Shtet për popull, apo për “mbret dhe oborrin e vet”!?

May 2, 2024 | 11:29
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

A mund të mos pranohet ajo që thuhet masivisht në popull e media se prej rreth 10 viteve, Shqipëria është bërë “parajsë” e ministrave, zv.ministrave e zv.ministreshave, e drejtorëve të përgjithshëm, e grave, sekretareve, këshilltareve dhe dashnoreve të tyre, e oligarkëve dhe dashnoreve, e prokurorëve dhe gjyqtarëve, e ambasadoreshave dhe ambasadorëve sorosianë?

Por, edhe e kullave të kanabisit, inceneratorëve funksionalë apo vetëm në letra, e agjencive të këmbimit valutor, farmacive, klinikave, spitaleve dhe universiteteve private; e kafeneve, e qebabtoreve, byrektoreve! Gjithashtu, edhe e tregjeve ku gjenden me bollëk artikuj ushqimorë me përbërës të rrezikshëm, me afate prodhimi dhe skadencë të ndryshuar shpeshherë, si të brendshmet në verë; me çmimet edhe më të larta se në Itali, Gjermani dhe vende të tjera të Perëndimit!? Për të gjitha këto arsye, fryte të keqqeverisjes dhe korrupsionit të pafre, Shqipëria e vogël është edhe shteti me emigracionin ndër më të lartë. Paradokset nuk kanë të sosur! Shqipëria gjatë 10 viteve të Rama-qeverive, e mbetur në rreth 2 milionë banorë, ka një administratë me rreth 185 mijë zyrtarë e punonjës, rreth 3.000 më shumë se Gjermania me rreth 84 milionë banorë! Një rekord tjetër për guinness: Tirana me rreth 1 milion banorët ka rreth 10.500 veta nëpër zyra e sektorë ndihmës e shërbimi të saj, ose rreth 300 veta më shumë se Stambolli me rreth 15 milionë banorë…!? Këtyre ushtrive në administratë duhet t’u shtojmë edhe armatën në rreth 30 000 veta të patronazhistëve… Merret me mend fare lehtë përse janë këto ushtri nëpër administratë, polici, me patronazhistë…

Çdonjëri prej tyre, për të ruajtur vendin e punës, është i detyruar të votojë vetë, si çift, si familje, si krushqi vetëm për Rama-partiqeverinë! Përndryshe, do të jetë kontingjent për emigracionin dhe papunësinë shumëvjeçare!? Shqipëria edramjane është për guinness edhe për dy shifra të tjera! Ajo ka në radhët e policisë, për mbrojtje nga “protesta dhe revoltat popullore” rreth 20.000 veta, ndërsa të ushtrisë, “për mbrojtje nga ndonjë agresion prej armiqve të jashtëm”, vetëm rreth 6.000 vetë! Një paradoks e rekord tjetër: Shqipëria e Ramës është edhe vendi dhe shteti me dy qeveri: njëra, zyrtarja në Kryeministri e nëpër ministri, tjetra nëpër burgje, nëpër qeli, dënuar për korrupsion dhe abuzime, edhe për shndërrimin e zyrave për amoralitet si hotele e shtëpi…!?

Mund të thuhet pa e tepruar e pa gabuar se ky është shtet pa shtet, pa popull, pa pozitë dhe opozitë; pa demokraci e drejtësi të vërtetë, pa media e sindikata të pavarura dhe qeveri tronditëse, pa rini e pa të ardhme! Njëherazi, edhe me një kryeministër të plotpushtetshëm, si sulltan, perandor, mbret! Nga turma e enveristo-edramisto-patronazhistëve mund të dalin vullnetarisht si gjelat në majë të plehrave, avokatë mbrojtës, që ta justifikojnë partinë dhe qeverinë e tyre të zemrës për këto fakte, “bume”, “rekorde” diskretituese se Shqipëria nuk është Amerikë, Gjermani, Francë, Angli, Zvicër, Austri, Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Suedi, Norvegji, që kanë shtete dhe qeverisje për t’i marrë shembull e për t’i pasur zili! Për të keqen gjerësisht popullore, pra edhe të tyre, ushtria e pseudo të majtëve kanë rreth 15 vjet që e besojnë verbërisht edhe sajesën apo përrallën e Edi Ramës se “të dy palët janë njësoj”!?

Por, nëse krahasimi bëhet për nga CV-të e plota e të pastra, nga certifikatat e lindjes dhe familjare, nga kartelat mjekësore dhe dëshmitë e penalitetit (të sakta), nga dëftesat dhe diplomat e shkollimit, të profesionit, doktoraturave dhe profesoriateve, nga karriera dhe përvoja, nga niveli intelektual, kulturor; nga preferencat, shijet, veshjet, sjelljet; nga punët, veprat, faktet, dhuntitë, veset… shumë prej figurave të “së majtës” dhe “të djathtës” nuk do të dilnin 100% njësoj.

Partizanët e njësojllëkut 100″ këmbëngulin në këtë bindje të tyre, duke “harruar” qëllimisht, për militantizëm skllevërish se edhe 5 gishtat e një dore; 5 vëllezër e 5 motra të një barku, dy binjakë, dy sozi nuk janë 100% njësoj apo njëlloj! Militantët fanatikë të gjase të majtës, përveç se nuk “kujtojnë” të mendojnë, reflektojnë dhe reagojnë si qytetarë, që preken drejtpërdrejtë në xhepa, kuleta, frigoriferë, tavolina ngrënie nga rrjedhojat e paaftësisë, korrupsionit dhe të spektatorllëkut të Rama-qeverisë ndaj 1001 mungesave dhe halleve të shumicës së popullit, “harrojnë” të mendojnë e të bëjnë trimërisht edhe 2 pyetje:

1- Përse nuk u bë Shqipëria si Zvicra, Gjermania, Austria, Holanda, Belgjika, Danimarka, vendet nordike, kur Zoti i ka falur pasuri mbi dhe nëntokësore më tepër se shumicës së këtyre vendeve e rreth 275 ditë me diell, me temperatura për plazh në rreth 9 muaj në dy detet e në liqenet? 2- Kush apo cilët e penguan të bëhej me nivel zhvillimi dhe mirëqenieje si këta vende? Merret me mend se këta “të majtë të përjetshëm”, kapur fort te qenia e shumicës së këtyre vendeve mbretëri me koloni në Afrikë dhe Azi, i shmangen pranimit të së vërtetës se shkaku kryesor se përse Shqipëria mbeti Shqipëri e nuk u bë si këta vende, gjendet lehtë te sistemi gjase komunisto-socialist, te mbretërimi prej afro 80 (66 vjetësh) i PKSH-PPSH-PSSH-së tyre të zemrës dhe votës.

Këta nostalgjikë dhe mbështetës vetëm të gjase të majtës e dinë shumë mirë, por nuk duan ta pranojnë me gojët dhe zërat e tyre se ndryshe nga sa ka ndodhur në Shqipëri, në këto vende klasike kapitaliste të Evropës Perëndimore, partitë komuniste nuk kanë qenë në pushtet 80 minuta e jo më 80 vjet apo një jetë! Edhe më për keq e për dreq, tek ne nuk ka pasur nga 29 nëntori 1944 deri më 22 mars 1992 socializëm të vërtetë si dhe pas 22 marsit 1992-tës, as demokraci dhe kapitalizëm të vërtetë, por kopjime të këqija dhe deformime esenciale e të qëllimshme të origjinaleve, duke i katandisur në një çorbë allashqiptarçe! Njëkohësisht, përvoja e vendeve të Perëndimit, që kanë shtete dhe qeverisje me ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë njerëzore dhe sociale, që kanë parësor mirëqenien, mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve, ka qenë dhe është krejt falas dhe e lehtë zbatueshme edhe për Ramaqeverisjen, për të gjetur mundësi, mënyra, forma për të frenuar revanin e çmendur të varfërisë, korrupsionit, emigracionit, të rritjes së çmimeve jashtë logjikës ekonomike…

Por, edhe për të frenuar ambiciet e paskrupullta e çnjerëzore të oligarkëve për përfitime sa më të mëdha, duke vjedhur me këto çmime stratosferike dhe duke “vrarë” me cilësinë e ulët apo skadencën e ushqimeve blerësit apo konsumatorët”! Ndryshe nga sa ndodh në vendet e Perëndimit, me shtete dhe qeveri të vërteta e funksionale, tek ne qeveria bën më shumë spektatorin indiferent, sepse shumë prej zyrtarëve më të lartë të saj janë ortakë me oligarkët e kompanive prodhuese dhe tregtare. Për më keq, mbrohen edhe nga “populli i majtë”, që i mbështet dhe voton masivisht, edhe për fitore të pista. Pra, që mendon vetëm si partiak e jo si qytetar, duke mos i vënë pushtetarët e vet të zemrës dhe votës me shpatulla për muri me kritika dhe kërkesa njerëzore, për të pasur edhe ky vend një shtet dhe qeverisje, që të jenë më të angazhuara për rritjen e mirëqenies së shumicës së popullit e jo vetëm për pasurimin e tyre, me soj dhe sorollop!?

Deri kur do të vazhdojë ky militantizëm fanatik “majtas”, kjo “harresë” dhe nëpërkëmbje e vullnetshme e interesave jetike qytetare prej “popullit të majtë”, që di vetëm t’u puthë duart, faqet, kokën, Edi Ramës, Linda Ballukut, Blendi Gonxhes, Ogerta Manastirliut, Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Ulsi Manjës, Erion Veliajt, Olta Xhaçkës, Frida Krifcës”? Për më tepër e më keq, deri në monstruozitet, si ajo enveristoedramistja e çmendur beratase, duke i uruar të jenë sa më gjatë në fronet e pushtetit, edhe sikur fëmijët e tyre të ngordhin urie! Pra, e keqja jonë 80- vjeçare është te sistemi dhe gjendet te gjase e majta, e paaftë dhe bllokuese e ndërgjegjshme për të bërë shtet ligjor e social funksional, demokraci të vërtetë dhe vepruese, mirëqenie të lartë e të përjetueshme, zgjedhje të lira e të ndershme, rotacion qeverisëse…

Nuk mund të mendohet dhe besohet se është krejt e rastësishme, që këto “paaftësi”, dështime, “mosrealizime” të qeverisjeve “të majta” përputhen me dëshirat e çmendura dhe objektivat e moçëm, pa kursim investuar prej rreth 145 vitesh nga Beogradi dhe Athina, deri në 20-30 milionë dollarë apo euro në vit, sipas burimeve të tyre zyrtare, parlamentare e mediatike, për të blerë, paguar, mirëmbajtur politikanë, pushtetarë, media… në Shqipëri! Kuptohet lehtësisht se bindja dhe logjika partiake deri në vetësakrifikim jo vetëm individual, por edhe familjar, social, kombëtar, i pret rrugën apo i mbyll derën një qeverisjeje tjetër, “pak më ndryshe”, jo “plotësisht njësoj”, qoftë edhe 10-20-30% më e mirë, me ndjeshmëri njerëzore e sociale më të lartë. Nënkuptohet, edhe më demokratike, më integruese se sa kjo e “rilindjes”, si rrjedhojë e ripërtëritjes, pjekurisë, e reflektimeve dhe e korrigjimeve nga PD-ja dhe partitë e tjera të opozitës dhe nga personalitete me të vërtetë të pavarur nga shoqëria civile dhe diaspora, ndaj gabimeve, dështimeve, humbjeve të veta si dhe të qeverive të “Rilindjes” në këta mbi 10 vjet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura