kthehu në punë”, më tha ai, dhe me aq shpëtova. Ma kanë thënë troç që Petrit Dume më ka shpëtuar nga ndonjë ndëshkim i mundshëm dhe karriera ime me muzikën vijoi pikërisht prej tij.

Të erdhi keq kur Petrit Dumen e pushkatuan?

Jashtë mase keq, sikur të më kishin vrarë, larg qoftë, vëllain apo babën. Sepse Petrit Dume, pavarësisht se ishte ushtarak i egër, kishte disiplinë të hekurt, personalisht më ka ndihmuar shumë dhe ishte tejet dashamirës ndaj meje. E donte shumë artin dhe sportin.

Pse vinte kjo ndihmë dhe gjithë ajo dashamirësi e Petrit Dumes ndaj jush?

Sepse e kishte shumë qejf zërin tim, më preferonte si këngëtar. Kur mbaronin shfaqjet e estradës komplet, ai u jepte urdhër ushtarëve të më thërrisnin dhe më çonin para tij. I këndoja 3-4 këngë dhe ai qetësohej. Por një këngë ai e kishte shumë fiksim.

Cilën këngë?

Nuk është kënduar ndonjëherë nëpër festivale. Ishte një këngë për nënën, dhe atij sapo i kishte vdekur e ëma. Teksa ia këndoja, Petrit Dumes i mbusheshin sytë me lot dhe “ikte” nga realiteti. Pastaj më bënte me shenjë që të largohesha, ndërsa vetë siç duket rrinte dhe meditonte.

Domethënë Petrit Dume ju kishte “pikë të dobët”…?

Në fillim kishte Vaçe Zelën “pikë të dobët”, pastaj më ka pasur mua.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura