TINA”, hidhësia e konceptit dhe pushtetokracia në Shqipëri

Mar 19, 2024 | 10:45
SHPËRNDAJE

NGA BEN ANDONI Ben Andoni1

Para se të argumentohet, po shpjegojmë me pak fjalë konceptin “TINA”. Përbën akronimin anglisht të fjalizës se “nuk ka alternativë” (there is no alternative). Në literaturë përdoret zakonisht nga investitorët, kur duan të shpjegojnë zhvillimet e dobëta të aksioneve me arsyetimin se burime të tjera të aktiveve ofrojnë kthime edhe më të këqija. Ose, psh., gjatë kohës kur obligacionet po ecin dobët, ndërsa aksionet duket se mbeten e vetmja zgjedhje.

Margarët Thaçër, kryeministrja konservatore e Britanisë së Madhe për gati dy dekada, e përdori TINA-n deri si një slogan politik. Me këtë devizë, “Zonja e Hekurt” iu kundërvu kritikëve të saj, të shtuar sistematikisht deri në fund të drejtimit të saj. Kuptohet se ajo ua vuri frazën përballë kryesisht njerëzve të Partisë Laburiste, për të justifikuar politikat e saj të orientuara nga tregu për rregullimin e duhur, centralizimit politik, shkurtimeve të shpenzimeve dhe kthimit prapa të shtetit të mirëqenies. Për të ishte e qartë se:”neoliberalizmi i tregut të lirë nuk kishte alternativë”. Sërish, referuar literaturës, shteti i modelit neoliberal nuk kuptohet si një “motor rishpërndarës” dhe as si “roje sigurimi”, por si garantues i kushteve, brenda të cilave biznesi mund të zhvillohet lirisht. Koha do t’i jepte të drejtë kryeministres, kurse politologu i njohur Frensis Fukujama jo shumë kohë më vonë argumentoi se pikëpamja e znj. Thaçer ishte e vërtetuar përgjithmonë. “Me komunizmin e diskredituar, shkroi ai, asnjë ideologji nuk mund të konkurronte më seriozisht me kapitalizmin dhe demokracinë: ‘fundi i historisë’ që premtoi Marksi kishte ardhur, megjithëse në një formë që ai nuk arriti ta parashikonte dot”.

Po pse po e lidhim me kohën ku jetojmë dhe vendin tonë?! Pasi, sërish në përpjekje për ta rikarakterizuar politikisht, TINA, duket se po shpërfaq sfidën e madhe për vlerat, demokracinë dhe duket se kjo lloj politike që po pjell autokratë (Në Ballkan i kemi të gjallë), e po shndërron atë vlerë të shenjtë, që njerëzit perceptojnë për shtetin e të drejtës. TINA jo vetëm s’konsiderohet më pasojë e ideologjisë neoliberale, por përbën tiparin kryesor të saj. Kjo veçori dërrmon edhe traditën politike liberale, aq të artikuluar nga pushtetarët e ndryshëm dhe jo pak dhe tanët për dallimin e qartë midis niveleve të ndryshme të pushtetit politik (kushtetues, legjislativ dhe individual), si dhe dallimin midis pushtetit politik të shtetit dhe fuqisë ekonomike të tregjeve. Veçse TINA ndihet, kur kjo lloj politike e sotme krijoi vështirësi deri në falimentime të shteteve, autoritarizmin, varfërinë dhe pabarazinë, apo si ato në kohët tona, kur politikat neoliberale po sjellin probleme jo të pakta me sistemin ekonomik, ku si në rastin e Shqipërisë kemi privatizimet e padrejta dhe të dyshimta të pronës publike, shkurtimet në sistemin e sigurimeve shoqërore, zvogëlimin e pensioneve e të tjera me radhë.

Nga fundi i viteve 1980 deri në vitin 2008, njerëzve të komunitetit evropian iu përsërit shumë shpesh koncepti TINA, kur në fakt ekzistonin qartësisht disa alternativa. TINA u prish me krizën financiare të vitit 2008, e cila ishte pikërisht rezultat i disa TINA-ve të tjera (jo alternativave të tjera).

Për të gjithë këto 34 vite tranzicion, as një qeveri nuk u ka bërë premtime më shumë shqiptarëve sesa qeveria socialiste e Edi Ramës. Në tollovinë e vendit tonë, që e shikon prej funksionimit të pushtetit lokal, te konfuzioni me pronat, mënyrën sesi veprohet me pasuritë e vendit, nivelin e krimit të organizuar etj., pushteti Rama ka marrë legjitimitetin që të pastrojë vendin dhe të përfaqësojë një lloj menaxhimi të kontrolluar të çdo problematike të vendit, duke na përsëritur se është e vetmja përballë TINA-s. Të paktën, këtë kumton në daljet para njerëzve të tij në asambletë e shpeshta dhe sidomos monologët e tij, të pamundura të ndërpriten. Nuk mund të mohohet se reformat “Rama” të fillimit për pagesat dhe sidomos luftën ndaj informalitetit u përshëndetën dhe ishin ato që i dhanë mbështetje mbarëpopullore. Është vlerësuar shumë dhe revolucioni dixhital i administratës, por në kohët e fundit handikapët e pafundmë të saj dhe shtimi i administratës në vend të zbritjes ka treguar se pushtetokracia “Rama” nuk mundi ta fuste në hullitë e duhura shtetin shqiptar edhe pas gati 11 vitesh pushtet të plotë dhe mbi të gjitha Shqipërinë nuk e shkëputi dot nga indeksimi i varfërisë, ku ndan me meritë vendin e fundit me Kosovën.

Në literaturë ngrihen pyetje nëse elitat funksionale në Evropë i kuptojnë dot mësimet e tyre mjaft shpejt dhe bëjnë atë që shumica brenda vendeve të tyre presin?! A po e kuptojnë dot në Shqipëri pushtetarët se sensi që nuk ka alternativë pa ta, po kthehet në makth të vërtetë për demokracinë? Korrupsioni në Shqipëri nuk di të ndalet. Në fakt, problemi s’është aq i thjeshtë, pasi TINA-s nuk konsiderohet vetëm e keqe. Ideologjia neoliberale për TINA-ën nuk reduktohet në një utopi anarkike të devotshme.

Në fakt, ajo udhëheq sensin e institucioneve të përbashkëta dhe politike kombëtare, ndërkombëtare dhe globale (psh. FMN, BQE dhe KE), referuar literaturës. Për këtë arsye, është e rëndësishme të tregohet zbatimi i tij, së bashku me disa pasoja të paparashikuara politike, si rritja e deficitit demokratik dhe fuqia e të fortëve në çdo qelizë të shtetit. Sot në Bashkimin Evropian, politikat neoliberale paraqiten si të pashmangshme. Për njerëzit janë ende të gjalla masat shtrënguese, që u aplikuan për të shpëtuar borxhin e Greqisë dhe Portugalisë. Kancelarja gjermane Merkel i tha asokohe kryeministrit grek Tsipras se nuk kishte alternativë ndaj ofertës së kreditorëve (Evropa 2015); Cipras dëshmoi nuk kishte alternativë ndaj paketës së masave shtrënguese (Reuters 2015); kryeministri portugez Passos Koelho pohoi se nuk kishte alternativë për të vazhduar rrugën e reformës dhe konsolidimit të buxhetit (Mni Deustche Börse Group 2012). E kështu me radhë.

Si përmbledhje, nën konceptin TINA, të gjitha shtetet sundohen nga fuqia jopersonale e dorës së padukshme, sepse ka arsye financiare dhe ekonomike për të mos ofruar politika të ndryshme dhe as për të lejuar politikat e shteteve të kërkojnë udhë alternative. Flitet për shtete të konsoliduara dhe jo vende si Shqipëria. Kjo bën që institucionet neoliberale kombëtare, veç atyre ndërkombëtare, t’ua imponojnë shumë gjëra qytetarëve, pavarësisht zgjedhjes së tyre, duke sfiduar parimet kryesore të demokracive. Pandemia ishte një rast i tillë, urojmë që të mos kemi një kërcënim lufte! 11-vjeçari i Edi Ramës dhe PS në pushtet është dukshëm një rrugë, ku të gjitha kompetencat, vizionet, institucionet (qoftë edhe ato që duhej të ishin të pavarura) burimet financiare etj., janë në një dorë. Ky pushtet është kaq cinik dhe kaq pa alternativë tjetër sa shpesh e më shpesh bën ndërmarrje ligjore në shërbim të pak interesave; ka përballë një opozitë krejt të përçarë; ka bërë kapjen totale të shtetit qoftë dhe me ndihmën e marionetave opozitare; përdorjen e aseteve kombëtare për interesa të ngushta; pushtetin mbi administratën publike; propagandën e pamatë; përdorimin e burimeve të mëdha ekonomike e administrative gjatë fushatave elektorale etj..

Por, ndjekja qorrazi e parimit politik TINA rrit deficitin demokratik dhe krijon një boshllëk të zbrazëtisë politike. Pavarësisht të gjithave, literatura na vjen sërish në ndihmë kur thotë se: projektimi imagjinar i gjithëpushtetshmërisë, ku pushteti i sotëm ka një bazë reale, që nis prej faktit se ushqen vetveten. Dhe, pushtotetokracia e Ramës sot e tregon TINAn e vetë me qesëndinë e hidhur: Kemi gabimet tona, por më të mirë se ne s’ka për Shqipërinë.

(Homo Albanicus)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura