Tiranë, burri pret në fyt bashkëshorten

Aug 31, 2012 | 13:18
SHPËRNDAJE
Banesa ku ndodhi ngjarja në Tiranë

TIRANE – Një burrë i preu fytin me thikë të shoqes, pas konflikteve në familje. Autori i ngjarjes sulmoi bashkëshorten e tij, nënë e 3 fëmijëve të mitur, pas debateve të vazhdueshme që kishte pasur me të. E plagosura është Mirela B, 36 vjeçe, ndërsa autori i arrestuar nga Policia e Tiranës është Osman Bala, 41 vjeç, me aktivitet në tregtimin e inerteve. Gjatë deklarimeve të tij, autori ka pranuar autorësinë, duke shpjeguar se e ka plagosur të shoqen pasi i kishte shitur të gjithë dokumentet e pronësisë, për pronat që ata kishin në Burrel. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e mërkurë, në një apartament në katin e katërt të një pallati në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku banon çifti Osman dhe Mirela Bala. Pas një debati të ashpër me të shoqen, që sipas fqinjëve nuk ishte i pari për ta, Osman Bala ka mbyllur 3 djemtë e tij të mitur, më i madhi 11 vjeç, në një garazh në katin e parë të pallatit, më pas është ngjitur sërish në apartament dhe ka goditur dy herë me thikë të shoqen 36-vjeçare. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se Osman Bala, 41 vjeç, është arrestuar për vrasje të mbetur në tentativë, pasi ka plagosur me thikë në qafë dhe në dorën e majtë bashkëshorten e tij. Menjëherë pas ngjarjes, ai ka lajmëruar vetë Policinë, më pas e ka transportuar të shoqen me taksi drejt Spitalit Ushtarak. Mjekët thanë dje se gruaja e re kishte pësuar dëmtim të pjesshëm të laringut, gjë që i shkaktonte vështirësi në të folur, por gjendja e saj e përgjithshme nuk paraqiste rrezik për jetën. Madje, pasditen e djeshme ajo ka lanë pavijonin e neurokirurgjisë, ku ka qëndruar e shtruar 24 orë dhe është transportuar nga nëna dhe të afërmit e saj drejt banesës.
Fqinjët e çiftit Osman e Mirela Bala, me origjinë nga Burreli, por banues në Tiranë prej disa vitesh, treguan dje për gazetën se kjo nuk ishte hera e parë që mes tyre kishte debate aq të ashpra, si ai i së mërkurës, kur ndodhi ngjarja. Madje, ata treguan se shërbimet e Komisariatit Nr.3 kanë shkuar me dhjetëra herë te banesa e çiftit Bala, pasi ata kishin probleme të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Sipas fqinjëve, për shkak të problemeve me bashkëshortin, gruaja 36-vjeçare ishte larguar nga shtëpia para disa kohësh dhe kishte jetuar 6 muaj te prindërit e saj. Ata shpjeguan se nuk janë në dijeni për shkakun e grindjeve të vazhdueshme mes tyre. Për ta ka qenë e vështirë të besojnë se Osman Bala kishte arritur të plagoste të shoqen, pasi ai për ta ishte një njeri i respektuar dhe mjaft i sjellshëm. “Ai ka një pikë inertesh këtu para pallatit dhe me atë punë merrej. Fëmijët i donte shumë dhe të gjithë ne banorët e pallatit na respektonte,  ishte shumë i sjellshëm. Dje jemi çuditur kur e pamë me duar të gjakosura që zbriste shkallët e pallatit dhe kërkonte ndihmë”, tregon fqinja e katit të dytë.

S‘mundi të dëshmonte
Grupi hetimor i Policisë së kryeqytetit ka pasur vështirësi dje në marrjen në pyetje të gruas së plagosur, pasi për shkak të plagëve të marra në fyt ajo nuk ka arritur të flasë. Gruaja është mbajtur nën trajtim mjekësor deri në orët e mbrëmjes kur gjendja e saj është stabilizuar dhe e plagosura është tërhequr nga spitali prej nënës së saj. Policia ka thënë se është duke pritur raportin mjekoligjor për një vlerësim të ngjarjes, ndërsa i shoqi i gruas akuzohet se ka kryer veprën penale plagosje e rëndë me dashje dhe shtrëngim për të bashkëjetuar e lidhur martesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura