Tirania e mazhorancës

Feb 9, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA AGIM NESHO Agim-Nesho-1

Ka rreth dy muaj që Parlamenti i Shqipërisë është bërë… jofunksional si pasojë e arrogancës së pushtetit, që mohon të drejtën kushtetuese të përfaqësuesve të opozitës për të ushtruar kontrollin ndaj veprimtarisë së qeverisë. E drejta për komisione parlamentare nuk është një opsion fakultativ, ku lideri i qeverisë vendos formën e funksionimit të tyre dhe çështjet që duhet të diskutohen.

Duket qartë që pushteti i korruptuar i Edi Ramës jo vetëm nuk pranon të mbikëqyret dhe kontrollohet nga përfaqësuesit e opozitës, por sfidon hapur shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe përdhos Parlamentin si tempulli i demokracisë. Ngritja e pushtetit të padiskutueshëm të Edi Ramës, si një autokrat me pushtet absolut, akoma ruan në sipërfaqe funksionimin e institucioneve, të cilat duhet t’u japin legjitimitetin veprimeve te qeverise. Por ky legjitimitet është i trukuar, sepse institucionet ose janë të kapura nga militantët e shumicës, ose të kontrolluara nga patronazhistët.

Parlamenti është kthyer në një arenë shfaqjeje, ku tirania e mazhorancës vepron me forcën e saj. Është një tirani e frikshme, ku vetë aktorët e saj janë të depersonalizuar dhe konsiderohen jo si përfaqësues të popullit, por si kopeja e dhenve të bariut Rama. Ata, deputetët e mazhorancës, nuk kanë as mundësi të ruajnë personalitetin e tyre dhe të tregojnë që nuk janë vetëm numra.

Tirania e mazhorancës në Shqipëri është më tepër tirania e një autokrati të vetëm, i cili ka treguar që ndryshon qeverinë në 7 minuta, ka hequr të drejtën e zgjedhjeve brenda partisë, sakrifikon dhe hedh në burg çdo individi që i ka shërbyer, por i duhet për të mbyllur aferat korruptive që mund ta prekin edhe atë vetë. Të vetmen kontratë që diktatori bën me “skllevërit” e tij është mundësia që ju jep për të përfituar nga zhvatja dhe përfitim nga prona publike dhe tenderat korruptive. Krijimi i pushtetit putinesk të Edi Ramës i ka dhënë fund Republikës në Shqipëri dhe tirania e mazhorancës ka sjellë humbjen e demokracisë funksionale.

Baballarët e kombit amerikan e kanë parë si një rrezik parësor tiraninë e mazhorancës dhe kanë bërë thirrje që patriotët të luftojnë për mbrojtjen e Republikës. Të qartë dhe të vendosur në mbrojtje të republikës dhe demokracisë së tyre, ata bëhen frymëzues për popujt që duan të jetojnë në demokraci. Sot ky model po shkatërrohet në Shqipëri dhe indiferenca e perëndimit është e dukshme. Për më tepër kur në Shqipëri po vritet alternativa qeverisëse, opozita sulmohet, goditet dhe i mohohen të drejtat bazë dhe lideri i opozitës mbahet në arrest.

Pse kjo heshtje e demokracive perëndimore në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri, në mbrojtje të parlamentarizmit kur hapur po shihet që nuk funksionon dhe është e kapur nga autokrati? Pse tolerohet në Shqipëri një regjim arrogant, korruptiv dhe klientelist që e ka kthyer vendin më keq se diktaturat klienteliste në Afrikë? Indiferenca në momente të tilla jetike për Shqipërinë kanë pasoja edhe për të ardhmen perëndimore të rajonit dhe krijimin e vatrave të reja të destabilitetit në Europë. Kjo indiferencë nuk justifikohet as nga situata gjeopolitike sot në botë, as nga pragmatizmi i politikës së jashtme të ndërkombëtarëve për të anashkaluar problemet “e vogla”.

Kjo indiferencë e aleatëve tanë ka lënë hapësira boshe për grupe klienteliste për të përkrahur regjimin si një regjim bashkëpunues dhe kanë promovuar autokratin si aktor në politikat rajonale. Ka ardhur koha për të ndryshuar dhe përballur me realitetin në Shqipëri. Ky ndryshim do të mundësojë rikthimin e pluralizmit në Shqipëri, funksionimin e shtetit ligjor, pavarësinë e mediave të lira, riaktivizimin e shoqërisë civile dhe integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE.

Ky ndryshim do të ndihmojë që opinioni publik të mos mendojë më që i korruptuari i madh i Ballkanit është i aftë të korruptojë vlerat dhe parimet e shoqërisë perëndimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura